Nis diskutimi i emrave për ministrat e rinj

548
Kryeministri rrëfen mënyrën e zgjedhjes së ministrave të rinj teknikë, ndërsa thotë se do të ketë takime periodike me kreun e PD-së
Partia Demokratike mësohet se ka propozuar disa nga emrat e gjashtë ministrave teknikë, sipas paktit Rama-Basha, ndonëse lista ende nuk është e konfirmuar. Burime politike përmendën emrat e Fatmir Hamulit ose Ivzi Biçakut, të cilët mendohet të jenë propozime për ministër të Brendshëm, në vend të Fatmir Xhafajt. Gjithashtu, Besnik Kastrati është propozuar nga opozita në Ministrinë e Drejtësisë, në vend të Petrit Vasilit, kryetar i LSI-së. Në Ministrinë e Shëndetësisë, PD ka propozuar emrin e ish-zv/drejtorit të ISKSH-së, Qamil Dika, i cili do të zëvendësojë Ogerta Manastirliun. Ndërsa në Ministrinë e Arsimit, në vend të Lindita Nikollës, pritet të jetë një kandidaturë mes Ardian Marashit, Mark Markut ose Artan Fugës. Gjithashtu, opozita duhet t’i propozojë kryeministrit edhe një zv/kryeministër, një ministër Financash dhe një ministër të Çështjeve Sociale. Pavarësisht emrave të përfolur, ende nuk ka një zyrtarizim të listës. Afati i fundit për opozitën mbetet dita e diel, ndërsa gjatë fillimit të javës së ardhshme pritet të mblidhet Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për të miratuar të gjitha pikat e marrëveshjes Rama-Basha.

Detajet e paktit: Rama-Basha, takime periodike
Kryeministri Edi Rama zbuloi disa detaje nga pakti i tij me kreun e opozitës, ndërsa deklaroi se do të ketë takime periodike me Lulzim Bashën. Duke folur nga Korça, shefi i qeverisë e cilësoi Lulzim Bashën si “një mik të kohëve të fundit”. Ai zbuloi edhe mënyrën e zgjedhjes së ministrave të rinj teknikë, duke nënvizuar se ata do të propozohen nga opozita dhe vendimi do të jetë i drejtuesit të qeverisë. “Administrata të mos kthehet në një instrument abuziv. U bë kështu për 30 ditët e fushatës. Se çfarë do të ndodhë më pas këtë do ata vendosin shqiptarët”, tha Rama. Duke shpjeguar paktin me Bashën, kryeministri u shpreh se kemi bërë gjënë e duhur dhe se nuk u kemi dorëzuar qeverinë. “Gjykatësit e korruptuar i kanë ditët e numëruara. Vetingu është çelësi për një Shqipëri të re. Fakti që bëmë një marrëveshje nuk do të thotë që ata u futën në çadër se nuk kishin frikë nga vetingu. Do të thoni ju i doli frika. Unë këtë nuk e diskutoj sot. Ka ardhur koha ta çojmë amanetin në vend. Ne i donim ata në zgjedhje. Nuk kishte asnjë shije, nëse ne hynim pa ata në zgjedhje. Sot jemi në këtë situatë. E morëm vetingun para mbarimit të mandatit. U dhamë një mundësi të madhe të kthehen brenda sistemit”, tha shefi i qeverisë. Ai shtoi se nuk ka pasur dorëzim të qeverisë për opozitën. “Një gjë besoj, por nuk mendoj se e ha njeri, se ne u kemi dorëzuar qeverinë apo që kemi ndarë qeverinë me ta. Apo që ata kanë thënë, se na kanë dorëzuar gjysmën e qeverisë. Kjo nuk është sakrificë për Nikon që të mos jetë zëvendëskryeministër deri datën e zgjedhjeve”, tha Rama, duke iu referuar largimit nga qeveria të zv/kryeministrit. Gjithashtu, Rama tha se Partia Socialiste do të fitojë shumicën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “LSI do të që dalë forcë e parë. Dhe PD do që të dalë forcë e parë. Por dhe ne duam që të dalim forcë e parë, por duam të fillojmë me 71. Ne nuk duam më shumë pushtet, por ne duam që Shqipëria të mos humbasë asnjë sekondë”, tha Rama. 
Sigal