Negociatat, Rama-Basha “takohen” në Sofje

586
Samiti i BE dhe i PPE, Rama-Basha “takohen” në Sofje

Liderët e partive anëtare të Partive Popullore Evropiane do të mblidhen më 16 maj në Sofje për të diskutuar marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti do të drejtohet nga Jozef Dol. Në takim do të marrin pjesë drejtuesit e shteteve e qeverive nga disa vende: Nicos Anastasiades (Qipro), Bojko Borisov (Bullgari), Klaus Ioanis (Rumani), Sebastian Kurz (Austri), Anxhela Merkel (Gjermani), Viktor Orban (Hungari), Andrej Plenkoviç (Kroatia), Mariano Rajoy (Spanjë) and Leo Varadkar (Irlandë). Nga Shqipëria, Partia Demokratike do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Lulzim Basha. Një ditë pas takimit të PPE është parashikuar edhe zhvillimi i Samitit mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Rama. Të dy politikanët e rëndësishëm do të jenë në këtë mënyrë në tryezat e BE-së, ndonëse nuk dihet nëse do të ketë kontakte direkte. Sidoqoftë, udhëtimi drejt Sofjes i Ramës dhe Bashës vjen në kohën kur Shqipëria pret një përgjigje për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa klima politike brenda vendit vazhdon të jetë e rënduar. Burime politike kanë folur së fundmi edhe mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në varësi të vendimit që do të marrin vendet e BE-së. Një vendim pozitiv për negociatat do ta vinte kryeministrin Rama në një pozitë më të favorshme për të kërkuar votëbesim nga elektorati, pas një viti të mundimshëm për mazhorancën me shpërthimin e çështjes “Tahiri”. Vajtja drejt kutive të votimit vjeshtën e ardhshme do t’i jepte mundësinë shefit të socialistëve të evitonte edhe problemet që mund të krijohen brenda selisë rozë me përjashtimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe hetimin e tij. Nga ana tjetër, një vendim negativ për negociatat, i shoqëruar me kritika ndërkombëtare për qeverinë, do ta galvanizonte opozitën për ta detyruar qeverinë të shkojë drejt një kompromisi politik, që përfshinte zgjedhjet e reja parlamentare. Opozita këmbëngul se në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të shkohet me Edi Ramën si kryeministër, ndërsa mazhoranca do ta kishte të vështirë qeverisjen në rast të dështimit me negociatat dhe kur zërat kritikë ndërkombëtarë po shtohen. 

Ndërkohë, grindja e vazhdueshme në disa vende të BE-së për statusin e Kosovës hedh hije në përgatitjet e samitit të Ballkanit të BE-së në Sofje. Një javë para samitit të BE-së shenjat duken ende se janë për konfrontim. Pesë vende të BE-së nuk e pranojnë njohjen e Kosovës: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro duan ta bëjnë këtë të qartë edhe në samitin e BE-së në Sofje. Sipas tyre asnjë simbol në këtë samit nuk duhet të interpretohet sikur pavarësia e Kosovës e shteti i Kosovës janë të pakontestuar. Për të mundësuar zhvillimin e samitit, siç është planifikuar, BE përpiqet tani me finesë diplomatike. Kështu në deklaratën përfundimtare të takimit në Sofje nuk do të flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për partnerët e Ballkanit Perëndimor, njofton agjencia e lajmeve DPA, duke iu referuar qarqeve të BE.
Sigal