Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës viziton KLSH

419
Sigal


Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani zhvilloi më 17 tetor 2016 një vizitë pune në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në takimin me Kryetarin e KLSH, z. Bujar Leskaj, z. Osmani, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë të dy institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë, të nisur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në shkurt të vitit 2012, bëri një prezantim të punës dhe rezultateve të institucionit të tij pas emërimit të tij si Auditues i Përgjithshëm në mars 2016, si dhe të riorganizimit dhe ndryshimeve thelbësore të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të Kosovës, duke fituar një qasje më efektive në auditim, e orientuar nga auditime më cilësore dhe më pranë qytetarit kosovar, si dhe me informacione më të drejtpërdrejta për Kuvendin e Kosovës. Z. Leskaj prezantoi punën e institucionit të KLSH gjatë vitit 2016, rezultatet dhe auditimet më të rëndësishme, si dhe kontributin e institucionit për përmirësimin e mirëqeverisjes publike, nëpërmjet thellimit te luftës kundër korrupsionit. Më tej, të dy drejtuesit e institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë diskutuan për planin e ardhshëm të aktiviteteve, si në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh dhe në atë më të gjerë të bashkëpunimit rajonal dhe mbarë evropian mes institucioneve anëtare të organizatës EUROSAI. Aktivitetet do të jenë të larmishme, nga shkëmbimi i përvojave në nivel praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të mira evropiane, nëpërmjet seminareve dhe konferencave vjetore individuale ose të përbashkëta, e deri tek auditime të përbashkëta për tema me rëndësi si për ekonominë dhe administrimin publik të Kosovës, ashtu dhe të Shqipërisë. Për këtë qëllim, do të rinovohet marrëveshja e lidhur mes dy institucioneve në vitin 2012, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve të përbashkëta dhe duke përfshirë Planin e Veprimit KLSH-ZKA të vitit 2017.