Në kujdesin e veçantë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, çeli punimet në ditën e dytë, Sesioni i Dytë Plenar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe

654
Sigal

Në kujdesin e veçantë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, çeli punimet në ditën e dytë, Sesioni i Dytë Plenar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe

Në këtë aktivitet mbajtën një fjalë përshëndetëse  Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,  z. Gramoz Ruçi, Zv.Kryeministrja znj. Senida Mesi, Zv.Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS- së z. Taulant Balla, njëherësh President i Parlamentit Ndërkombëtarë për Tolerancë dhe Paqe, Përfaqësuesi i Parlamentit të Afrikës, H.E.Janet Ongera, Kryetari  i Parlamentit të Maltës, H.E.Angelo Farrugia dhe

parlamentarë nga vende të ndryshme pjesëmarrëse, Presidentit i “Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen” Ahmed Bin Mohammed Al- Jarëan, ambasadorëve të akredituar në Tiranë, deputetëve, përfaqësues të institucioneve fetare në vend, etj.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta u shpreh se është nder dhe vlerësim i merituar për Shqipërinë që të jetë mikpritëse e një eventi të tillë me impakt global.

Presidenti Meta tha se terrorizmi dhe ekstremizmi fetar po shfrytëzojnë ‘globalizmin e propagandës’, Ithtarët e tyre po përdorin instrumente jo konvencionale të dhunës për të frymëzuar përçarjen mes civilizimeve, popujve dhe kulturave të ndryshme.

Ndër të tjera, z. Meta theksoi faktin se ky forum dhe kjo platformë unikale ndërkombëtare e ‘Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen’, ku bashkohen përpjekjet dhe axhendat e qeverive dhe organizatave joqeveritare është në linjë me objektivat e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar më së miri në promovimin e kulturës së paqes dhe tolerancës mes kombeve, në luftën kundër diskriminimit racor dhe gjinor, ekstremizmit fetar dhe etnik, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit mes civilizimeve dhe kulturave të ndryshme.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,  z. Gramoz Ruçi, fillimisht uroi të gjithë organizatorët për realizmin e këtij aktiviteti të rëndësishëm në vendin tonë.

Shqipëria, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit,  u kontribuon qytetërimeve të sotme me asetin e saj më të çmuar: tolerancën dhe bashkëjetesën etnike e fetare.

Ndaj, ky diamant i kombit shqiptar, tha z. Ruçi, është zhvilluar e lartuar nga të gjithë përfaqësuesit dhe savantët e tij, nga Shën Tereza te Ismail Kadareja, por edhe nga njerëzit e thjeshtë shqiptarë, kudo ku ndodhen.

“Nuk mund të ketë zhvillim, mirëqenie dhe paqe të vendit e popullit të cilit i përkasim, veçmas mirëqenies dhe dinjitetit të popujve e vendeve të tjerë, të afërt apo të largët, të mëdhenj apo të vegjël. Prandaj nga kjo tribunë, në emër të popullit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar ju bëj thirrje, që të rikujtoni kolegët tuaj parlamentarë, por edhe qeveritë që keni votuar, se Republika e Kosovës, një shtet i ri, i krijuar prej një dekade, prej përpjekjesh titanike të forcave më progresiste të botës së sotme, kërkon me legjitimitet, meritë e dinjitet më shumë njohje ndërkombëtare”, përfundoi fjalën z.Ruçi.

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë znj. Senida Mesi u uroi mirëseardhjen në Shqipëri kolegëve që vijnë nga vende të ndryshme me një qëllim mjaft sublim, siç është ai i Këshillit Global për Tolerancën dhe Paqen, ku në objektivin e tij kryesor ka demokracinë, tolerancën dhe përhapjen e objektivave humanitarë.

“Në Shqipëri mbizotëron bashkëjetesa fetare. Ne kemi 5 fe e pikërisht kjo klimë bashkëjetese në harmoni , u trumbetua nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij të parë e në Shqipëri në vitin 2014”, tha znj. Mesi.

Ndërsa, President i Parlamentit Ndërkombëtarë për Tolerancë dhe Paqe z. Taulant Balla Shqipëria duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit theksoi faktin se Parlamenti Global, ka për  qëllim që të bëjë bashkë përfaqësuesit e popujve dhe besimeve të ndryshme në përpjekjen e përbashkët më shumë tolerancë dhe paqe në botë.

Shqipëria, nënvizoi z. Balla, është një vend i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, një rajon historikisht të trazuar, e ku Shqipëria eksporton paqe, tolerancë dhe stabilitet. Objektivat për Paqe dhe Tolerancë në kohën që jetojmë përfshijnë përveç kuptimit të tyre primar, më shumë respekt për të drejtat e njeriut, forcim të legjislacionit kundër çdo forme të diskriminimit, racizmit, sektarizmit dhe dhunës.

“Por një gjë dua ta them sot dhe është një përsëritje, në fakt, që uroj dhe shpresoj që në të gjithë jetën e kombit tonë të mos bëhet kurrë e mërzitshme, që shembulli i devotshmërisë ndaj vëllazërisë nder fetarë dhe i bashkekzistencës mes të gjitha komuniteteve në paqe, tolerancë dhe në harmoni është modeli më i mirë i vyer që ne, jo vetëm duhet të mbrojmë për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë, por dhe mund të eksportojmë në një Europë të Bashkuar që duhet të prevalojë mbi diferencat fetare”, shtoi z. Balla.

Në fjalimet që krye parlamentarët e vendeve të ndryshme pjesëmarrëse, mbajtën në këtë sesion nënvizuan kontributin e Shqipërisë në stabilitetin në rajon e më gjerë dhe vunë në dukje  se modeli shqiptar i bashkëjetesës e tolerancës  fetare dhe etnike duhet  dhe mund të shërbejë si një model për vendet dhe rajonet e tjera të botës.