Këtë javë pritet të emërohen zëvendësministrat, ndërsa ministrat do të fillojnë të japin dorëheqjen si deputetë
Është paradoks, që Kryeministri Edi Rama, edhe pse ka emëruar ministrat e kabinetit të vet, një muaj, para se Presidenti i Shqipërisë ta mandatonte për krijimin e qeverisë së re, si fitues i zgjedhjeve të 23 Qershorit, ende nuk janë emëruar zëvendësministrat. ndërsa po mbushet muaji, që qeveria e re është votëbesuar në Kuvend. Njëfarësoj, kjo do të thotë, që, de facto, qeveria e re nuk është startuar plotësisht për të qeverisur vendin. Madje, Edi Rama, me cilësinë e kryeministrit të zgjedhur, një muaj, përpara se të fillonte zyrtarisht detyrën, ka zhvilluar dy herë mbledhjet jo zyrtare me ministrat që kishte emëruar.
Mosemërimi i zëvendësministrave, “harresë” e Ramës ndaj aleatëve
Aleatët e “Aleancës për Shqipërinë Europianë” kanë bërë marrëveshje parazgjedhore me Ramën, për ndarjen e posteve qeveritare, sipas kontributit të votave që do fitonin secila parti. Një nga premtimet e Ramës ishte që partitë që do të fitonin mandat në Kuvend, do të merrnin edhe post ministror, ose do të fitonin mbi 10.000 vota në shkallë vendi. Mirëpo, Rama nuk u dha as PBDNJ-it, as PDK-së, post ministror, edhe pse fituan mandat, por as PDS-së dhe PSD-së, që fituan mbi 10.000 vota secila, edhe pse nuk mundën të fitonin mandat deputeti. Rama, për të qetësuar aleatët, më vonë u premtoi se do t’ju jepte poste zëvendësministra dhe drejtorë të drejtorive të Përgjithshme. Mirëpo, deri tani, edhe pse janë emëruar shumë drejtorë të Përgjithshëm, asnjë nga ata nuk janë nga partitë aleate. Po kështu, edhe poste zëvendësministrash, të zbardhur deri tani, 6 prej të cilëve i ka marrëLSI-ja dhe të tjerë PS-ja, ende Rama nuk ka emëruar asnjë zëvendësministër nga aleatët.
Rama, përjashton Vasil Bollanon nga Parlamenti
Për herë të parë, në këto 21 vjet demokraci, PBDNJ-shi nuk përfaqësohet në qeveri me ministër. Pavarësisht, shpjegimeve që dha vetë Kryeministri Rama për mosdhënien e postit ministror përfaqësuesve të minoritetit grek, edhe pse PBDNJ-shi fitoi 1 mandat në Kuvend, si edhe hamendjeve të thëna e të shkruara, e vërteta që mund të bazojë përjashtimin e PBDNJ-sit me ministër në kabinetin “Rama1”, është se Kryeministri Rama, nuk donte që në Parlament të hynte si deputet, numri 2 i listës së PBDNJ-it, Vasil Bollano. Sikurse dihet, Bollono, edhe si Kryetar i Bashkisë së Himarës, por edhe si kryetar i “OMONIA”-s shpeshherë ka provokuar haptazi cenimin e pavarësisë së Shqipërisë, duke bërë thirrje për marrjen, qoftë edhe me forcë të së ashtuquajturës “Vorio Epir”. Kryeministri Rama, për të amortizuar reagimet e PBDNJ-shit, por edhe të politikës dhe diplomacisë greke, i dha Vangjel Dules postin e nënkryetarit të Kuvendit, një post shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh, që PS-ja, edhe pse ka 65 deputetë, nuk ka as postin e kryetarit por as të nënkryetarit të Parlamentit.
Koordinatori i Ramës me aleatët: “Ende nuk kemi bërë konsultime me Kryeministrin”
Gjet Ndoj, koordinatori i Kryeministrit Rama me aleatët, në një prononcim për “Telegraf”, pohon që aleatët ende nuk janë konsultuar me kryeministrin Rama, për të përcjellë kërkesat e tyre për postet qeveritare, duke filluar që nga zëvendësministra, e deri në poste drejtuese vendore, nëpër qarqe. Kjo vonesë, sipas zotit Ndoj shpjegohet nga mungesa e Kryeministrit Rama, i cili ndodhet në SHBA. Këtë javë, pritet që Rama të takohet me aleatët dhe të ndajë edhe postet qeveritare, që u ka premtuar. Përflitet se poste qeveritare do të marrin, Milo, Gjinushi, të cilët nuk dihet se do t’i mbajnë vetë, apo do të emërojnë bashkëpunëtorë të tyre, një nga partia e Frrokut, Petro Koçi, por edhe Gjergj Koja.
Pritet që ministrat të fillojnë të japin dorëheqjen nga mandati i deputetëve
Këtë javë, gjithashtu, pritet të fillojë edhe procedura e dorëheqjes nga mandati i deputetit për të gjithë ministrat e kabinetit “Rama”. Në një prononcim për “Telegraf”, ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, pohon, që akoma nuk është përcaktuar procedura e dorëheqjes së ministrave nga mandati i deputetëve, por ajo që është e sigurt, ministrat do ta bëjnë individualisht dhe jo kolektive, për të mos rrezikuar shumën e 71 votave në Kuvend, për asnjë ditë. Gjithashtu, sipas zotit Celibashi, Kryeministri Rama do të vazhdojë të jetë deputet.
Ministri Celibashi për “Telegraf”:
– Zoti ministër, kur do të fillojë dorëheqja e ministrave nga mandati i deputetit?
– Akoma nuk e kemi përcaktuar as kohën, por as procedurën. Ajo që është vendosur që të gjithë ministrat e qeverisë të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit në mënyrë individuale, jo të gjithë bashkë, për të ruajtur në çdo çast shumicën e 71 votave në Parlament.
– Po ju, si ministër për marrëdhëniet me Parlamentin, do të jepni dorëheqjen nga mandati i deputetit?
– Është vendosur që të gjithë ministrat, pa përjashtim, të japin dorëheqjen. Për më tepër, unë, në mënyrë të tillë, që të ketë transparencë në marrëdhëniet qeveri-Parlament.
– Por, a nuk duhej bërë përjashtimi vetëm me ju?
– Nuk ka shkak të domosdoshëm, ai ministër që mbulon marrëdhëniet me Kuvendin, të jetë njëkohësisht edhe deputet. Bile, do të thosha, që është më mirë që të mos jetë deputet, në mënyrë të tillë që të ruash raportet e qeverisë me Kuvendin në mënyrë të paanshme.
– Po Kryeministri, a do të jetë deputet?
– Kryeministri, i parë nga pozicioni që ka kushtetues, do të vazhdojë që të jetë deputet.