Ilirjan Celibashi: “Do të formojmë një KQZ të re”; Kristaq Kume: “Maxhoranca mund të bëjë ndryshime në Kodin Zgjedhor, për KQZ-

440
Sigal

Ministri  për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, në  intervistën  për “Telegraf” pohon se, kjo KQZ, e mbetur me 4 anëtarë, e ka humbur legjitimitetin, ndaj maxhoranca e re do të afrojnë një qasje tjetër, pra një kompozim të ri për KQZ-në, e cila  do të jetë e paprekshme nga ndikimi i partive.

–  Zoti Celibashi, me KQZ-në e mbetur me 4 anëtarë çfarë do të bëhet?

– Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë asaj pikëpamjeje, që ai institucion meriton të reformohet. Më së pari, meriton që t’i rikthehet legjitimiteti, pasi KQZ-ja e tanishme është me legjitimitet të cenuar, largimit në mënyrë antikushtetues dhe antiligjor i një anëtari të KQZ-së.

– Cilat raporte politike do të respektoni në riformatimin që do t’i bëni KQZ-së? Të maxhorancës së kaluar, apo të sotmes?

– Kuadri ligjor që është në fuqi, nuk ka fare rëndësi për ne, sepse edhe kur kemi bërë diskutimin në lidhje me largimin e anëtarit të KQZ-së, përpara zgjedhjeve, nuk e kemi diskutuar në aspektin e balancave politike, por kemi thënë, por e kemi kundërshtuar, meqë është në kundërshtim me ligjin. Kthimin e legjitimitetit do ta bazojmë në ligj. Pavarësisht se kush është sot në qeveri dhe kush në opozitë. Është një çështje që është në axhendën e kësaj maxhorance. Do të afrojmë një qasje krejt ndryshe nga ajo që ka bërë ajo maxhorancë që u mund në 23 Qershor.

– Opozita e djeshme, e cila sot është maxhorancë, ka kërkuar që edhe Kryetari i KQZ-së, në kuadrin e rikompozimit, të zgjidhet me konsensus. Do të zgjidhet Kryetar i ri i KQZ-së?

– Sipas ligjit, me konsensus është edhe Kryetare e KQZ-së aktuale, por problemi është që praktikisht tregoi që KQZ-ja është një institucion që nuk funksionon, është një institucion, i cili politika mund të ndërhyjë kur të dojë dhe si të dojë. Ne duam, që në një situatë tjetër, edhe ne si maxhorancë, të mos e kemi këtë mundësi që të sillemi si të duam, edhe sikur të duam. Pra, me ligj duam që partitë politike të mos kenë më mundësinë të vënë duart mbi KQZ-në, mbi vendimmarrjet e saj, sikurse u soll qeveria e shkuar.

Ka ardhur momenti politik që KQZ-ja, më në fund, të jetë apolitike?

KQZ-ja në çdo herë duhet të jetë apolitike, por ka ardhur vërtet kohë që KQZ-ja të jetë një institucion i ndërtuar në mënyrë të atillë, që jo ata të cilët i propozon shumica politike, janë ata që ne i shikojmë si njerëzit tanë, dhe ata që i propozon pakica, nuk janë tanët. Duhet që në tërësinë e vet, KQZ-ja të jetë institucion i besueshëm, nga të gjitha pamjet, nga të gjitha forcat politike. Në opinionin tim, KQZ-ja duhet të jetë me një anëtar!

A duhet  të zbatoni praktika që partitë parlamentare, të mos propozojnë të besuarit e tyre në KQZ e anëtarët të jenë juristë të apolitikë?

 Ky është një diskutim kaq i gjerë dhe kaq i gjatë, sa ka modele nga më të ndryshmet.

Cili është vullneti politik i maxhorancës së sotme, për performancën që duhet të ndërtojë një KQZ, të jetë mbi palët politike?

– Ne kemi vullnetin, që të ndërtojmë një institucion që të jetë tërësisht i pavarur dhe me integritet. I besueshëm nga  të gjitha palët.

– Faleminderit!

——————–

Kristaq Kume, ish-Kryetar i KQZ-së, në intervistën për “Telegraf”, pohon se maxhoranca duhet të ndërpresë mandatin e 4 anëtarëve të KQZ-së, me arsyetimin që ata kanë vepruar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, që të bëjë riformatim të KQZ-së. Ose, vazhdon arsyetimin e vet zoti Kume, maxhoranca duhet të ndryshojë Kodin Zgjedhor me 84 vota, që të mbështetë mbi baza ligjore riformatimin e KQZ-së së re.

– Zoti Kume, cila është rruga ligjore, për t’i kthyer KQZ-së, legjitimitetin?

– Duhet të plotësohet patjetër. Pasi të miratohet nga Parlamenti dorëheqja e 3 anëtarëve të KQZ-së, duhet të fillojë procedura e plotësimit të vendeve vakante në KQZ, 2 nga partia e madhe e ish-opozitës dhe 1 ngaLSI-ja. Pra do të zbatohet ajo formulë që parashikon ky Kod Zgjedhor.

– Kjo zgjidhje nuk u pranua deri tani nga ish-opozita dhe maxhorancë sot.

– Ish-opozita nuk  e pranonte këtë zgjidhje, për arsyet e veta politike. Jo, sepse po të zbatonte këtë procedurë, shkelte Kodin Zgjedhor. Tani që gjërat kanë ndryshuar në favor të saj, maxhoranca e re nuk ka përse të mos pranojë formulën që përmban Kodi Zgjedhor.

– Nëse pranon këtë procedurë, a nuk do të dalë blof maxhoranca e re nga qëndrimi i deritanishëm që mbajti, duke e lënë KQZ-në me 4 anëtarë?

– Ish-opozita e atëhershme, duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nuk thoshte dot asnjë fjalë, por deklaronte: “Ne nuk e zbatojmë plotësimin e anëtarëve”, pasi ishte vlerësim politik, për ngjarjet që kishin ndodhur në KQZ.

– Nëse maxhoranca e re do të bëjë rikompozim të ri të KQZ-së, raporti i politik, në KQZ cilën maxhorancë dhe  opozitë do t’i referohet? Së atëhershmes? Të tanishmes?

– Maxhoranca e re, që të bëjë rikompozim të ri, me të cilën nënkuptohet, ndërprerja e mandatit të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pra edhe të 4 anëtarëve që janë sot, ligjërisht, nuk ka asnjë hapësirë ligjore.

-Atëherë, kjo maxhorancë,  do të ketë të njëjtën sjellje, sikurse veproi  maxhoranca e atëhershme me forcën e kartonëve në Kuvend, për të imponuar zgjedhjen e saj, pavarësisht se çfarë përmban Kodi Zgjedhor?

– Por ka edhe një zgjidhje tjetër. Maxhoranca e re mund të vërtetojë që 4 anëtarët e KQZ-së janë në kushtet mbi të cilët vepron neni përkatës i Kodit Zgjedhor, i cili parashikon kur ndërpritet mandati i anëtarëve të KQZ-së. Që këta, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer  dëme, që parashikon ndërprerjen e mandatit të tyre.

– Nëse u ndërpritet mandati të 4 anëtarëve të tanishëm të KQZ-së, cili do të jetë raporti politik në KQZ-në e re?

– 3 anëtarë do t;i ketë maxhoranca aktuale dhe 3 do t’i ketë opozita aktuale. Ndërsa anëtari i 7-të, që do të jetë kryetari i KQZ-së, do të zgjidhet me konsensus, ose me 71 vota në Kuvend, duke ndjekur procedurën  që parashikon Kodi Zgjedhor. Praktikisht, edhe anëtarin e 7-të, do ta marrë maxhoranca aktuale.

– Ka hapësira të bëhen rishikime në Kodin Zgjedhor, apo edhe Kod i ri Zgjedhor, mbi të cilin të bazohet ligjërisht riformatimi i ri i KQZ-së?

– Nëse maxhoranca e re bën 84 vota në Parlament, ndryshon Kodin Zgjedhor, ose nene që përcaktojnë zgjedhjen e KQZ-së, e mbi këtë bazë të re ligjore, do të bëhet edhe zgjedhja e KQZ-së së re.

– Faleminderit!