Moratoriumi i pyjeve, Rama: Kuvendi duhet ta miratojë edhe pse disa deputetë jan kundërvënë

531
Prezantohet moratorium për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve për 10 vitet e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama tha se pyjet janë shkatërruar për shkak të një aktiviteti kriminal të kryer në bashkëpunim të plotë me strukturat që duhej të kishin mbrojtur ato, vite të tëra.
Rama tha se Kuvendit me çeljen e sesionit të ri duhet të miratojë moratoriumin dhe u shpreh I bindur se kjo do të ndodhë.
Edi Rama: “ Moratoriumi sjell ndalimin absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike, por qëllime fitimi. Pyjet janë shkatërruar për shkak të një aktiviteti kriminal të kryer në bashkëpunim të plotë me struktura që duhej ti kishin mbrojtur pyjet me vite të tërë. Sot jemi të vendosur për dy ndërhyrje madhore që u ka ardhur koha, moratoriumin 10 vjeçar dhe paketën e ndëshkimit të krimit mjedisor.Moratoriumi është një kërkesë që nuk mund të refuzohet më nga ligjvënësit e Shqipërisë, është në parlament dhe ne presim me padurim hapjen e sesionit të ri për të miratuar moratoriumin për të cilin është dashur të diskutojmë pafundësisht me grupe interesi që preken nga kjo masë drastike, por dhe me deputetë që për një arsye apo një tjetër, pa i paragjykuar, por pa mundur ti mirëkuptoj më asnjë ditë më shumë, i janë kundërvënë. Përfundimisht ne duam miratimin e moratoriumit nga Kuvendi i Shqipërisë. Jam i bindur që me çeljen e sesionit të ri Kuvendi do ta miratojë moratoriumin i cili ndalon kategorikisht çdo aktivitet industrial, tregtar, prodhues, ekonomik në pyje shtetërore apo private për 10 vjet dhe garanton shfrytëzimin e pyjeve me kritere shumë të mirëpërcaktuara dhe përmes një kontrolli shumë rigoroz nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkive vetëm për qëllime të përdorimit familjar”.
Sigal