Monika Kryemadhi: Është koha që sistemit politik shqiptar t’i vijë një epokë e re!

94

Intervista e plotë e Kryetares së LSI-së, për televizionin Nova

Znj.Kryemadhi ju keni ardhur për disa takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, a mund të na thoni se cila është axhenda juaj?

Në fakt është shumë e çuditshme, sepse ne jemi mësuar të bëjmë axhendë protokollare, por të gjitha vizitat e mia në SHBA kanë një axhendë, e cila ka në thelb të saj konsultimet me individë të caktuar apo institucione të caktuara, të cilat kanë qenë partnerë kryesorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sot është dita e parë e vizitës sime, edhe pse kam qenë e ftuar në Forumin e Ish-Kongresmenëve dhe ish-senatorëve, një aktivitet i përvitshëm ku unë ftohem gjithmonë në këtë takim, ku kemi pasur takime me kongresmenë, senatorë, ish-kongresmenë dhe ish-senatorë, ku kemi diskutuar për situatën në Shqipëri dhe në rajon. Gjë për të cilën është një situatë problematike, nuk përfshihet vetëm Shqipëria, sepse Shqipëria është vetëm një pjesë e rajonit, por përfshihet i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Takime të tilla krijojnë një hapësirë krejt tjetër, por edhe një këndvështrim komplet tjetër larg disa emocioneve që ka Ballkani, ndërkohë që këtu shikon se si gjërat shikohen dhe vështrohen në këndvështrime të tjera, në pozicionime të tjera.

Në Shqipëri po zhvillohet protesta të mëdha, a do ta prezantoni këtë problematikë në takimet tuaja në SHBA?

Unë nesër kam disa takime të tjera, të cilat janë takime në kuadrin e konsultimit. Situata në të cilën gjendet Shqipëria është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është më një situatë ku jemi në normalitet, kemi një Shqipëri e cila lëngon nga problematika shumë të mëdha, ku për hir të së vërtetës shkaktarë të këtyre problematikave jemi vetë ne klasa politike, duke përfshirë dhe veten time si përgjegjëse të kësaj situate, por pavarësisht nga kjo mendoj që më mirë vonë se sa kurrë, ne të gjithë duhet të reagojmë për të nxjerrë vendin nga kriza. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme, shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar jetën e tyre jo për meritë të shtetit shqiptar, por e kanë ndërtuar jetën e tyre për meritë të mundësive të veta, të angazhimit të tyre, të punës së tyre, të dijes së tyre, të krahut të tyre, ndërsa merita e shtetit shqiptar ka qenë zero, përkundrazi ka qenë një tërheqje, ka qenë një frenim që shqiptarët të ecin përpara, jo vetëm në SHBA, por kudo në çdo vend që ata kanë ikur. Ne akoma vazhdojmë të themi që jemi një vend në tranzicion. Vetëm në SHBA janë rreth 400 mijë shqiptarë që kanë ardhur pas viteve 90-të. Problematikat që kalon sot Shqipëria kërkojnë një rrugëdalje, që të krijojmë një sistem të fortë. E kam thënë edhe e them gjithmonë edhe në disa artikuj që kam paraqitur në disa media evropiane, e them këtë sepse Shqipëria tashmë nuk ka më nevojë për një lider të fortë. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fortë, i cili u garanton shqiptarëve  garanci, drejtësi të barabartë , shëndetësi të barabartë, arsim të barabartë etj.

Meqë folëm për garancinë, a mendoni se shqiptarët janë të sigurtë në shtëpitë e tyre?

Varet se si do ta shikosh. Ka njerëz që e shikojnë gotën plot, ka njerëz të cilët e shikojnë gotën bosh. Megjithatë pavarësisht se si e shikon, problematikat kanë hapësirat e tyre, ashtu edhe si të mirat kanë hapësirat e tyre. Nuk mund të thuash që Shqipëria nuk ka ecur përpara. Po, ka ecur, por kosto është më e madhe krahasuar me ato pak hapa që ka hedhur Shqipëria. A është mbrapa në krahasim me vendet e tjera të rajonit? Sigurisht që është mbrapa. Ne e kemi nisur procesin e integrimit europian për të qenë anëtar të BE-së së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë. Sot Kroacia dhe Sllovenia janë anëtare të Bashkimit Europian. Votojnë me 23 dhe 26 Maj për të pasur eurodeputetët e tyre në Parlamentin Europian, ndërsa ne çdo ditë e më shumë stopohemi dhe shtohen problematikat për të hapur negociatat, jo më për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Sot siguria është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Politika shqiptare i ka lodhur shqiptarët, çdokush aplikon për lotarinë Amerikane. A keni një program z.Kryemadhi sepse  sot kam dëgjuar një deputete të Partisë Socialiste ku thuhet që opozita vërtet proteston dhe nuk ka program…

Kjo nuk është e vërtetë. Programi është shumë i thjeshtë. Doni programin për ekonominë, programin legjislativ apo programin për qeverinë tranzitore. Mbas kaq kohësh në një situatë kaq të madhe krizash, kemi një opozitë  e cila është e përgatitur me një strategji si të dalë vendi nga kriza. Sot kam qenë në një takim me Daniel Serverin, një nga personazhet kryesore që e njeh Ballkanin më mirë nga të gjithë. Një nga figurat më të njohura të Departamentit të Shtetit. Një nga problemet që kanë stabilokratët apo njerëzit burokratë në kuptimin  e mirë të fjalës është djegia e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve, çfarë të sjellin këto, shkatërrimi i sistemit të demokracisë etj. Në fakt sistemi i demokracisë dhe sistemi i vlerave në Shqipëri nuk ekziston aktualisht. Sot ne po të shkojmë dhe të takojmë një shqiptar dhe t’i flasim për vlerat dhe demokracinë do thotë “ Ka mundësi ta mbyllësh gojën, kam 30 vjet që dëgjoj për demokracinë, unë nuk kam bukë të ha në shtëpi.” Dhe ti thua stop, se nuk e di a do më vijë djali apo vajza në shtëpi nga shkolla. Pra ka disa probleme që problemet jetësore sot janë bërë më të rëndësishme se vlerat demokratike. Ne flasim për demokracinë në momentin që kemi krijuar një standard ekonomik të fuqishëm. Por standardi ekonomik po rrëndohet në Shqipëri. Tani të vijmë të programi. Opozita ka paraqitur një program përsa i përket qeverisë tranzitore. Po çfarë është qeveria tranzitore? Do të thotë një qeveri kujdestare që garanton zgjedhjet. Sepse sot nuk është se ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje, nuk është se duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne nuk duam që zgjedhjet të vidhen, të manipulohen, të deformohen, të mashtrohen njerëzit, mos të intimidohen dhe mos të përfshihen në grupe kriminale në gjithë këtë proces zgjedhor. Dhe cili është propozimi i opozitës? Që ne duhet të kemi një qeveri tranzitore të cilën ta shkruajmë në Kushtetutë që çdo qeveri apo çdo mazhorancë 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të ketë një qeveri transitore.

 A është e mundur kjo?

Sigurisht që është e mundur sepse e kanë disa vende të rajonit. E ka Greqia, e ka bërë Maqedonia, që të ketë një qeveri transitore, e cila çliron Administratën Publike, Policinë e Shtetit dhe në  njëfarë mënyre nuk intimidon strukturat e shtetit në procesin e zgjedhjeve. Që për hir të së vërtetës në këto 30 vjet ne vazhdojmë flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbarojmë këto kur kjo qeveri administron po themi nuk lejon bërjen e tenderave që nëpërmjet tenderave lind konflikti i interesit, nuk lejon përdorimin e administratës publike etj. Më pas vijmë të alternativa. Alternativa ka të bëjë me procesin që ne hyjmë në një fushatë zgjedhore. Pra ditën që vendoset dita e zgjedhjes, ditën që bien dakord palët, ose krijohet një infrastrukturë për të rënë dakord dhe për të shkuar në zgjedhje hyn pastaj programi elektoral. Por nuk mund të them program elektoral sesa mund të them program ekonomik. Po flas përsa i përket LSI. Para disa ditësh ne patëm Konventën Kombëtare të LSI ku kishte disa vendimmarrje organizative por nga ana tjetër kishte dhe miratimin e paketës të programit ekonomik dhe politik  të LSI. Një nga pikat kryesore është përsa i përket uljes së taksës, çështjes së arsimit , rritjes së buxhetit për arsimin. Që nga klasat e para sepse problemi i arsimit në Shqipëri nuk fillon te universitetet, universiteti është fundi i gjithë zinxhirit arsimor. Më pas kemi bujqësinë, ajo që ne propozojmë është karta e fermerit se shqiptarët janë të regjistruar, paguajnë taksa, paguajnë detyrime në shtet me shumë sesa ç’marrin subvencione nga shteti. Pra do të thotë që ti e falimenton fermerin përpara se të fillojë. Në të gjithë vendet e botës bujqësia subvencionohet sepse bujqësia është një nga profesionet më të vështira por nga ana tjetër është një nga profesionet më të domosdoshme për njeriun sepse nëpërmjet bujqësisë ushqehet.

Zoti Rama ju quan një pallat politik, unë e di që kryeministri është edhe i mazhorancës edhe i opozitës…

Zoti Rama si gjithmonë është munduar që momentet më të vështira politike t’i kalojë nëpërmjet batutave. Unë mendoj që shqiptarët nuk ushqehen as me humor, as me barcaleta dhe as me batuta. Shqiptarët kanë nevojë për punë. Shqiptarët kanë nevojë për mundësi. Shqiptarët kanë nevojë për një ekonomi për fëmijët e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për garanci. Dhe ajo që mendoj unë dhe që është shumë e rëndësishme është që duhet të jemi shumë të kujdesshëm sot në artikulimet që bëjmë të gjithë politikanët, pavarësisht se nga cili krah jemi. Pse? Sepse sot më shumë se kurrë ne ndihemi përgjegjës në situatën në të cilën gjendet Shqipëria dhe sot më shumë se kurrë ne duhet të marrim përgjegjësi mbi veten, në mënyrë të tillë që t’u japim shanse dhe mundësi njerëzve që të kenë mundësi ta kthejnë Shqipërinë në shtëpinë e tyre. Sepse sot Shqipëria nuk është më shtëpia e shqiptarëve. Sot Shqipëria çdo ditë e më shumë po boshatiset. Qindra mijëra të rinj po largohen, sepse nuk kanë mundësi.

 Nuk duhet të themi që edhe po të vijë kjo opozitë në pushtet do hamë me lugë të argjendtë…

Nuk e dimë a do të vijë kjo opozitë në pushtet. Ne po themi të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe më pas janë shqiptarët. Për hir të së vërtetës po të shikojmë historikun e shumë gjërave, do shikojmë që ekonomia ka qenë më e mirë. Po themi që nga largimi i LSI-së nga qeverisja me zotin Rama do të shikoni që vendet e Shqipërisë kanë shkuar shumë shumë më poshtë, gati me vendet e Afrikës për sa i përket korrupsionit, për sa i përket shpërdorimit të parave publike e të tjera. Pavarësisht se njerëzve u është krijuar koncepti që për këtë ka qenë fajtore LSI-ja. Por në fakt doli dhe ka rezultuar, dhe nuk janë as analizat dhe sondazhet tona, por janë analizat e institucioneve ndërkombëtare, qofshin këto nga Banka Botërore, Transparency International e shumë e shumë të tjera të cilat janë ato që kanë treguar rënien drastike të vendeve të Shqipërisë për sa i përket kualifikimeve.

A ndiheni pak në siklet apo faj për këta deputetë që pranuan mandatin?

Jo nuk ndihem në siklet dhe në faj. Mendoj që kjo është dhe një nga arsyet që në si LSI edhe në takimet tona që kemi pasur dhe që jemi këtu në bashkëpunim me NDI, do të ecim me procesin e Vettingut brenda partisë. Sepse ne e kërkuam për t’u bërë Vettingu në politikë, nuk u pranua nga mazhoranca, atëherë ne do ta bëjmë brenda partisë Vettingun. Ku kandidatët të cilët do të përfshihen në listat e LSI-së, qofshin këta për këshillat bashkiakë, apo qofshin këta edhe për listat e deputetëve, duhet të kenë jo vetëm të kaluar të pastër, por edhe të mos kenë konflikte të caktuara me grupe interesi, qofshin këto edhe të biznesit apo individë që kanë një të shkuar të errët.

Meqë dolëm tek Vettingu, LSI akuzohet për korrupsion nga disa individë aktiv apo pasivë gjatë qeverisjes. A ka një përgjegjësi LSI për këtë?

Unë mendoj që nuk mund të themi që LSI-ka ka përgjegjësi, por LSI-ja është e gatshme dhe i bën thirrje çdo individi që në qoftë se ka diçka, jo vetëm të shkojë në Prokurori, por edhe ta denoncojë.

 Beson tek kjo drejtësia e kapur që ta denoncojë?

Nuk besoj tek drejtësia, sa besoj tek drejtësia e Zotit. Një njeri që vjedh paratë e fukarait ja jep Zoti aty ku i dhemb shpirti. Dhe nuk kam besuar kurrë te drejtësia njerëzore, sepse drejtësia njerëzore, pavarësisht se jam politikane dhe jam e detyruar të them, drejtësia njerëzore gjithmonë ka ngjyrime nga më të ndryshmet, qofshin këto politike apo emocionale. Ndërsa drejtësia hyjnore është ajo për të cilën do të paguajmë një ditë. Por ajo që mendoj unë dhe që është shumë e rëndësishme është që ne si LSI e kuptojmë sepse kemi qenë një parti e re, kemi pasur njerëz të cilët nuk e kanë bërë punën siç duhet. Por ama ka dhe një gjë tjetër. Në krahasim me partitë e tjera politike, sigurisht që për asnjë nga partitë e tjera nuk thotë që këta i ndihmojnë njerëzit, i mbajnë njerëzit e tyre, në qoftë se ke një hall troket në derën e tyre. Ndërsa për LSI-në njerëzit thonë që nëse je i LSI-së ata i mbajnë njerëzit e tyre. Kështu që edhe të jesh i korruptuar edhe t’i mbarosh punë njerëzve sikur nuk ecin të dyja bashkë. Por të mos harrojmë vetëm një gjë. Propaganda ka qenë jashtëzakonisht e madhe kundër LSI-së. LSI-ja ka prishur interesa, ia ka prishur partive të mëdha. Pavarësisht se dje ishim në koalicion me Partisë Socialiste, sot jemi në koalicion me Partinë Demokratike. Mendoj që sistemit politik shqiptar duhet t’i vijë një epokë e re. Duhet të vijë një epokë ku njerëzit të votojnë, të kenë mundësi për t’u zgjedhur dhe t’i japin shanse dhe mundësi të gjithëve. Por ne përderisa vazhdojmë akoma në tranzicion, përderisa kemi një opozitë e cila bojkoton Parlamentin, bojkoton zgjedhjet, e cila djeg mandatet dhe bën një veprim tepër ekstrem për vendet në demokraci, do të thotë që ne vazhdojmë të jemi në tranzicion dhe ne vazhdojmë të kemi një punë shumë të madhe për të bërë përpara.

 Në syrin e medias ju dhe Partia Demokratike keni një raport shumë të mirë, a është kjo dhe jashtë saj?

Ne jemi rakorduar me Partinë Demokratike, jemi gjithmonë në konsultime, të gjitha vendimet i marrim bashkërisht, sigurisht që konsultohemi dhe me grupet tona dhe me aleatët. Kemi dhe këndvështrime të ndryshme përsa i përket po themi axhendës së një proteste dhe aksioneve te ndryshme.  Por pavarësisht kësaj qëllimi është i njëjtë dhe në fund të ditës rakordohemi të gjithë por mos të harrojmë që Partia Demokratike është parti e djathtë, Lëvizja Socialiste për Integrim është qendër e majtë dhe situata në të cilën është Shqipëria i ka bashkuar sot të majtë e të djathtë dhe njerëzit nuk diskutojnë më ideologji dhe nuk kanë më ndarje ideologjike, njerëzit janë për një qëllim dhe në fund të fundit pavarësisht se është shumë personale ajo që mund të them njerëzit e bëjnë për të shpëtuar fëmijët e tyre nga situata më e poshtër që po kalon Shqipëria që pas 97-ës. Dhe kjo është arsyeja që sot janë bashkuar të gjithë bashkë pa dallim të bindje politike sepse e kanë harruar partitë, kanë harruar flamujt dhe kanë vendosur si parim kryesor familjen. Sot shqiptarët duan ti rikthehen familjes, sepse vetëm kjo është e ardhmja sepse një familje e shëndoshë do lindi fëmijë dhe këta fëmijë do rriten dhe do të punojnë dhe do të bëjnë dhe ata familjen e tyre dhe kështu me radhë pra kështu mbahen kombet. Nuk mund ti mbash kombet pa pasur një familje të konsoliduar.

 Jemi në minutat e fundit të emisionit dhe do të doja një mesazh për të gjithë shqiptarët që jetojnë në amerikë dhe për televizionin e ri që sapo është hapur Nova Media…

Për televizionin iu uroj gjithë të mirat dhe u bëfshit ndërkombëtarë dhe me thënë të drejtën më vjen shumë mirë për ju edhe për Arjanin, të cilët i keni dhënë shansin shqiptarëve për të dëgjuar shqip në SHBA dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Ajo që them unë dhe iu kërkoj shqiptarëve të Amerikës është që sa herë të flisni me njerëzit tuaj në Shqipëri  t iu thonë që duhet të marrin fatet e tyre në dorë, mos i’ua lejnë fatet e tyre as Monikës, as Lulzim Bashës, as Edi Ramës dhe asnjeriu tjetër. Ti marrin fatet e tyre vetë në dorë dhe të vendosin vetë për veten e tyre dhe mos të lejojnë të tjerët të bëjnë si të duan me Shqipërinë dhe mos të lejojnë politikanët të bëjnë si të duan. Por t;iu kërkojnë miqve dhe të afërmve të tyre që sado pak të gjithë të ndikojnë sado pak për të ndërtuar atë sistem që ka nevojë Shqipëria, është e vështirë dhe të mos harrojmë që 50 vite të komunizmit e kanë çbërë vlerat e sistemit dhe na duhen dhe 50 vite të tjera pas çbërjes. Kështu që po të organizohemi mirë mund ta bëjmë shumë shpejt.