Ministri Peleshi përgënjeshtron ministrinë e vet për midhjet e Butrintit

121
Pardje ish-ministri i Bujqësisë Prof. Edmond Panariti akuzoi institucionet e Ministrisë së Bujqësisë për lajmin e përhapur se midhja e Butrintit është me salmonelë. Prof. Panariti tha: “Në pragun e sezonit, kur midhja e Butrintit përgatitet të jetë në menynë dhe pjatat e mijëra turistëve që po frekuentojnë plazhet tona, doli lajmi i bujshëm. “Midhja e Butrintit me salmonelë”!!! Ndal konsumit te saj!!! Ndërkohë, asnjë raport zyrtar analitik mbi ngarkesën bakteriale, serotipin e identifikuar, mostrat e mbledhura metodën zbuluese të përdorur, si ku, nga? Pse tani?! Po më parë?!..Asnjë prononcim sqarues, shterues nga institucioni monitorues dhe analizues. Shkurt një bllof, i pastër për të nxjerrë nga loja midhjen më cilësore të Mesdheut…duke dëmtuar ata dhjetëra prodhues, që kanë pritur pikërisht këtë çast për të fituar nga mundi i një viti të tërë përpjekjesh dhe shërbimesh!!… Por mos të mërziteni të dashur turistë vendas dhe të huaj. Pa merak!! Nuk do mbeteni pa “molusqe” dhe fruta deti, sepse sapo na erdhi një ngarkesë e bollshme e tyre nga importi.”

Dje, ministri i Bujqësisë Peleshi përgënjeshtroi institucionet e Ministrisë së Bujqësisë, madje e quajti mashtrim lajmin, por nuk guxoi që të ngarkonte fajin e mashtrimit të lajmit mbi institucionet që ai ka në varësi, por, përkundrazi, sipas ministrit Peleshi, fajtori është askushi dhe gjithkushi. Ministri Peleshi nuk e mori mundimin as të bënte deklaratë publike, por nga rrjeti social, thotë: “Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë bllokim të tregtimit të midhjeve. Ka një detyrim të pazbatuar më parë (për këtë ish-ministri duhet të japë llogari) që midhjet duhet të pajisen me certifikatë veterinare duke kaluar nga qendra e depurimit në Butrint. Ne thjesht po e disiplinojmë këtë përmes AKU duke i bërë midhjet më të sigurta për konsumatorët. Nuk duam të gjobisim restorantet për një rregull që nuk është zbatuar, jo për fajin e subjekteve, për vite me radhë. Ndaj AKU është në një proces sensibilizimi. Ne e quajmë arrogancë edhe ushtrimin e të drejtës ligjore të sanksioneve për shkelje që vetë institucionet i kanë lejuar duke i kthyer në normë”.