Ministri Panariti: Mbërritën 50 mijë copë vaksinave për Dermatozen Nodulare

69

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave,
Z.Edmond Panariti, njoftoi sot, gjatë një komunikimi me mediat, mbërritjen e 50
mijë copë vaksinave ndaj sëmundjes së gjedhit (Dermatoza Nodulare), duke
garantuar se është siguruar e gjithë sasia e nevojshme.

“E gjithë sasia e vaksinës ndaj Dermatozës Nodulare, tashmë është
siguruar. Duke filluar nga nesër, nis vaksinimi në të gjithë vendin”, deklaroi
Panariti, duke theksuar se, “i gjithë procesi do të mbikqyret nga Drejtoritë e
Bujqësisë dhe Shërbimi veterinar”. Më tej, Ministri Panariti deklaroi se, “vaksinat
do të jenë falas për të gjithë fermerët, por së pari do të nisë edhe
regjistrimi, identifikimi i kafshëve që nuk janë të matrikulluara. Kafshët do të
vaksinohen sipas kritereve shumë rigoroze. Do të mbahet dokumentacion i
rregullt, rigoroz, për garantimin e gjithë gjurmueshmërisë së procesit, ku do të
firmosin dhe fermerët”.

Në deklaratën për mediat, Z.Panariti spjegoi se, vaksina është për
parandalimin e sëmundjes së gjedhit dhe nuk është profilaksi, që shëron kafshët
e prekura. “Fermerët duhet të jenë edhe vetë të kujdesshëm, duke filluar që na
higjiena e kafshëve të tyre, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Vaksinat shërbejnë për kafshët e paprekura, ndërsa ato që tashmë janë prekur, vetëm
mjekohen dhe pavarësisht punës tonë, të shërbimeve veterinare, fermerët duhet të
kujdesen edhe vetë për kafshët e tyre të sëmura”, deklaroi ministri.

Ministri Panariti sqaroi për mediat dhe opinionin publik edhe rastin e përhapur
në media një ditë më parë, se kafshë të ngordhura apo të prekura nga Dermatoza
Nodulare, po shiten për fabrikat e përpunimit të mishit, për t’u bërë sallam.
“Lajmi është i pavërtetë. Ne e morëm shumë seriozisht këtë njoftim, megjithëse
ne, në mënyrë sistematike, shumë rigoroze, monitorojmë çdo ngordhje dhe jemi
aty me trupat veterinare, për të kontrolluar e verifikuar procesin e
asgjesimit, groposjes së saj. Përfaqësues të Shërbimit Veterinar edhe të
strukturave të drejtësisë, shkuan për të verifikuar rastin në fjal dhe rezultoi
se, nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë mes. Për hir të së vërtetës, me të
drejtë, kjo shkaktoi tronditje në opinionin publik. Ndaj kërkoj që, para se të
publikojnë lajme të tilla, të verifikojnë saktësinë e lajmit, pasi përphapin
panik të paqenë te konsumatori”, theksoi Panariti.

Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë që morën kontakt me fermeren në Rrapëz
të Lushnjës, veridikuan se kafsha ka qenë e sëmurë nga hemoragjia, jo nga
Dermatoza Nodulare, e kontrolluar mja mjeku veteriner dhe vetë fermerja që më
parë doli në media, ka pohuar se e ka bërë deklaratën nën presionin e fshatit
dhe e shtyrë nga hidhëzimi i humbjes së kafshës.

I pyetur në lidhje me numrin e kafshëve të ngordhura dhe kompensimin e
tyre, Ministri deklaroi se, qëkurë u shfaq kjo sëmundje e deri tani, janë rreth
900 kafshë të ngordhura, për të cilat Ministria e Bujqësisë ka kërkuar një fond
shtesë nga qeveria në buxhetin e 2017, ose nga Fondi i Emergjencave, për
kompensimin e tyre, po me kafshë të gjalla, rraca të përzgjedhura.