Ministri gjerman: Shqipëria në udhëkryq, çfarë rrezikon vendi nëse opozita nuk hyn në zgjedhje

434
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka përcjellë mesazhe të forta ditën e sotme për opozitën dhe politikën shqiptare në tërësi. Gjatë një konference të përbashkët me homologun shqiptar Ditmir Bushati, i dërguari i Merkel është shprehur kundër bojkotit të opozitës.

Gabriel thotë se opozita duhet t’i bashkohet Kuvendit për të vijuar me reformën në drejtësi, ndërsa shton se pjesëmarrja në zgjedhje është për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në të kundërt, sipas tij rrezikohet e ardhmja e shqiptarëve dhe integrimi i vendit në BE.

“Nëse Parlamenti vijon të bllokohet dhe po kështu reforma në drejtësi, atëherë rruga drejt BE po të vështirësohet, dhe edhe jeta e qytetarëve shqiptarë do të bëhet me i vështirë. Interesi kombëtar i një opozite nuk duhet të jetë kaosi i vendit. Kreu i opozitës mund të bëjë propozimet e tij për zgjedhje të lira e të ndershme. Por bojkoti nuk është zgjidhje”, tha ministri gjerman.

Sakaq, ministri i Jashtëm shqiptar, duke u ndalur tek reforma në drejtësi, tha se ajo u votua me unanimitet nga të gjitha palët politike. Për Bushatin, realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR është jo vetëm një kusht për integrimin e vendit, por edhe një çështje me rëndësi për vetë shqiptarët.

“Më 21 korrik të vitit ët kaluar të gjithë aktorët politikë përfshi PD kemi votuar në Parlament paketën e ndryshmeve kushtetuese me unanimitet të plotë. Kjo paketë i ka hapur rrugë reformimit të drejtësisë shqiptare, ngritjes së institucioneve të reja, përmirësimit të institucioneve ekzistuesve, verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe krijimit të një prokurorie të posaçme për të gjurmuar rastet e korrupsion mes zyrtarëve të lartë. Investimi që kanë bërë ndërkombëtarët për këtë proces të rëndësishëm, është momenti që ne ta vlerësojmë dhe t’ua shpërblejmë. Reforma në drejtësi ka një rol kyç edhe për reformat e tjera, dhe për çështjet e sigurisë në një rajon që sot për fat të keq ndihet më i trazuar.

Për zgjedhjet e 18 qershorit përsëris qëndrimin e kryeministrit Rama, se ne jemi të gatshëm të zbatojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR për të krijuar një infrastrukturë zgjedhore sa më të besueshëm që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha ministri Bushati.
Sigal