Minatorët ende pa statusin e tyre, qeveria premton

578
Sigal

Minatorët janë ende pa ligjin e statusit, edhe pse qeveria u ka premtuar disa herë, se e ka gati projektligjin. Minatorët, duke parë se qeveria nuk bëhet merak, kanë protestuar, duke paralajmëruar edhe për greva të mëdha. Madje, para disa ditësh, minatorët protestuan edhe para kryeministrisë, ku kryeministri Rama u premtoi një takim në javët në vijim, premtim akoma i papërmbushur. Dje, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Gjiknuri ka premtuar se së shpejti dikasteri që ai drejton dhe Ministria e Financave do të hartojnë një projektligj të plotë për statusin e minatorëve. Në interpelancën që pati me një përfaqësi banorësh dhe minatorësh në zonën e Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit mbi politikat e qeverisë mbi nxitjen e industrisë përpunuese, Gjiknuri tha se, aktualisht ka një draft në Ministrinë e Financave për çështjen e statusit. Ai deklaroi se në përfundim statusi do të jetë për të gjitha kategoritë dhe jo i ndarë në grupe. Damian Gjiknuri: “Sot që flasim, ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave dhe së fundmi së bashku me këtë ministri duam të bëjmë një draft me një projektligj të konsoliduar në mënyrë që të kemi një zgjidhje të përgjithshme dhe një zgjidhje të pjesshme, ku ngrihet një grup dhe kërkon një privilegj, një trajtim të posaçëm për shkak të profesionit që ka.”