Vangjush Saro: Një vend plot hileqarë

184
Sigal

 

Vendi po qeveriset sërish me hile. Përzgjedhjet e Kryeministrit Rama, në të gjitha mandatet e tij, janë njëlloj loje: Njëherë ai e mbushi kabinetin me zyrtarë që vinin nga Kosova. Propagandë dhe asgjë tjetër. Këtë here, e mbushi me femra

 

Kryeministri (dhe ata që i vijnë përqark) po përpiqen të bindin publikun se ka(në) formuar një kabinet shumë të mirë. Bindja vjen ngaqë në këtë ekip janë shumë femra; dhe këtu fillon e mbaron loja dhe hileja. Vendi po qeveriset sërish me hile. Dhe unë nuk di të them nëse këtë punë e kemi në gjak apo e patëm mësuar kohë pas kohe. (Edhe dikur po këto lojëra bëheshin: me pjesëmarrjen e femrave në jetë e në qeverisje, por kryesisht dhe më së pari me… përzgjedhje nga klasa punëtore. Sidoqoftë, ishte njëlloj propagande. Në shumicën e rasteve, të zgjedhurit ishin njerëz të aksionit dhe jo të mendjes e të meditimit, ishin lejfena që shkonin qorrazi pas udhëheqësit dhe mund të bënin çdo punë (e çdo krim) në emër të tij.)

Përzgjedhjet e Kryeministrit Rama, në të gjitha mandatet e tij, janë njëlloj loje: Njëherë ai e mbushi kabinetin me zyrtarë që vinin nga Kosova. Propagandë dhe asgjë tjetër. Këtë here, e mbushi me femra. Le të marrim për një moment kahjen e besimit dhe të shpresës. Kjo qeveri ‘amazonash’ mbase do të punojë mirë, kush e di; femrat nga natyra janë më të devotshme dhe më të besueshme se meshkujt. Por hileja mbetet hile, sepse edhe ajo që do të gatuhet gjatë kësaj qeverisjeje është pak a shumë e ditur: ‘kryekuzhinieri’ është po ai, pikësynimet janë po ato, ndërkohë që shpesh emrat e rinj kanë treguar se qasen pa pikën e dinjitetit. (“Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.” Pushkin.)

 

Pyetje: Do ta ndalojnë dot këto femra farsën e tenderave? Do ta ndalojnë dot ‘lugatin’ që vjedh pareshtur hapësirat publike dhe ndërton kulla në Tiranë e përqark saj? (“Një fëmijë tha: Ç’është bari?” W. Whitman) E vështirë. Parimi kryesor i qasjes në qeveri të tilla është pak a shumë heshtja, ulja e kokës, rendja pas shakave të shefit… Ja pse kemi të bëjmë sërish me një hile. Ajo që kanë jetuar në disa kohë, i ndjek pas qytetarët, për të mos thënë i tremb…

Ne mbetemi kështu, jetë e mot, në njëlloj loje e hileje. Aty nga mesi i viteve ‘80, aspiroja të punoja në një revistë të njohur, në përshtatje me prirjet edhe botimet e mia. Por s’ia gjeja dot anën kryeredaktorit, ashtu e kam natyrën. Një miku im ia gjeti anën: herë me arra e herë me mjaltë. Ai e priste kryeredaktorin atje poshtë te shkallët, duke rëshkitur si hije, ditë pas dite, natë pas nate. Dhe dikur, e kapi atë vend. Ja u krijua qeveria, ashtu… revista. (Në fakt, tani ai individ nuk është as shkrimtar, as gazetar; është thjesht një hije.) Po a ndërtohet qeveria, revista pra, me hije?

Hileja është e trashëguar. Ajo na shoqëron në soj-soj gjeste dhe episode. Nuk e hoqëm dot qafe në fillim të viteve ‘90, nuk po e heqim qafe as sot. Aplikuam një sistem të gabuar, atë të njohjeve, të dosjeve, të kokëulurve. Qeveritë bëhen me miqësi. Institucionet bëhen me miqësi. Punësimet bëhen me miqësi. Nderimet bëhen me miqësi. Zhvillohet një konkurs dhe Kryetari i Jurisë, një gjojashkrimtar, bashkë me zavallët që e ndjekin pas, vendosin: nga katër apo pesë çmime, dy i marrin miqtë e deklaruar, pavarësisht arritjeve; ndërkohë, edhe ndonjë botues, anëtar i kësaj palo jurie, do edhe ai një copë (një çmim) për të atë librin mediokër që ka botuar dikushi duke paguar një tufë me lekë. Kështu, vërtet disa të mjerë janë lumturuar për pak apo kanë fituar ndonjë kockë, por realisht kemi ndërtuar një mur antivlerash. Jemi gjithë në kufijtë e nën hijen e hileve.

Një jetë e tërë në hile. Hile për të ‘mirat’ e Socializmit. Hile për firmat piramidale. Hile për miqësinë me Amerikën. Hile për ‘urbanizimin’. Sistemi i hijeve dhe i hileve po pengon zhvillimin e vendit. Fundja, ka rëndësi edhe gjer ku shkojnë e sa vend zënë ato; (njëfarësoj e shtyjnë njerëzit me ndonjë hile tek-tuk, bota s’është e përsosur). Por në dekada, e kur gjithë sa jetohet është më së shumti hile, atëherë grishja për të ndryshuar bëhet tronditëse, këmbanat nuk pushojnë… (“Si mund të gjesh kënaqësi në botë, nëse nuk e ke atë për strehë?” F. Kafka.)