Shqiptaret shpenzuan privatisht 110 mld. lekë për shërbime mjeksore në pandemi

93
Sigal

Të dhënat e Fondit të Sigurimeve Shëndetsore dhe bilancet e kompanive shëndetsore tregojnë se gjatë vitit të pandemisë, shteti ka shpenzuar vetëm 4% më shumë se buxheti i zakonshëm. Ndërkohë  qytetarët kanë paguar nga xhepat duke  kanë marrë edhe kredi për diagnostikimin e covid, skanerin, analizat e laboratorëve dhe blerjen e ilaçeve mbi 90 milion euro. Sipas BB dhe EUROSTAT vendi ynë është i vetmi në Europë ku 45% paguajnë nga xhepi dhe vetëm 55% i paguan shteti

13.5% e shqiptarëve vetë-deklaruan në vitin 2019 se ata nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta.

Shifrat janë publikuar në sistemin e të dhënave të Eurostat. Pesha është rritur në krahasim me 2017-n, viti i parë që ka raportuan Eurostat për Shqipërinë, kur ky tregues ishte 12.5%. Përqindja më e lartë është në Veri, me 21.3%.

Më pas renditet Jugu i vendit me 11.6% dhe më të ulëtën e ka Qendra, me 9.3%.
Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, përqindja e personave që vetë-deklarojnë se nuk kanë mundësi të kryejnë ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta, është shumë më e lartë.

Pas nesh renditet Kosova, me 8.45 (për vitin 2018), Serbia e ka këtë tregues 2.6%, Turqia 2.4%, Maqedonia e Veriut 1.6%, Mali i Zi 0.1% (për vitin 2018). Të lartë e ka këtë tregues edhe Greqia, në 7.5%, ndërsa për vendet e tjera të Europës nuk shkon më shumë se 4%. P.sh. në Itali, përqindja e personave në pamundësi për t’u ekzaminuar është 1.3%, ndërsa në Spanjë, Maltë, Suedi, Slloveni është zero.

Të tjerë tregues të Bankës Botërore, me të dhëna më të hershme, nxjerrin në pah se Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë (të dhënat e 2014), ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi arrijnë 50% për shqiptarët, më të lartat në rajon dhe në krahasim me mesataren europiane, ndërsa shpenzimet publike për frymë për shëndetësinë ishin 304 dollarë, më të ulëtat në rajon dhe shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së.

Shqipëria renditet edhe në vendin që kishte më pak mjekë për 10 mijë banorë në Europë, edhe në vitin 2019, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara në shkurt 2021, me treguesi që është 16.5. Ndonëse me rritje, në krahasim me vitin 2016, kur ky tregues ishte 12.2, sërish Shqipëria ka më pak mjekë në dispozicion të popullatës së saj, të paktën dy herë më pak se mesatarja e Europës prej 47.6 mjekësh për 10 mijë banorë.

Këta faktorë ndikuan negativisht gjatë periudhës së pandemisë. Deri në fund të marsit 2021, Shqipëria renditej në vendin që kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë. Duke përfshirë dhe tremujorin e parë të vitit 2021, vdekjet për 54 javë pandemi (për periudhën nga 2 marsi 2020 deri në 15 mars 2021) u rritën me 41%, ndërsa shteti i dytë pas nesh me rritjen më të lartë është Çekia, me 25% e ndjekur nga Sllovakia me 24%.

Eurostat: Pandemia nxori në pah pabarazitë

Për shtetet e Bashkimit Europian, ky treguesi i pamundësisë për mos marrjen e ekzaminimeve shëndetësore është matur edhe për vitin 2020. Sipas Eurostat, pandemia e COVID-19 ka nxjerrë në pah pabarazitë sistemike si midis Shteteve Anëtare të BE-së ashtu edhe brenda tyre. Ndërsa disa njerëz patën fatin të vazhdonin të punonin me kohë të plotë nga shtëpia (dhe në disa raste madje ishin në gjendje të kursenin më shumë nga të ardhurat e tyre se zakonisht), punonjësit e vijës së parë dhe kryesore u përballën me rreziqe të mëdha shëndetësore.

Shumë njerëz në punësim të pasigurt ose që punojnë në sektorë/biznese të ndikuar nga bllokimet e njëpasnjëshme u përballën me të ardhura të reduktuara, punë me kohë të shkurtër (skema pushimi/pushim të përkohshëm/papunësi teknike) dhe papunësi. Sipas Eurostat, ndikimi asimetrik i pandemisë në shumë raste ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese: disa grupe në shoqëri janë prekur shumë më ashpër se të tjerët, për shembull, të moshuarit, të rinjtë, prindërit e fëmijëve të vegjël (veçanërisht prindërit e vetëm), ata që marrin rroga të ulëta, gra, emigrantë ose persona me aftësi të kufizuara.

Shqiptarët shpenzuan mbi 90 milionë euro për shërbime mjekësore private në pandemi

 

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore për vitin 2018, rreth 45% e shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor janë drejtpërsëdrejti nga xhepi, ndërsa 55% janë shpenzime përmes sistemit të taksimit.

Të dhënat e FDSKSH-së dhe ato të bilanceve të kompanive shëndetësore tregojnë se gjatë vitit të pandemisë, shpenzimet e sektorit publik për shëndetësinë u rritën me vetëm 4%. Përkundrejt kësaj, shqiptarët shtuan shpenzimet për kujdes shëndetësor privat, duke paguar miliona euro vetëm për diagnostikime për COVID-19.

Laboratorët që ofruan të parët analizat për COVID-19 në Shqipëri rezultuan përfituesit më të mëdhenj financiarë të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, i cili shënoi rritje të konsiderueshme të shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor privat dhe një rritje anemike të shpenzimeve në sektorin publik.

Të dhënat financiare të kompanive kryesore në sektorin e shërbimeve shëndetësore private si dhe të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vënë në dukje kontrastin mes rritjes së shpenzimeve të qytetarëve në sektorin privat si dhe rritjen me vetëm 4% të financimeve për sektorin shëndetësor publik.

Të dhënat e analizuara nga BIRN janë të pjesshme, pasi në llogaritje u morën parasysh vetëm 11 subjekte tregtare, kryesisht spitale private si dhe laboratorë të licencuar për kryerjen e testimeve për COVID-19.

Shpenzimet e qytetarëve për ilaçe të blera pa rimbursim apo në gjysmëilegalitet apo pagesat për kujdes shëndetësor në shtëpi nuk është e mundur të maten. Po kështu, shpenzimet për kurim jashtë vendit vetëm sa mund të merren me mend.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore për vitin 2018, rreth 45% e shpenzimeve të shqiptarëve për kujdes shëndetësor janë drejtpërsëdrejti nga xhepi, ndërsa 55% janë shpenzime përmes sistemit të taksimit.

Nga ana tjetër, sektori publik shpenzoi 42.8 miliardë lekë për shëndetësinë sipas të dhënave të Fondit, ku përfshihen edhe shpenzimet për koncesionet kontroverse të sektorit të shëndetësisë. Shpenzimet e sektorit publik u rritën me 4.1% në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Fondit.

Laboratorët fitues

Shqiptarët shpenzuan së paku 92 milionë euro gjatë vitit 2020 për shërbime spitalore dhe diagnostikuese private me një rritje prej afro 15 milionë eurosh ose 19%, sipas të dhënave financiare të 11 kompanive të analizuara për këtë shkrim. Pjesa më e madhe kësaj rritjeje duket se erdhi nga shpenzimet e shqiptarëve për analiza, veçanërisht në kompanitë e licencuara për analiza të koronavirusit të ri.

Qeveria shqiptare licencoi disa laboratorë privatë në gusht 2020 për të kryer testime për koronavirus për “qëllime administrative’. Gjithsej, dhjetë subjekte private janë licencuar deri më sot për këto testime. Disa nga laboratorët kanë nisur punë këtë vit.

Genius Lab, Spitali Gjerman, Intermedica dhe BIOCHECK ishin disa nga laboratorët që panë të ardhurat dhe fitimet e tyre të shumëfishohen gjatë vitit të pandemisë. Spitali Gjerman rriti të ardhurat me shtatë herë, ndërsa Genius Lab me pesë herë. Intermedica shënoi rritje të fitimeve me 2.7 herë.

Mes spitaleve, Spitali Amerikan shënoi rritje me 12% të të ardhurave, ndërsa International Hospital, (ish-Hygeia), shënoi një rritje në masën 4%. Këto janë spitalet më të mëdha private në Shqipëri dhe gjatë vitit 2020 patën së bashku të ardhura në masën 8.7 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, sektori publik shpenzoi 42.8 miliardë lekë për shëndetësinë sipas të dhënave të Fondit, ku përfshihen edhe shpenzimet për koncesionet kontroverse të sektorit të shëndetësisë. Shpenzimet e sektorit publik u rritën me 4.1% në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Fondit.

Ndryshe nga laboratorët e analizave, bilancet e spitaleve kryesore në vend nuk shfaqin ndonjë rritje mbresëlënëse apo fitime të larta. Përkundrazi, duket se ndryshe nga diagnostikimi, rritja e të ardhurave në spitalet private është shoqëruar me rritje të konsiderueshme të shpenzimeve. Të gjashta spitalet kryesore private në vend, Spitali Amerikan, International Hospital, Salus, Spitali Europian dhe Spitali Gjerman janë me humbje.

Spitali Amerikan e mbylli vitin me afro 190 mijë euro humbje, një humbje modeste kjo në krahasim me vitet e shkuara. Kompania ka kapital aksioner të derdhur prej 2.9 miliardë lekësh ndërsa humbjet e akumuluara janë në masën 1,3 miliardë lekë.

Me humbje rezultoi edhe Spitali Kontinental, i cili është nën pronësinë e Fondacionit Firdeus. Firdeus e bleu këtë spital për 350 mijë euro në vitin 2019.

Shqipëria u prek nga pandemia e koronavirusit në mars të vitit 2020 ndërsa që nga ajo kohë, kapacitetet e sektorit publik për të kryer analiza kanë qenë të kufizuara dhe qeveria nuk ka shprehur ndonjë interes për t’i rritur ato.

Në korrik 2020, ndërsa shqiptarët ishin nën stresin e të qenit apo jo të infektuar dhe sektori publik nuk i përgjigjej në kohë kërkesave për analiza, një duzinë zyrtarësh të sektorit publik u arrestuan nga policia pas disa përgjimeve që tregonin se qytetarë të dëshpëruar kishin qenë të gatshëm të paguanin nën dorë për marrjen e një testimi për COVID-19.

Një muaj më vonë, qeveria autorizoi disa laboratorë privatë për kryerjen e testimeve të COVID-19 “për qëllime administrative”. Supozohej se këto laboratorë do të testonin qytetarët vetëm kur këta të fundit të kishin nevojë për test negativ për të udhëtuar. Por ndërkohë, kapacitetet testuese të sektorit publik mbetën të pamjaftueshme ndërsa me një vendim kontrovers, qeveria vendosi të deklarojë në dhjetor në statistikat e testimeve testet e kryera në sektorin privat dhe ato në sektorin publik.

Edhe sot, statistikat zyrtare nuk bëjnë dallim mes testimeve të kryera nga sektori publik si pjesë e luftës kundër pandemisë apo atyre të kryera në sektorin privat që teorikisht vijojnë të kryhen vetëm për qëllime administrimi.

Viti 2021 ka gjasa do të jetë edhe më i mbarë për sektorin shëndetësor privat. Shqipëria përjetoi valën më të madhe të pandemisë gjatë muajve të parë të këtij viti, ndërsa po përjeton një valë të katërt të shkaktuar nga varianti Delta prej mesit të gushtit./Gjergj Erebara