Meta: Reforma në arsim, rritje e cilësisë së institucioneve

519
Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave në Universitetin “A. Xhuvani”, në Elbasan. Kryeparlamentari tha se vendi ynë është në një rrugë të rëndësishme drejt BE-së dhe se Reforma në Arsim do të thotë rritje e cilësisë së institucioneve. “Duke kthyer sytë nga arsimi i lartë, japim garanci për Shqipërinë europiane. Shqipëria kërkon që brezi i ri të zhvillojë arritjet e tij e t’i përshtasë me tregun e punës . Arsimi duhet të jetë cilësor, ligji i ri ju afron me tregun e punës “, u shpreh ministrja e arsimit,  Nikolla.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
Në radhë të parë unë do të doja të falënderoja profesor Altinin për ftesën që më bëri si dekan i Fakultetit dhe rektorin e Universitetit të nderuar që mban këtë emër të jashtëzakonshëm të “Aleksandër Xhuvanit” sepse më dhatë mundësinë për të ndarë edhe unë gëzimin jo vetëm me studentët dhe studentet që janë këtu, por edhe me familjarët e tyre dhe padyshim edhe me stafin akademik të fakultetit tuaj, por edhe të universitetit.
Sigurisht që kjo ceremoni diplomimi është shumë e rëndësishme për të gjithë studentet dhe studentët që diplomohen sot, pasi është kurorëzimi i një investimi të jashtëzakonshëm, jo vetëm individual, por edhe familjar dhe mbi të gjitha edhe shoqëror. 
Ndaj dua t’ju përgëzoj për këtë arritje, për këtë sukses dhe njëkohësisht jam i bindur se ambiciet tuaja, edhe akademike, edhe profesionale nuk përfundojnë me këtë diplomim, por ju duhet t’i vazhdoni të gjitha etapat me vendosmëri edhe më tej. 
Padyshim që një falënderim të veçantë dhe një urim të veçantë, unë do t’jua bëj të gjithë prindërve tuaj sepse ju jeni mjaft të lumtur dhe mjaft të gëzuar, por të jeni të sigurt se prindërit tuaj janë edhe më të lumtur, edhe më të gëzuar se ju sepse investimi në edukimin e fëmijëve, është investimi më i rëndësishëm që bën çdo prind në jetën e tij dhe për familjen e tij. 
Vendi ynë padyshim është në një rrugë të rëndësishme dhe të pandalshme që i kemi zgjedhur prej 25 vitesh, atë të integrimit evropian dhe padyshim që pozicionimi ynë si vend anëtar i Bashkimit Evropian nesër, do të jetë veçse produkt i aftësive tona për të konkurruar me efikasitet dhe me sukses në të gjitha fushat për të ofruar vlera më cilësore.
Nuk mund të ofrojmë vlera më të larta cilësore në të gjithë fushat e tjera, përfshirë këtu edhe ekonominë që mbetet vendimtare, pa afruar në radhë të parë vlera më të larta, cilësore në fushën e arsimimit dhe të edukimit., çka është edhe qëllimi kryesor edhe i reformës në të gjithë sistemin tonë arsimor, e sidomos në atë të arsimit të lartë. 
Ne i shohim që dallgët e krizës financiare ndërkombëtare, e sidomos evropiane, janë në rënie, por nuk janë në shuarje. Sfidat mbeten të mëdha dhe Europa mbetet gjithashtu e prekshme me zhvillimet gjeopolitike në rajonet e tjera fqinje, sikurse po vërtetohen edhe valët migratore si rezultat i konflikteve.
Ndaj për vendin tonë sfidat tona mbeten shumë të mëdha, dhe mbi të gjitha duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ekonomia jonë ka mundësi të rritet akoma më shumë. Ndaj dhe modeli ynë ekonomik, ku rritja e prodhimit vendas duhet të jetë edhe më parësore, ku vlerat e krijuara nga resurset tona natyrore duhet të vijnë në rritje si rezultat i përpunimit të tyre në vend, ku industritë dhe shërbimet realizohen me standardet më të larta dhe më të besueshme, ku investimet dhe shpenzimet publike të alokohen në mënyrë të veçantë në ata sektorë që kontribuojnë më shumë në rritjen ekonomike dhe në punësimin e qëndrueshëm, ku investimi në arsim e sidomos në arsimin profesional nuk duhet konsideruar si shpenzim, por si investim i mirëfilltë me kthim të sigurtë dhe me mjaft interes për të gjithë shoqërinë, në një model ekonomik që ka nevojë të forcojë më tej identitetin tij dhe të japë frytet gjithnjë e më shumë, në drejtim të rritjes ekonomike e sidomos të punësimit, çka është edhe synimi juaj menjëherë pas këtij diplomimi që ndodh sot.
Ndaj pjesë e përballimit të këtyre sfidave tashmë jeni edhe ju të dashur diplomantë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është shumë pozitive që Fakulteti ku ju po diplomoheni ofron programe studimi të cilat janë me profile të dyfishta, si për shembull Ekonomia dhe e Drejta, Ekonomi- Turizëm, Informatikë Ekonomike dhe Administrim Biznes, Inxhinieri. Zhvillimet tona të reja kërkojnë kualifikime komplekse dhe këto lloj profilesh dhe ato me kurrikula specifike që do të ndihmojnë në krijimin e drejtuesve, menaxherëve me njohuritë dhe shprehitë e nevojshme. 
Njëkohësisht përballimi i sfidave kombëtare është i lidhur dhe me përballimin me sukses të sfidave lokale e vendore. Ndaj dhe organizimi i ri territorial i vendit, si dhe organizim i rajoneve do të sjellë mundësi të mëdha në drejtim të ushtrimit real të autonomisë vendore dhe të rritjes së përgjegjësive të tyre në zhvillimin ekonomi.
Ndaj dhe në këtë drejtim mbetet sfidë e rëndësishme rritja e kapaciteteve vendore dhe organizimi i tyre institucional në bashki, shoqata dhe forma të tjera për të ofruar ekspertizën më të kualifikuar në drejtim të planifikimit dhe të koordinimit të aktiviteteve ekonomike sipas profileve dhe resurseve që ka çdo bashki apo rajon. 
Vlerësoj që edhe puna kërkimore shkencore e fakulteteve, si fakulteti juaj i Ekonomisë do të bazohet dhe do të kontribuojë në zgjidhjen e shumë problemeve specifike, zhvillimore që ka qarku dhe bashkia e Elbasanit. 
Ndaj dhe unë dua të shpreh kënaqësinë që së bashku me rektorin dhe me dekanin dhe me stafin akademik të fakultetit të universitetit tuaj, me ministren e Arsimit znj. Nikolla, me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini, me Prefektin, me ministrin e Transporteve z. Edmond Haxhinasto, me ish dekanin e Fakultetit Ekonomik dhe kolegen time deputete Evis Kushin dhe me gjithë këta personalitete, jemi sot këtu me ju për t’ju uruar suksese në këtë ditë të paharrueshme të jetës suaj dhe njëkohësisht, për t’ju uruar jo vetëm juve, por dhe gjithë familjeve tuaja dhe në mënyrë të veçantë një duartrokitje për më të mirët.
Ne më të mirët duhet t’i promovojmë, ne më të mirët duhet t’i mbështesim. Nuk mund të kemi cilësi më të lartë dhe standarde më të larta evropiane në asnjë drejtim në rast se nuk do të mbështesim më të mirët, në rast se ata nuk do të jenë modeli ynë udhëheqës dhe nëse këta individë, nuk do të kthehen në një shembull frymëzimi për t’u ndjekur nga shumë e shumë të tjerë. 
Suksese dhe njëherë dhe mbarësi në jetën tuaj dhe uroj të gjithë studentët dhe stafin akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani që me punën e tyre, me përkushtimin e tyre, të përballojnë jo vetëm sfidat dhe standardet e reja që ofron reforma në arsimin e lartë, por ta ngrenë edhe më lart këtë emër të shquar të “Aleksandër Xhuvanit” që ju mbani prej kohës. Ju faleminderit!
Sigal