Meta në Samitin e SEECP, jehonë në mediat e Bosnje-Hercegovinës. Si e komentojnë

628
Sigal

Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta në Bosnje-Hercegovinë dhe pjesëmarrja e tij në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë, ka ngjallur interesin e mediave vendase, që kanë raportuar lidhur me të.

Gazetat, portalet online dhe televizionet kryesore si TV1, Oslobodjenje, Vijesti, Dnevni Avaz, Klix.ba, etj., kanë raportuar gjerësisht vizitën e Presidentit Meta dhe deklaratat e tij gjatë këtij Samiti të rëndësishëm për vendet e Ballkanit.

Media boshnjake i ka kushtuar rëndësi të madhe pranisë së kreut të shtetit shqiptar në këtë veprimtari, po aq sa edhe atij të Turqisë, Erdogan.

Në raportimet e bëra, thuajse të gjitha mediat kanë vlerësuar vendimin e Presidentit Meta për të marrë pjesë në këtë samit. Ndërkohë kujtojmë se qeveria shqiptare u tërhoq në momentin e fundit duke anuluar prezencën.

Presidenti Meta ka qenë një zë i rëndësishëm për çështjen shqiptare në këtë aktivitet ku janë të pranishëm krerët e shteteve të vendeve të Europës Juglindore, duke kërkuar veçanërisht njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e sovran, dhe pranimin e këtij realiteti në radhë të parë nga fqinjët e saj.