Meta: Demarkacioni, jo kusht për vizat, Thaçi: Shqipëria t’u japë nënshtetësinë kosovarëve

601
Presidenti Ilir Meta në të parën vizitë zyrtare në Kosovë pas marrjes së detyrës së re. U fol për liberalizimin e vizave dhe për zhvillimet në rajon
Pas nderimeve ushtarake të rastit dhe interpretimit të himneve të të dy shteteve në Sheshin “Ibrahim Rugova”, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë mes tyre, dhe më pas një takim të zgjeruar mes dy delegacioneve. Gjatë takimit, në mënyrë të veçantë Presidenti Meta rikonfirmoi mbështetjen e fortë e të gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën, si për sa i përket pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të saj, ashtu edhe për anëtarësimin e plotë në të gjitha organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore dhe të partneritetit strategjik dhe nënvizoi mbështetjen për Qeveritë dhe institucionet e të dy shteteve, për ta bërë kufirin ndërshtetëror sa më të padukshëm për qytetarët dhe bizneset në të dy anët e tij dhe rritur kontaktet dhe ndërveprimin mes tyre. Duke u ndalur në proceset integruese, Presidenti Meta theksoi se të dy shtetet janë të përkushtuara ndaj vlerave dhe standardeve evropiane dhe euroatlantike dhe këto procese mbeten projektet strategjike më madhore për të dy shtetet. Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta ia kushtoi edhe bashkëpunimit rajonal, si dhe faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku theksoi nevojën e një koordinimi më të mirë mes qeverive dhe strukturave të të dy shteteve në mbështetje të të drejtave të tyre për të ruajtur dhe promovuar identitetin e tyre kombëtar dhe të drejtat e tyre legjitimeve, konform konventave ndërkombëtare dhe standardeve më të mira evropiane. Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishëm çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si një proces padrejtësisht i vonuar, duke theksuar se zgjidhja e problemit të demarkacionit me Malin e Zi duhet të konsiderohet si një sfidë që i hap perspektivën evropiane qytetarëve të Kosovës. Të dy Presidentët miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku rikonfirmuan vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik, përshëndetën riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe rikonfirmuan vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit e në dobi të qytetarëve të tyre e të proceseve integruese.

Më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i akordoi Presidentit Ilir Meta, titullin e lartë të Kosovës “Urdhri i Pavarësisë”. Në mbyllje të të gjitha takimeve dhe ceremonive, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe iu përgjigjën interesit të mediave:
Pyetje: Si e shikoni situatën e Kosovës sa i takon çështjes së liberalizmit të vizave dhe sipas bisedave që keni bërë me autoritetet vendase si mendoni se mund të zgjidhet? E dyta, si e komentoni deklaratën e Presidentit të Kosovës për Gjykatën Speciale?
Presidenti Meta: Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, nuk mund të ketë për momentin njeri në pozitë më të vështirë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë për të folur për këtë çështje, për arsye se ka kërkesa pa fund nga personalitete dhe nga qytetarë të Kosovës për të marrë edhe nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë me qëllimin kryesor për t’i shpëtuar kësaj bllokade, ku padrejtësisht qytetarët e Kosovës ndodhen prej disa vitesh.

Unë kam pasur në takim para pak ditësh edhe Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, z. Danielsson në Tiranë, i cili para një jave ka qenë edhe në Prishtinë, por edhe në takimet që kemi pasur në Gjermani me Presidentin Steinmeier para pak ditësh apo edhe në Itali me çdo personalitet, që kemi pasur mundësinë të takohemi, jo vetëm unë, por edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Shqipërisë. Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund këtij izolimi për të mos thënë këtij diskriminimi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës dhe që ka sjellë një frustrim për shkak të faktit se janë të vetmit qytetarë në Ballkanin perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi. Aq më tepër po të kemi në konsideratë, që dikur para 40 vitesh ka qenë më e lehtë për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar lirisht jashtë, atëherë kur për qytetarët e Shqipërisë ishte e vështirë edhe për të ëndërruar një gjë të tillë. Unë besoj që vendimi është i padrejtë për të kushtëzuar liberalizimin e vizave me çështjen e Demarkacionit. Kam edhe një pyetje; ‘A ishte një vendim i drejtë për të kushtëzuar Pavarësinë e Malit të Zi me vendosjen e kushtit të votimit për të qenë i vlefshëm në rast se do të votonin më shumë se 55% e qytetarëve të Malit të Zi’. E përmenda këtë, jo për shkak se ekziston një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi, pavarësisht se ekziston një çështje që unë besoj që me vullnet dhe me përgjegjshmëri do të tejkalohet, dhe nga vlerësimet e Presidentit Thaçi dhe të Kryeministrit Haradinaj pak ditë më parë në Tiranë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Malit të Zi, ashtu sikurse dhe Shqipëria i ka të shkëlqyera me Malin e Zi, por është e domosdoshmëri që me më shumë mençuri të zgjidhet dhe tejkalohet çështja e demarkacionit pasi kjo është mjaft e rëndësishme jo vetëm për liberalizimin e vizave, por për të gjithë perspektivën dhe evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Dhe në këtë drejtim duhet nxitur një mirëkuptim dhe një konsensus sa më i gjerë, sepse unë besoj se e ardhmja evropiane e Kosovës është aspiratë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime partiake apo politike.

Kështu që dua të shpreh edhe një herë tjetër mbështetjen tonë të plotë për një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën, gjë që ia kemi kërkuar edhe autoriteteve të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë për asnjë moment se politika e zgjerimit ka qenë katalizator i proceseve transformuese, demokratike i një forcimi të sigurisë dhe paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, që ka qenë problematik jashtëzakonisht për të gjithë kontinentin në të kaluarën. Dhe kjo politikë e zgjerimit duhet të vazhdojë dhe mendoj se sinjali i parë më konkret, më i prekshëm për Ballkanin Perëndimor, është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova i ka plotësuar kushtet të cilat vendet e tjera përfshi edhe vendin tonë, nuk kanë qenë të detyruara t’i plotësojnë dhe unë besoj që do të ecet me përgjegjshmëri në këtë drejtim.
Pyetje: Kur mund të aplikojmë për pasaportë shqiptare?
Presidenti Meta: Besoj se përgjigja më e mirë që ne të gjithë së bashku – dhe besoj se edhe një nga kërkesat kryesore të kësaj vizite dhe të këtij takimi me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi t’i drejtohem Bashkimit Evropian në mënyrë të veçantë -është që, të ketë një angazhim për të bërë më të qartë një perspektivë evropiane për Kosovën se kur do të ketë mundësi Kosova që të aplikojë për t’u bërë një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Padyshim ne e mirëkuptojmë edhe këtë kërkesë që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Vazhdimisht dëgjoj edhe për keqtrajtime edhe të zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të lartë për shkak të kësaj pengese mjaft jetike shpesh. E kuptoj se çfarë ndodh edhe me qytetarët e thjeshtë apo me studentët nga Kosova që studiojnë apo dëshirojnë të studiojnë në vendet të tjera evropiane. Sigurisht, zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht nga dëshira për të kaluar këtë problem, jo për shkak të një mungese dëshire nga ana ime apo nga institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Dhe unë shpresoj që edhe politika këtu në Kosovë pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE-në, por edhe me Malin e Zi ta zhbllokojë këtë çështje sepse nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e vizave, që është një çështje mjaft e rëndësishme dhe mjaft frustruese për qytetarët e Kosovës, por bëhet fjalë për zhbllokimin e të gjithë perspektivës evropiane të Kosovës, që është jetike jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe padyshim dhe për vetë Bashkimin Evropian.
Meta dhe Thaçi dalin me deklaratë të përbashkët, pikat ku u dakordësuan
Në mbyllje të takimit dy presidentët ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, dolën me një deklaratë të përbashkët. Në deklaratë thuhet se Presidenti i Shqipërisë dhe Presidenti i Kosovës, të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane, duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe në rajonin ku bëjnë pjesë, ë bindur në përfaqësimin më të mirë të interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet evropiane dhe euro-atlantike, me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e “dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë, dhe zhvillimit, ranë dakord të: 

-Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane;

-Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë. 

-Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen.

Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon”.

-Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese.

-Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida.

-Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:

1-Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon.

2-Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO.

3-Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjellë, çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi.

4-Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për të gjithë rajonin.
Thaçi nderon Metën me titullin “Urdhri i Pavarësisë”
Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta u nderua gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në selinë e Presidencës së Kosovës me Dekoratën e lartë “Urdhri i Pavarësisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.”

Presidenti Thaçi vlerësoi kontributin personal të Presidentit Meta, angazhimin prej afro tre dekadash për Kosovën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës dhe të përmbushjes së aspiratës për pavarësi gjithashtu edhe për njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Pasi mori në dorëzim dekoratën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë Meta në fjalën e Tij vuri në dukje se vizita në Kosovë si President i Republikës është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe emocion i rrallë. “Kjo dekoratë është një surprizë e veçantë, por e marr si një vlerësim për gjithçka që qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të zotohem këtu për angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë, rritjes së njohjeve të saj ndërkombëtare dhe realizimit të aspiratës së perspektivës evropiane, tërësisht të prekshme të saj dhe të gjithë rajonit, sepse perspektiva evropiane e Kosovës është tepër e rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë”, u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta, vizitë shtetërore në Kosovë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta nisi dje një vizitë shtetërore dyditore në Republikën e Kosovës me ftesë të homologut të Tij, Hashim Thaçi. Presidenti Meta do të zhvillojë takim kokë më kokë me Presidentin Thaçi, më pas do të kryesojë bisedimet dypalëshe mes delegacioneve respektive zyrtare, ndërsa do të takohet edhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj, me Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli. Vizita e parë shtetërore e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë përmban edhe takimin me krerët e partive parlamentare si dhe homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz-Skënderaj.
Sigal