Sigal

Në orët e para të mëngjesit të së premtes u arrit një ujdi në samitin e BE-së për migracionin pas një nate të gjatë debati. Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE.

Kompromisi

Kishte shumë dyshime, nëse ky samit do të sillte suksesin e duhur, madje jo gjithçka është arritur, megjithatë një kompromis për çështjen e azilit po konsiderohet si sinjal pozitiv se BE është e aftë të bashkëpunojë. Por ujdia e arritur parashikon ashpërsimin e politikës së azilit, gjë që nënkupton forcimin e fortifikatës Evropë edhe më tej në të ardhmen. Kancelarja Merkel e përshëndeti rezultatin e arritur në orët e para të mëngjesit të ditës së premte, duke e cilësuar atë si “mesazh të mirë”. Ende kemi shumë punë për të bërë, tha Merkel, por “jam optimiste, se ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku.” Edhe politikani i CDU-së dhe komisioneri i BE-së për buxhetin, Günter Oettinger u shpreh se: “besoj që e gjitha është një hap i rëndësishëm dhe i madh.” Madje ai shpreson se kjo mund ta kënaqë edhe CSU-në, që i vuri afat Merkelit samitin e BE-së para se të fillojë me kthimin e refugjatëve në kufi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkroi se 28 udhëheqësit e 28 vendeve të BE-së u pajtuan për një kompromis, që ishte në qendër të takimit dyditësh. Sipas marrëveshjes, do të ngrihen qendra të pritjes për migruesit dhe strehim kërkuesit në vendet anëtare të BE-së, që paraqiten vullnetare për një gjë të tillë. Italia kishte bllokuar miratimin e çfarëdo marrëveshjeje në takimin e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke kërkuar që blloku të ofrojë më shumë ndihmë për krizën e migrimit me të cilën përballe Roma. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se Italia do të vendosë më vonë, nëse do të ketë ndonjë qendër pritëse. Qeveria populiste italiane, që sa ka mbushur një muaj të mandatit të saj, kishte refuzuar të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje, duke kërkuar veprimin e vendeve evropiane për ta ndihmuar atë, që të përballet me migruesit dhe refugjatët që arrijnë në Itali nga Afrika Veriore. “Italia ka nevojë për veprime konkrete”, tha kryeministri Conte. Pjesëmarrësit e takimit planifikojnë të ngrenë mjedise të shqyrtimit në vendet e Afrikës së Veriut për të ngadalësuar rrjedhën e njerëzve, që kalojnë Detin Mesdhe për të arritur në BE, shpesh përmes Italisë. Ndonëse asnjë vend nuk ka rënë dakord të mbajë qendra të tilla, udhëheqësit e BE-së shpresojnë t’i tërheqin ata me paratë e ndihmës.

 

Kampe të mbyllura brenda BE-së

Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE., por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura dhe ato parashikohen si kampe që ngrihen vullnetarisht. Po ashtu, Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontexi do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj jashtëm.

Ndalimi i “migracionit sekondar”

Megjithëse në deklaratën përfundimtare të samitit është futur vetëm një klauzolë për ndalimin e migracionit sekundar, kjo është një pikë që mund të ndihmojë Merkelin në grindjen me CSU, e cila e sheh këtë “turizëm azili.” Fjala është për refugjatët që shëtisin nga një vend i BE në tjetrin, dhe stacionohen aty ku është më mirë. Asnjë azilkërkues nuk ka të drejtë të kërkojë sipas dëshirës vendin në BE ku dëshiron të qëndrojë. Ky është mesazhi i samitit. “Shtetet anëtare duhet të marrin të gjitha masat ligjore dhe administrative për t’u dalë ballë këtyre lëvizjeve dhe të punojnë me ngushtë së bashku”, – thuhet në deklaratën e samitit për ndalimin e “migracionit sekundar”. Kreu i qeverisë italiane, Giussepe Conti që kishte kërcënuar më parë me veto në Samit, foli në mënyrë euforike pas arritjes së ujdisë. Pas këtij samiti Italia nuk është më vetëm, tha ai.

Kundërshtimi nga vendet afrikane dhe Shqipëria për kampet e refugjatëve

BE po kërkon po ashtu mundësi për ngritjen e kampeve edhe në Afrikë. Libia i kundërshtoi kampe të reja në vendin e saj. Shqipëria që u përfol, se do të ngrejë kampe të tilla, ka kundërshtuar. Në intervistë për “Bild”, kryeministri Edi Rama tha se “nuk duam të jemi valëthyesit e fluksit” dhe nuk duam qendra “nëse kjo do të thotë që njerëzit e dëshpëruar të lihen diku si mbetje toksike që nuk e do kush.”