Sigal

Thuhet se rrugën e këngës, e keni gjetur të “shtruar”, duke u përkundur mes këngëve himariote që këndonin të parët dhe prindërit tuaj. Është e vërtetë?

Këngën polifonike himariote këtë dhuratë perëndie,bashkë me qumështin e gjirit,ma mëkoi Nëna. Unë jam përkundur që në djep me këngët himariote, që më magjepsnin kur i dëgjoja nga gjyshi im Koço Cakali dhe akoma më shumë nga nëna ime, Ksanthipi si dhe në sofrat tradicionale të fisit Bejleri dhe atë të fisit të dajove të mi Cakal.

Si do e kujtonit në këto momente ngjitjen tuaj për herë të parë në skenë, këngën tuaj të parë kënduar me grupin e Himarës?

Kur flasim për polifoninë Joniane pa dyshim është një pjesë e ndritur e identitetit himariot. Ngjitja në skenën hijerëndë të Argjirosë, në Festivalin Folklorik Kombëtar 1983 në Gjirokastër, me këngën “Llaj çobani” ka ngelur në memorien time e pashlyeshme si kodi hyjnor, i pa përsëritshëm që hap portat parajsore.

Si ndiheshit kur pranë kishit këngëtarët e famshëm të Bregut?

Kur isha pranë barba Dhimitër Varfit, Llambro Gjomemos, Viro Dhimojanit dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit, ndjehesha e privilegjuara e fatit që po lundroja mbi valën ledhatare të flladit homerik të bilbilave himariotë .

Cilët do të veçonit duke i cilësuar si arkitektë të kësaj magjie, ku kënga himariote është po aq e hershme sa vetë historia e kësaj treve?

Arkitektët e vërtetë të kësaj perle të cilët kanë mbetur të freskët në kujtesën time, pa dyshim do të veçoja gjyshin tim Koço Cakali, të cilin sa herë e dëgjoja dhe e ridëgjoja në disqet e stampuara në Paris, në vitin 1929, aq më shumë rritej brenda meje si lastar i blertë, kënga himariote. Kurrsesi nuk do të zbehja interpretimin melodioz të vargjeve feniksiane të Mjeshtrit Neço Muko Himariotit, si dhe zërin brilant, si gurgullimë frymëzimi të Dhimitër Varfit .

Përse të mbërthejnë, të pushtojnë, të veshin me emocion, këngët që ju interpretoni, për të cilat e madhja Tinka Kurti “Nder i Kombit”, shprehet se: Polifonia e jugut,kënga himariote, janë pasuri që s’e ka bota, çdo i huaj mahnitet: Si ka mundësi që këto këngë vijnë nga Shqipëria”?

Këngët polifonike himarjote të cilat hipnotizojnë jo vetëm dëgjuesin, madje dhe interpretuesit, ka fuqinë e fosforit të Akroqeraunës dhe jodin kurues të Jonit. Ajo mbart magjinë e shpirtit lirik e liridashës të banorëve të kësaj treve të transmetuar brez pas brezi,që sa fëmija nis të belbëzojë, deri sa fryma e fundit të na pushojë. Këngët himariote, burojnë nga zemra dhe u flasin me dashuri e pasion të zjarrtë zemrave. Kështu ato rruajnë origjinalitetin e vetë të papërsëritshëm .

Gjerdani i artit të këngëve të Bregut, mban si perla këngët “Himara në breg të detit”, “Vajzë e Valëve”, “Erdhi prilli shkriu bora majave”, “Katina nina -nina”…por si “qershizë mbi tortë” ju vendosni “Vajzë e valëve”. Përse?

Këto këngë që ju sapo përmendët dhe qindra këngë të tjera të kënduara dhe të pareklamuara,padyshim, përbëjnë gurët e kështjellës folklorike tradicionale himariote. Mund të them se kënga “Vajzë e valëve” mbetet krye vlerë, pasi tematika që ajo përcjell, vazhdon të jetë aktuale dhe e prekshme nga brezat të tjerë.

Ju ndodh shpesh që ndonjë këngë të preferuar tuajën, e cila qëndron shpesh si trëndafil i çelur në buzë, e këndoni në shtëpi, buzë detit apo gjatë punës?

Të gjitha këngët unë i këndoj dhe i dua, sepse secila prej tyre mbart të veçantën e saj dhe bukurinë e saj,por ndonjëherë më mbetet në buzë trëndafil aromë shumë, kënga “Vogëlushe Ane ane” ose “Hyri prilli ç’u shkri bora majave”, të cilën e kam shumë për zemër. Ato burojnë vetvetiu, si vetë flladet bregdetare Joniane, që ledhatojnë lastarët e portokalleve apo limonëve aromë kuruese. Këngët himariote burojnë nga zemra dhe u flasin me dashuri e pasion të zjarrtë zemrave. Vetëm kështu ato e rruajnë origjinalitetin e vetë të papërsëritshëm .

E konsideroni veten me fat, që në prehrin e Himarës, në qerpik deti, jeton e krijon vargje autori i qindra këngëve polifonike të jugut, poeti “Mjeshtëri madh” Lefter Çipa?

Shumë prej këngëve të mia mbajnë vulën e tij si “Lundroj në lundrën e këngës “,“Ç’më fluturoi syri”, “Himarë e bukur Himarë”, të cilat janë pritur dhe dëgjuar me shumë dashuri nga publiku artdashës shqiptarë dhe ai i huaj. Ne dhe brezat që do vijnë, i jemi mirënjohës talentit të paarritshëm të mjeshtrit Çipa. Por në kemi qenë fatlumë që kur Neço Muko e Koço Cakali, krijuan dhe themeluan pavdekësinë e polifonisë himariote. Ndërsa Koço Cakali si krijues dhe interpretues i të gjitha teksteve të Feniksit të Himarës, Neço Muko, i dha kuptim vargjeve të florinjta. Të pa zëvendësueshme mbeten tekstet e Nase Benit, kënga “Kush është lule e vilajetit” që ne himariotët, e konsiderojmë Himnin e Himarës. Si të mos e quaj veten me fat kur për mua,idhulli im ishte zëri i titanit Dhimitër Varfi, mësuesi im, shembulli modeli një këngëtari të talentuar dhe të pa lodhur. Pesëmbëdhjetë vjet rresht, kam punuar me profesorin dhe dajën tim Spiro Cakalin, si udhëheqës artistik pranë pallatit të Kulturës Himarë që në momentet e para të përformimit tim në skenë, në moshën gjashtë vjeçare. Poeti dhe shkrimtari himariot Odhise Goro, me tekste të pa përsëritshme dhe të krijuara me kaq mall për vendlindjen e tij, ku me grupin kemi qenë pjesëmarrës në disa festivale. Kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”, “Moj e vogla brezare”,“Ç’e lëvdon nëna të birin”, “E zeza për djemtë tanë, gurët e bregut i lanë”,“More rrugën e kurbetit djalë i ri”, “Vitet Rivierës kur zbresin”, “Moj Himarë, magji e Jonit” e shumë tekste të poetit dhe shkrimtarit himariot Odhise Goro. Por pa dyshim që “Mjeshtri i Madh” Lefter Çipa, mbetet ikona e vargut dhe melodive të grupeve të Rivierës dhe arkitekti i famshëm i këngës Piluriote.

 

Në sa vende ka jehuar kënga himariote dhe si është mirëpritur dhe vlerësuar ajo? Ju mund të na sillni ndonjë mbresë ?

Kënga himariote ka jetuar në skena prestigjioze që nga Brukseli, Amsterdami, Parisi, Roma, Varshava, Berlin, Beogradi, Budapesti, Prishtina, Shkupi, Athina, Stambolli, Jerusalemi, e kudo e ku na është dhënë mundësia kemi dhënë maksimumin tonë. E pashlyeshme mbetet skena e Mitrovicës, ku me këngën “Aman trimat kapedanë”, u duk sikur lumi i Ibrit, ndaloi një moment të na dëgjonte.

Mendoni se duhet bërë ende punë, që këngët e popullit, në veçanti ato Polifonike të ngjiten në podiumin që ato meritojnë?

Duhet ende shumë mund e përkushtim, sidomos nga strukturat përgjegjëse, për ta ngritur në stadin e merituar këngën Polifonike, tashmë vlerë e trashëgimisë gojore botërore mbrojtur nga UNESCO. Folku popullor Himariot, mbetet ende thesar i pa zbuluar dhe i pa lëvruar ashtu si ai e meriton .

A kini dhënë ndonjë koncert recital si grup polifonik dhe, nëse po, si janë vlerësuar ato?

Pa diskutim koncertet recitale brenda trevës sonë dhe të trevave përreth bashkisë si dhe brenda vendit tonë, ne kemi performuar në një sërë recitalesh, por edhe jashtë vendit, si në Gjermani, Hungari, Kroaci si dhe në Greqi që janë pa ndërprerje duke marrë kudo vlerësimi maksimal.

Jeni vlerësuar me çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit, jeni “Qytetare Nderi” e qytetit Himarë, madje dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”. Çdo të thonë këto vlerësime për ju ?

Falënderoj në radhë të parë, mbështetjen e bashkëshortit tim, familjes time, prindërve të mi për mbështetjen e pa kursyer që më kanë dhënë, për dashurinë që më kanë ushqyer ndaj vendlindjes time dhe këngës si dhe bekimin e zotit për zërin që më fali. Vlerësimet mbeten motivuese burim force, për ta transmetuar stafetën me dinjitet dhe virtytshmëri. brezit që po rritet në jetët tona.

Çfarë është Himara për ju ?

Këtë pyetje do të doja ta ilustroj me vargje :

Himara për mua është oksigjen/ Isua e këngës jatri dhe melhem, /

Himara për mua është Perëndia, / E shkuara, e sotmja dhe ardhmëria .