Media, pushteti që nuk vetëmbrohet

549
Sigal

Nga Gentian Çala

I pyetur para disa ditëve në një studio televizive mbi qëndrimin e medias në ditët pas tërmetit, duke pasur parasysh kryesisht punën e gazetarëve të terrenit, u përgjigja pa hezitim “i shkëlqyer”. Rama do të godiste për disa ditë me fjalë ofenduese median dhe madje do të bënte përgjegjëse atë për disa nga të metat në lidhje me menaxhimin e krizës. U goditën përkohësisht disa portale, për shkak të lajmeve fake, ndërsa Rama vazhdonte të merrte nga media gjithë vëmendjen kudo që shkonte, në rolin e “show-man-it hallemadh”. Madje në disa raste ai tentoi ta godiste median përmes dritares së krijuar prej saj. Mediat e mëdha reaguan pak ose aspak. E rëndësishme është të mos e prishin me Kryeministrin e gjithëpushtetshëm dhe të mos mbyllet rubineti i të ardhurave që vijnë nga paraja publike apo nga reklamat.

Media duket se e ka shitur forcën e pushtetit të saj te një pushtet tjetër, te ai ekzekutiv dhe natyrisht që brenda saj ka edhe përjashtime. Marrëdhënia fito-fito e ndërtuar nga Rama dhe një pjesë e medias është një kontratë e pashkruar, por që funksionon. Po a i shërben kjo kontratë interesit publik? Natyrisht që jo, madje e ka dëmtuar atë. Në Shqipëri, televizionet informative shtohen njëri pas tjetrit dhe në një treg kaq të vogël sa jemi ne, pyetja e parë që të vjen në mendje është se si mbijetojnë kaq shumë televizione? Sa para ka biznesi me reklamat e tij për gjithë këto media? Po informalitet a ka, a ka duar të padukshme që financojnë median? Pse ajo nuk vetëmbrohet apo thjesht nuk ka si të bëjë kur e ka shitur veten? Pse qeverinë duket se e pengon media on line, apo nga që nuk ka mundur ta blejë? Gazetat shiten gjithmonë e më pak, kurse pajisjet elektronike përdoren gjithmonë dhe më shumë. Shqiptarët gazetat i shohin vetëm në emisionet televizive të mëngjesit, teksa u lexohen titujt.

Media ka dalë nga misioni, për aq kohë sa lejon të censurohet (madje edhe me ligj) apo të autocensurohet, për aq kohë sa i bën temena një Kryeministri që e quan “kazan” dhe “histori qensh”, për aq kohë sa nuk pasqyron zullumet ose tenton ti amnistojë ato në emisione ku të dërguarit e qeverisë merren gjithë kohën me opozitën, për aq kohë sa nuk është e çliruar nga nevoja e financimeve apo mbështetjes qeveritare dhe për aq kohë sa është e paaftë të vetëmbrohet. Media ka sot edhe një hapësirë që kontrollohet më pak dhe ka nevojë për më pak para, ato janë portalet, madje duket se lexohen më shumë, të cilin qeveria po mundohet përmes një ligji ta intimidojë. A duhet lejuar kjo? Aspak. Madje duhet përkrahur, jo vetëm sot me këtë qeveri, por edhe nesër me këdo qeveri tjetër. Tentimi për ta kontrolluar këtë hapësirë lirie është më i keq se fake-lajmet, që gjoja po përpiqen të parandalojnë me ligj. Fundja kush e ka autorësinë e të vërtetës? Po nëse i Madhi thotë që e vërteta jam unë…!?

Pushteti i katërt është si të tjerët, as mirë dhe as keq, por ai mbetet një pushtet i pazëvendësueshëm dhe mision nuk ka pasurimin, ndërthurjen e interesave, vënien nën këmbët e ekzekutivit apo përdorimin nga kushdo tjetër, oligark apo çfarëdo qoftë. Mision ka interesin publik, ndaj gjërat duhen thënë ashtu si janë. Kur njerëzit e medias shigjetojnë politikanët, duhet fillimisht ti jenë drejtuar pasqyrës, sepse të jesh njeri i medias, nuk është baraz me të qenit i ndershëm.
Të ndershëm janë vetëm ata që kanë mbrojtur interesin publik.