MASH: Ja regjistrimi hap pas hapi për Formularin A3 dhe qendrat kryesore

68

ZYRTARE/Dalin procedurat e sakta se si mund të aplikohet on-line për formularin

Ditën e sotme do të fillojë zyrtarisht afati për plotësimin e Formularit A3, i cili do të zgjasë deri në datën 2 nëntor. Kandidatët për studentë do të plotësojnë nesër on-line Formularin A3 për t’u regjistruar në degët, ku kanë mbetur rreth 7 mijë kuota vakante. Në një njoftim për shtyp Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditura oraret dhe procedurat për plotësimin. Klasifikimi i kandidatëve fitues në programe të ndryshme studimi, që do të plotësojnë A3-shin, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në pikët e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar për programe të caktuara studimi dhe merita, si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit, preferenca, të bërë nga vetë kandidati. Këtë formular mund ta plotësojnë ata kandidatë që nuk kanë konkurruar më parë me Formularin A2, ku janë edhe ata që kanë fituar provimet e Maturës Shtetërore në sesionin e vjeshtës, si dhe ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve në universitetet tona. Formulari do të plotësohet edhe nga ata që kanë konkurruar me Formularin A2, fitues apo jo dhe që dëshirojnë të fitojnë për një preferencë më të lartë duke ruajtur renditjen e preferencave të Formularit A2. Këtu përjashtohen ata që janë regjistruar në një program studimi. I gjithë procesi i regjistrimeve në universitete do të përmbyllet në 13 nëntor, ku dhe universitetet do të dorëzojnë pranë AKP në formë shkencore dhe elektronike të gjitha të dhënat.