Babëzia e CEZ-it duhet të ndëshkojë me votë qeverinë

454
Sigal

NISIN NDËRPRERJET KOLEKTIVE TË ENERGJISË NË KOMUNAT E DURRËSIT

Katër ditë plot kanë disa bashki dhe komuna të Qarkut të Durrësit duke nisur nga Rrashbulli, Xhafzotaj, Shijaku, deri më në veri në Ishëm, pa energji elektrike. Janë mbi 100 mijë banorë të këtyre komunave që u ka sosur durimi, deri në kufij të ekstremitetit, në pritje të energjisë elektrike. Banorët e Komunës Rrashbull, e cila gjendet përtej vijës së verdhë të Durrësit, kanë paralajmëruar bllokimin e autostradës Durrës-Tiranë dhe atyre u janë bashkuar edhe banorët e zonës informale të ish-Kënetës, e cila gjendet brenda vijës së verdhë, të cilët gjendjen jo vetëm pa drita, por edhe nën ujin që u ka përmbytur shtëpitë.

Problematika

Para katër ditëve kur nisi furtuna dhe përmbytja në disa zona të Durrësit, pati defekte të energjisë elektrike, madje për 14 orë me radhë nuk funksionoi edhe Hidrovori i Porto Romanos, duke bërë që Durrësi të përmbytje në 80% të sipërfaqes së tij. Por edhe pas katër ditësh nuk është rikthyer energjia në zonën informale dhe në komunat rreth Durrësit, duke bërë që reagimi i banorëve të jetë i ashpër. Banorë nga zona të ndryshme kanë kontaktuar me “Telegraf” duke shprehur shqetësimin e tyre të madh në lidhje me situatën skandaloze të krijuar.

Banorët

Banorët nuk dinë të thonë pse u është ndërprerë energjia elektrike, nëse ka apo jo ndonjë defekt, apo nëse ndërprerja është kolektive. Fakti që në asnjë zonë nuk ka energji elektrike në këto komuna e bashki, por edhe në zonën informale të Durrësit flet për një ndërprerje kolektive të energjisë elektrike, ku skandal përbën fakti se ndërprerja është kolektive, edhe për konsumatorin e rregullt, i cili kërkon energji.

BERAT, CEZ SFIDON GJYKATËN LË 15 SHKOLLA, KOPSHTE DHE ÇERDHE PA ENERGJI

CEZ sfidon Gjykatën e Faktit në Berat, pas dhënies së vendimit ‘pro energjisë elektrike shkollave dhe kopshteve të qytetit muze’. Drejtori i Zyrës Ekonomike pranë Drejtorisë Arsimore, Ismail Toska në mbledhjen e Këshillit Bashkiak e ka bërë prezent gjendjen e krijuar në shkollat, kopshtet dhe çerdhet, të cilat kanë tre javë që janë në errësirë të plot, pasi CEZ, ju ka ndërprerë energjinë elektrike. Po në këtë mbledhje ishin të pranishëm dhe drejtorët e shkollave, të cilët kërkuan nga Këshilli Bashkiak dhe kryetarit të bashkisë që të ndërhyhet urgjentë për dhënien e energjisë. Është absurde është shprehur z.Toska, që CEZ i ka faturuar një shkolle 20 mijë kilovat energji elektrike, sikur kjo shkollë të jetë një industri e madhe prodhuese. “Kaq energji shkolla nuk i harxhon as për 57 muaj dhe jo për një muaj. Për këtë ne kemi hapur dhe gjyq në Gjykatën e Faktit, ku kjo gjykatë me një vendim na ka dhënë neve të drejt dhe ka kërkuar lëshimin e energjisë elektrike shkollave, kopshteve dhe çerdheve”, tha kreu i Zyrës Ekonomike. Fëmijët e kopshteve dhe çerdheve janë të detyruar të qëndrojnë në errësirë për tekat e CEZ-it. Drejtuesit e shkollave janë shprehur se nxënësit e shkollave nuk punojnë dot as në laboratorin e informatikës, kimisë dhe të fizikës, pasi mungon energjia elektrike. “Ne nuk jemi ndërmarrja e Ujësjellësit, që i ka detyrime CEZ, ne jemi shkollë dhe si e tillë nuk konsumojmë aq energji sa na faturon CEZ”, thanë drejtuesit e shkollave, të cilët i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë që me autoritetin e tij të ndërhyhet për zbatimin e vendimit të gjykatës, pasi CEZ ka sfiduar edhe organet e drejtësisë.

RRUGA “JORDAN MISJA” PA ENERGJI, FORTUZI HESHT

Tiranë- Banorët e lagjes “Jordan Misja”, e cila ndodhet afër zonës së burgut vuajnë prej kohësh mungesën e energjisë elektrike. Kufizimet e vazhdueshme nga ana e CEZ-it janë bërë shqetësim për banorët e zonës, të cilët kanë deklaruar se do të hidhen në protesta, nëse nuk merren masat e menjëhershme. Gjithashtu, qytetarët e kësaj zone i bëjnë thirrje kryetarit të minibashkisë, Indrit Fortuzi që të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës dhe të mos bëhet palë me Qeverinë dhe CEZ-in, pasi do të ndëshkohet me votën popullore, votë e cila i ka dhënë atë karrige. Banorët kërkojnë që Fortuzi, t’u qëndrojë afër kur kanë shqetësime dhe të angazhohet në zgjidhjen e problemeve të tyre.

CEZ KTHEN KUFIZIMET NË KOMBINAT

Një zonë në Kombinat vuan prej disa ditësh kufizimet e energjisë elektrike. Banorët janë ankuar pranë zyrave të CEZ-it, por asnjë masë nuk merret për këtë problem, nga ana e punonjësve të kësaj të fundit. Si arsyetim u jepet qytetarëve se po punohet në rrjet për të rregulluar një defekt, por në fakt, sipas banorëve e vërteta nuk është kjo, pasi ata kanë konstatuar se në rrejt nuk po bëhet asnjë ndërhyrje dhe se kufizimet i ndërmerr vetë kompania çeke.