Marko Bello: “Stop” moszbatimit të vendimeve të gjykatave, ja reforma e Gjyqësorit”

528
Sigal

INTERVISTA/Deputeti i PS-së: “Gjyqësori është i pavarur nga politika, por jo i pavarur ndaj ligjit”

Dje u diskutua  në seancën e Kuvendit p/ligji ” Për Gjykatën e Lartë”, edhe pse nga komisionet e Ligjeve dhe të Integrimit, ky p/ligj nuk mori konsensusin e kërkuar nga opozita, ku siç dihet, opozita e bojkotoi diskutimin e p/ligjit “Për Gjykatën e Lartë” në të tre seancat e Komisionit të Ligjeve, duke parashtruar 3 kërkesat e saj, që janë: Zbatimi i të gjitha vendimeve të gjykatave në lidhje me Qarkun e Fierit, zhbllokimi i qeverisjes vendore dhe miratimi më parë i reformës parlamentare. Madje, në Komisionin e Integrimit, kryetari, Ditmir Bushati, e quajti të kotë diskutimin e këtij  p/ligji, derisa duhet të vendosin kryetarët e partive për qëndrimin që duhet të mbajnë deputetët! PS-ja, pak rëndësi ka sa të drejtë ka për 3 kushtet e saj, nëse do të japë konsensusin e saj, por vetë qëndrimi i saj politik, sjellja e saj në raport me reformat e deritanishme që kërkojnë domosdoshmërisht votën e saj, ka dëshmuar se, pavarësisht nga qëndrimi i saj fillestar, në fund ajo ka votuar pa kushtet e saj dhe pa kushte. Ky qëndrim i PS-së, është shpjeguar nga dy arsye. Së pari, PS-ja ka bërë opozitë për opozitë, sepse është lëkundur nga politika e saj, e detyruar nga frika se mos i faturojnë dështimin e mosmarrjes së statusit. Dhe e dyta, PS-ja ka ndjerë presionin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, të cilët i kanë kërkuar vazhdimisht që të tërhiqet nga qëndrimet e saj, pavarësisht, nga shkalla e së drejtës. Kjo u duk më qartë, në qëndrimin e PS-së në lidhje me reformën zgjedhore, e më shumë, me reformën e kufizimit të imuniteteve, ku PS-ja, në reflektim të gabimeve të saj, në ndryshimet kushtetuese të 2008-s, u përpoq të arnonte diçka, duke propozuar amendamentet e saj për ndryshime kushtetuese që kishin të bënin, jo me reformën e kufizimit të imuniteteve, por më shumë me reformën e Gjykatës së Lartë, dhe me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. PS-ja, duke pranuar që të rrëzoheshin amendamentet e saj, për ndryshime kushtetuese, gaboi dy herë. Gabimi i parë, që kushtëzoi reformën e imuniteteve me këto ndryshime, që nuk kishin kurrfarë lidhjeje, ndaj edhe PD-ja luajti politikisht, në një fushë pa lojtarë, duke i rrëzuar si të palidhura me reformën në fjalë. Dhe gabimi i dytë, që PS-ja këto ndryshime kushtetuese, duhet t’i kushtëzonte me reformën për Gjykatën e Lartë, ku ato do të përbënin gjithë thelbin juridik e politik të kësaj reforme. Si rrjedhojë, derivati i gabimeve vijoi, duke qënë se PS-ja, tashmë kushtëzon reformën e Gjykatës së Lartë me probleme politike që nuk kanë fare lidhje me përmbajtjen e reformës për Gjykatën e Lartë, duke e zhveshur PS-në nga drejtësia politike. Pyetja, tashmë është më e thjeshtë: Do të mundet PS-ja të përballojë kohën e pakët dhe përgjegjësinë politike që mund të shkaktojë “JO” e votës së saj në reformën e Gjykatës së Lartë? Derisa, në Kuvend nuk u dha për votim ky p/ligj, do të thotë, që PS-ja nuk fiton kredibilitet , por vetëm kohë politike me kosto shumë të lartë, në dëm të kredibilitetit. Deputeti i PS-së, Marko Bello, në intervistën për “Telegraf” i jep një përgjigje, pikërisht pyetjes së fundit: Kësaj here, PS-ja do të tërhiqet politikisht nga qëndrimi i saj? Pavarësisht , nga shkalla e së drejtës  politike.

– Zoti Bello, në raportin e OSBE-së për ecurinë e reformave të prioriteteve,  theksohet se përsa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët dhe perceptimi i publikut për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët. Në këtë kontekst, kundërshtimi i reformës së Gjykatës së Lartë nga PS-ja, bëhet në këtë kontekst?

– Shqipëria ka ecur përpara, përsa i përket hartimit të ligjeve,  por ne jemi shumë mbrapa në zbatimin e tyre. Këtë konstatim e bën edhe OSBE-ja në raportin e saj, që Shqipëria megjithë rritjen e kapaciteteve institucionale, përsëri manifeston dobësi në interpretimin e ligjeve. Kjo do të thotë, që politika shpesh herë ndërhyn në pushtetet e tjera, siç është Gjyqësori, e ky nuk i shpëton një moskuptimi, me dashje apo jo,  të faktit që pavarësia e duhur nuk do të thotë pavarësia ndaj ligjit. Gjyqësori është i pavarur nga politika, por kjo nuk do të thotë, që ai është e pavarur ndaj ligjit. Ne kemi arritur në konkluzionin, që më mirë të bëjmë më pak ligje dhe t’i zbatojmë ato si duhet, se sa të kemi një inflacion ligjesh, të cilat nuk zbatohen, por mbeten thjesht në letër. Ne në rastin e reformës së Gjykatës së Lartë, ne nuk duam që ta kushtëzojmë qëndrimin tonë me rastin e Qarkun e  Fierit, por ky është  një rast flagrant se si vendimet  e të tëra shkallëve të Gjyqësorit nuk zbatohen nga qeveria. Atëherë, derisa bllokohet zgjedhja e qarkut të Fierit,  pavarësisht nga vendimet e të tëra shkallëve të Gjyqësorit, apo në rast se janë flakur nga puna qindra nëpunës civilë, thjesht për motive politike dhe, pasi e kanë fituar në  të gjitha shkallët e gjykatave të drejtën, përsëri ata nuk pranohen të rimerren në punë nga ata që sot janë ministra, apo drejtues të institucioneve të rëndësishme. Në këtë këndvështrim, unë parashtroj një kundërpyetje: Është më mirë që të bëjmë ligje që nuk i zbatojmë, apo t’i themi “stop”  kësaj politike absurde?

– Mos do të ishte më e drejtë, që PS-ja të kishte argument politik të kundërshtimit të reformës së Gjykatës së Lartë ato amendamente për ndryshime kushtetuese që kishin lidhje me emërimet me 3/5 të anëtarëve të Gjykatës së Lartë?

– Nuk mund të them, që PS-ja u tërhoq nga ato amendamente, por duhet të theksoj se nga ana jonë  nuk u sqarua sa duhet opinioni për qëndrimin që ne adoptuam . PS-ja kishte thënë e para që imuniteti mund të kufizohej vetëm nëpërmjet amendimit të Kushtetutës. Po të kujtoheni, PD-ja e donte kufizimin e imunitetit vetëm nëpërmjet një ligji, çka binte ndesh me Kushtetutën.  Kur PD-ja erdhi te qëndrimi i PS-së, u duk sikur PS-ja këtë e kondicionoi me ndryshimet kushtetuese. Në fakt, ne kërkuam edhe diçka tjetër plotësuese. Që ishte pavarësia e Gjyqësorit. Ne nuk u tërhoqëm, ne ishim për heqjen e imunitetit, prandaj votuam për këtë. Por maxhoranca, me forcën e kartonëve në Kuvend votave, e rrëzoi paketën e propozuar nga PS, e cila do të rriste me siguri shkallën e pavarësisë së Gjyqësorit.

– Po qe se PS-ja do të mbajë edhe ditët që mbeten, këtë qëndrim të sotëm në reformën e Gjykatës së Lartë, do të kemi pasoja në dhënien ose jo të statusit kandidat?

– Nuk besoj dhe nuk e dëshiroj një gjë të tillë. Nëse PD-së i intereson vendi më shumë se shtëpia e vet, siç përpiqet zoti Berisha të na mbushë mendjen, duhet të zhbllokojë Qarkun e Fierit, duke dhënë një provë të qartë se po respekton ligjet e vendit. Ndryshe, kur  maxhoranca sillet pa respekt ndaj ligjeve, ne nuk do të merremi seriozisht nga partnerët tanë europianë.

– Me një reformë të Gjykatës së Lartë të pamiratuar, a rrezikohet marrja e statusit kandidat për Shqipërinë?

– Kjo nuk është reformë tërësore e Gjykatës së Lartë dhe ajo nuk i zgjidh problemet në themel. Dëshiroj të them  se do të arrihet një mirëkuptim dhe  ky detyrim do të plotësohet.

– Kjo reformë e Gjykatës së Lartë, nuk është prioritet i BE-së për dhënien e statusit kandidat?

– Unë besoj dhe shpresoj që qeveria të tërhiqet nga kokëfortësia e saj për të bllokuar vendimet e gjykatave.

– PS-ja përse nuk e ngriti problemin e reformës parlamentare më përpara, kur miratohej reforma zgjedhore e imuniteti dhe e kushtëzon zvarritjen e saj tani, në ditët e fundit të afatit?

– Ju e dini, që është ngritur një grup i përbashkët e punon dhe ka mbetur për dy nene.

-Atëherë, përse PS-ja e kushtëzon reformën e Gjykatës së Lartë me atë parlamentare?

– Jo, nuk e kemi kushtëzuar.

– Sikur PD-ja të mos ndryshojë qëndrimin e saj dhe e ka dëftuar edhe në reformat e tjera, vota “JO”  e PS-së për reformën e Gjykatës së Lartë, do të rezistojë, pavarësisht nga skadimi i afatit  shqyrtimit të statusit kandidat?

– Jua thashë, kjo reformë është pjesë e prioriteteve, por reforma parlamentare duhet përfunduar urgjentisht.

– Faleminderit!