Lulzim Basha: “Guida e Tiranës”: Të kthejmë kryeqytetin në destinacion turistik!

196

Në emër besoj të shumë përfaqësuesve të shoqatave turistike, agjencive të udhëtimit, agjencive turistike të cilat kanë disa kohë që janë bërë me dy kalime. Deri para pak kohësh organizonin dhe së fundmi me shumë sukses, pas heqjes së vizave, ture për shqiptarët jashtë ndërsa siç po shikojmë nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë vizitorë dhe turistë po i drejtohen vendit tonë, po i drejtohen Tiranës. Tirana ka shumë për të ofruar dhe angazhimi im, që në fillim të marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë, ishte që Tirana të mos mbetej një pikë automatike e itinerarit të vizitorëve që vinin për të shijuar për shembull bregdetin apo malet, apo destinacionet e vjetra historike si Kruja, Berati, Shkodra por të kthehet në një destinacion të mirëfilltë turistik. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një ambicie apo me një dëshirë të lidhur me bukuritë poetike të Tiranës, të cilat ju sapo i referuat, z.Zhiti. Kjo ka të bëjë me një objektiv shumë konkret, me krijimin e mundësive që turizmi në Tiranë të dyfishohet si industri deri në vitin 2015 apo thënë më shkoqur që deri më 2015, industria e turizmit, përmes aktivitetit të saj në Tiranë të mundësojë hapjen e jo më pak se 20 mijë vendeve të reja të punës, në vetë sektorin e saj dhe në të gjithë pjesët e tjera që tërheq pas zinxhir, restorante, hoteleri, biznesin e vogël, dyqanet e shumë e shumë të tjera. Ky është sot një objektiv shumë i arritshëm dhe ne kemi parë se si në qytet prej disa muajsh kanë filluar ture grupe turistësh nga Skandinavia, Kina, Japonia, Koreja, Amerika e Veriut dhe vende të tjera të BE. Sot, me këtë instrument ne u vijmë në ndihmë dhe bëjmë detyrën tonë si Bashki e Tiranës duke u ardhur në ndihmë këtyre operatorëve turistikë, për të bërë të mundur një organizim  më të mirë të itinerarit turistik të Tiranës. Është një itinerar që dy vitet e fundit është thuajse trefishuar, p.sh me nxjerrjen në pah të vlerave historike, si këtu ku jemi ulur, themelet e vjetra të Kalasë së Tiranës apo tek Mozaiku i Tiranës por edhe me ndërtimin e pikave të tjera të referencës, siç është Memoriali i Shqiponjës, Memoriali i Shpalljes së Pavarësisë, Memoriali Post-Bllok dhe shumë e shumë pika të tjera të investuara edhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, por që ju siguroj, nuk do të mbetemi këtu. Kemi plane dhe kemi futur tashmë në rrugën e investimit projekte të tjera të rëndësishme. Këtu ku ndodhemi, prapa nesh, prapa këtij muri ndodhet një kompleks që ka mbetur vetëm në fotot e vjetra historike apo në memoriet e pak qytetarëve që e kanë vizituar ndoshta për herë të fundit, 10-15 apo 20 vite më parë (nuk e di sa prej nesh e kanë vizituar dy vitet e fundit, kush e ka vizituar dy vitet e fundit, le të ngrejë dorën) Unë e kam vizituar për projektin por me sa shoh askush tjetër. Ka një arsye për këtë, pasi këtu ku ndodhet në fakt edhe kërthiza e Tiranës historike, të ashtuquajtura, kompleksi i kalasë së Toptanasve.  Ne kemi në plan të rehabilitojmë plotësisht zonën historike, duke mundësuar që të gjithë objektet me vlerë historike të jenë të aksesueshme për publikun, t’i shërbejnë publikut përmes shërbimeve të tilla si kafe, restorant, dyqane suveniresh, por jo vetëm kaq! Në bashkëpunim me pronarët dhe me investimin e Bashkisë së Tiranës, ne do të rindërtojmë aty me të gjithë parametrat më besnike të Institutit të Monumenteve të Kulturës një qendër të re e cila do të jetë e re për qytetin por do të jetë shprehëse e vlerave më autentike të kryeqytetit dhe do krijojë në vetvete mundësitë për punësimin e jo më pak se 500 qytetarëve të Tiranës. Pra, kjo pedonale do të kthehet jo thjesht në një shëtitore por në nëj rrugë që të çon diku, pikërisht tek kërthiza e këtij qyteti dhe mundëson përmes këtij itinerari pasurimin e shumëllojshëm të ofertës sonë turistike. Përmenda këtë projekt por kemi edhe projekte të tjera, rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi”, i cili edhe sot ka një vlerë të kufizuar për qytetin por me projektin që ne do të vëmë në lëvizje me fondet e Bashkisë dhe qeverisë shqiptare do ta kthejmë në një pikë me po kaq vlera për industrinë turistike. Nuk do ndalojmë këtu! Ne do të pasurojmë me të tjera artifakte kulturore, artistike, monumentale, historike, çdo pjesë të kryeqytetit tonë dhe investimet që sot po shtrihen anembanë infrastrukturës (përmend këtu edhe bulevardin e ri) do të kenë si pjesë integrale të zhvillimit të tyre edhe itinerarin peizazho-turistik të këtyre investimeve. Jemi të përkushtuar që përmes këtyre investimeve, të krijojmë një itinerar dyfish më të pasur se ky që kemi sot, të ndërgjegjshëm por edhe modestë që itinerari që kemi sot është të paktën dyfish më i pasur se ai që kishim para pak vitesh. Puna jonë sapo ka filluar dhe kjo guidë është demonstrimi më besnik i punës që kemi kryer deri tani. E bëmë këtë guidë me një tirazh të madh, në dispozicion të gjithë faktorëve në industrinë e turizmit, hotelet, shoqatat turistike, restorantet dhe çdo pikë tjetër ku ne presim apo kemi këqyrur prani të turistëve dhe vizitorëve të huaj po pse jo edhe nga rajoni, edhe vëllezërve e motrave tona nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi apo kudo tjetër dhe presim përmes kësaj shenje që bashkëpunimi ynë të rritet e shumëdimensionohet, bashkëpunim, i cili në thelb ka një interes, interesin më të mirë të qytetarëve të Tiranës. Më shumë turizëm, më shumë vizitorë do të thotë më shumë punësim, më shumë mirëqenie, më shumë para në xhepat e qytetarëve të Tiranës dhe për këtë angazhimi i Bashkisë së Tiranës dhe imi personalisht do të vijojë të mbetet i pareshtur.

ME SYTË NGA TIRANA, 15 KOMPANI NË GARË PËR NDËRTIMIN E BULEVARDIT TË RI

Më datë 14 qershor, Bashkia e Tiranës ka hapur procedurën e parakualifikimit të ofertave për ndërtimin e bulevardit të ri. 15 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Gjermania, Austria, Itali, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe por edhe nga Shqipëria kanë shprehur interes, për të ndërtuar bulevardin e ri të Tiranës. Bashkia e Tiranës do të procedojë me vlerësimin e dokumenteve të paraqitura, procedurë e cila do të përfundojë brenda 10 ditësh. Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61.000.000.00 euro për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshavv Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 54.000.000.00 euro si dhe grantit nga qeveria e Katarit me vlerë 7.000.000.00 Euro. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra biznesi etj.  Korridori i lëvizjes përgjatë bulevardit veri – jug si dhe unaza veriore e qytetit do të sjellin zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane dhe mbetet zgjidhja e vetme për një mjedis sa më ekologjik. Ky projekt përveç se dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit. Aktualisht lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë:

* Krijimin e vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit

* Zhvillimi ekonomik i zonës

* Vlerësimi i pronës

* Rritja e kapaciteteve të komunitetit për të aksesuar financime të ndryshme

* Rritja e të ardhurave nga taksat nga zhvillimi i projekteve të reja përgjatë këtij korridori Studioja arkitekturore e kontraktuar për hartimin e master planit të kësaj zone ka dorëzuar në datën 30 mars 2013, projektin final të zbatimit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi me juri ndërkombëtare, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës dhe ku u përzgjodh fituese studioja britanike “Grimshaw Architects”.

BASHA: “DO TË TREFISHOJMË FONDIN PËR FERMERËT SHQIPTARË

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorë të Komunës Lekaj, në Kavajë. Në këtë takim, Basha ka premtuar se, në dy vitet e para të mandatit të tretë, qeveria e Kryeministrit Berisha ka planifikuar 26 milionë euro investime, sikundër do të trefishojë grantin për fermerët. c”Lekaj dhe të gjithë komunat e rrethit të Kavajës do të përfitojnë si investime direkte, pa infrastrukturën bujqësore, një paketë investuese vetëm deri në mesin e vitit 2014 prej plot 26 milionë euro, nga qeveria e ardhshme e Sali Berishës. Do të trefishojmë fondin për fermerët shqiptarë kudo që janë. Alternativa e vetme që i ofroi Kavajës Edi Rama ishte që do të priste dy gishtat në mes të sheshit”. Edhe nga Komuna Lekaj, zoti Basha i ka kujtuar Kryetarit të PS-së, se askush nuk do të mund ta prekë më simbolin e lirisë dhe demokracisë, dy gishtat.