Evis KUSHI: “Pjesëmarrja masive në zgjedhje garanton fitoren tonë të thellë”

490
Sigal

 Kam hyrë në politikë jo me ambicie për të qenë politikane, por për të përfaqësuar interesat e bashkëqytetarëve të mi

 Kam hyrë në politikë jo me ambicien për të qenë politikane, por për të dhënë një kontribut më shumë  për bashkëqytetarët e mi”, kështu e nis intervistën e dhënë për gazetën “Telegraf” kandidatja për deputete, Evis Kushi, e treta në listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit. Kushi flet për kandidimin e saj për platformën e Partisë Socialiste si dhe për opinionin që ajo ka për kandidatët kundërshtarë. Kandidatja komenton dhe koalicionin PS-LSI duke e cilësuar atë si një koalicion të forcuar dhe që do të sjelli një fitore të thellë më 23 Qershor. Ajo thotë se, koalicioni i majtë ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur votat e qytetarëve ndërsa cilëson si fakt të rëndësishëm pjesëmarrjen masive në votim.

  Znj. Kushi, si e keni pritur kandidimin tuaj?

Kam hyrë në politikë jo me ambicie për të qenë politikane, por për të dhënë një kontribut më shumë, për të përfaqësuar interesat e bashkëqytetarëve të mi, për të përcjellë lart zërin e tyre si dhe shqetësimet që i mundojnë ata çdo ditë. Eksperienca ime e deritanishme 15-vjeçare i takon fushës së mësimdhënies në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar të njoh nga afër shumë problematika, me të cilat përballet sot Elbasani dhe e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe probleme që lidhen kryesisht me varfërinë dhe papunësinë. Përfitoj nga rasti të falënderoj shumë përzemërsisht të gjithë ata bashkëqytetarë që e kanë mirëpritur kandidimin tim dhe më mbështetin dhe inkurajojnë çdo ditë në këtë fushatë elektorale.

Me çfarë platforme po paraqiteni përpara elektoratit tuaj?

Fushata jonë në Qarkun e Elbasanit, sikurse edhe fushata e Partisë Socialiste në të gjithë vendin, është një fushatë konstruktive me një program të detajuar, i cili prek shqetësimet kryesore të qytetarëve, si punësimi, rendi dhe siguria, ulja e nivelit të varfërisë, taksa progresive, përmirësimi i shërbimeve, një plan zhvillimi për fshatin, etj.. Në qytetin e Elbasanit ne paraqitemi përpara elektoratit edhe me një propozim konkret për ndërtimin e një landfilli modern të përpunimit të plehrave, i cili është një projekt i hartuar nga specialistet më të mirë në Bashkinë e Elbasanit. Për fat të keq, aktualisht Elbasani është  qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në Shqipëri dhe kjo sidomos për shkak të plehrave që digjen në mënyrë mesjetare në një zonë shumë pranë qytetit.

Sa deputetë mendoni se do të marrë forca juaj politike?

Ne synojmë që e majta të marrë nëntë deputetë në Qarkun e Elbasanit. Ky është sigurisht një objektiv i arritshëm, duke u bazuar edhe në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, por sidomos edhe në situatën aktuale shumë të vështirë, në të cilën ndodhet Elbasani, i cili prej vitesh identifikohet si qyteti i papunësisë dhe ndotjes. Qeveria jo vetëm nuk e ka zgjidhur këtë situatë, por përkundrazi e ka rënduar atë akoma më shumë.

Si i shihni kandidatët kundërshtarë?

Duket qartë që kundërshtarët nuk janë aspak të besueshëm në popull për shkak të premtimeve të pambajtura gjatë gjithë këtyre viteve në qeverisje. Po marr vetëm një shembull, premtimin e qeverisë lidhur me hapjen e 160.000 vendeve të reja të punës gjatë mandatit të kaluar. Në fakt, jo vetëm që nuk u hap asnjë vend i ri pune, por përkundrazi shqiptarët humbën 51.000 vende pune. Ndërkohë, sot qeveria premton përsëri hapjen e 250.000 vendeve të reja të punës dhe habitem si mund të pretendojë besim në popull për një fakt që është kaq i prekshëm.

Si mendoni, koalicioni PS-LSI e ka dëmtuar elektoratin tuaj apo e ka forcuar?

Pa dyshim e ka forcuar. Unë jam shumë optimiste për bashkimin e të majtës në Shqipëri. Edhe elektorati tashmë e ka pranuar dhe e ka kuptuar shumë mirë që ky koalicion garanton fitoren e thellë në 23 Qershor.

A mendoni se keni struktura të mjaftueshme për të mbrojtur votën dhe për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë qark, duke ditur që dhe në KQZ, PS-ja nuk ka anëtarë?

Ne nga ana jonë kemi marrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur votën e qytetareve, ndërkohë që, e vlerësojmë shumë të rëndësishme që të kemi pjesëmarrje masive në zgjedhje. Sa më masive të jetë pjesëmarrja e qytetarëve, aq më e madhe do të jetë diferenca e votave në favorin tonë dhe aq më e vogël mundësia që të vidhen zgjedhjet. Prandaj, në të gjitha takimet që organizojmë, ne përpiqemi të ndërgjegjësojmë njerëzit për rëndësinë dhe kontributin që ka çdo votë. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksojmë që përgjegjësia kryesore për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme bie fillimisht mbi qeverinë e më pas mbi forcat e tjera politike dhe aktorët që përfshihen në to. Ne, sigurisht, jemi shumë të interesuar dhe do të japim kontributin tonë maksimal për të realizuar zgjedhje me standarde demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.