Jakup B. Gjoça/ Kolegji Zgjedhor, karemi i PD-së për PS-në

513
Sigal

Kolegji Zgjedhor ka pranuar 2 paditë e PS-së  lidhur me 3 qendrat e votimit të vendosura në njësinë numër 4, në pronësi të familjes Kuka, si edhe  ka pranuar kërkesën e PS për vendin e numërimin te votave në Fier. Kolegji Zgjedhor ka vendosur që votat e KZAZ 59 të numërohen në qytetin e Fierit dhe jo Dermenas. Domethënia e dyfishtë e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor.

Së pari,  KQZ-ja e Lefterie Lleshit, ka minuar mirëbesimin e procesit zgjedhor

Edhe Kolegji Zgjedhor dëshmon që vendimet e KQZ-së, me 4 anëtarë janë tërësisht të njëanshme, të paragjykuara politikisht dhe jo në funksion të mbarëvajtjes dhe  frymës të mirëbesimit të procesit të zgjedhjeve. KQZ-ja dhe kryetarja e saj, Lefterie Lleshi çdo vendim që marrin, e kanë në funksion të interesave partiake të atyre që u shërbejnë. KQZ-ja nuk mund të vendosë që qendrat e votimit të vendosen në pronësi të atyre njerëzve që janë militantë partie, duke vënë që në fillim  në dyshim besueshmërinë. Po kështu, edhe për vendimin e KQZ-së, që votat e KZAZ numër 59 në Fier, të numërohen në Dermenas, e jo në Fier, duke i lënë  të hapur mundësi për manipulim.

Së dyti, Kolegji Zgjedhor, ndërton alibinë e (pa)anshmërisë

Kolegji Zgjedhor, duke marrë 2 vendime “pro” PS-së dhe kundër KQZ-së, po ndërton alibinë politike të  paanshmërisë së saj partiake. PS-ja, që në fillim ka shprehur publikisht mosbesimin e saj, te Kolegji Zgjedhor, duke e cilësuar si të njëanshëm. Por Kolegji Zgjedhor, me këto 2 vendimet e tij pro PS-së, mbjell në publik përshtypjen se ai është i paanshëm dhe në shërbim të së drejtës, pavarësisht ngjyrimeve dhe interesave partiake. PS-ja, me këto 2 vendime pro saj, nuk mund të ketë argumente kundër njëanshmërisë të Kolegjit Zgjedhor. Sepse, akuzat e saj do të rrëzohen lehtësisht me argumentin, që PS-ja është kundër Kolegjit Zgjedhor, jo në parim, por vetëm kur i preken interesat e saj partiake. Sepse kundërshtinë e saj në parim, PS-ja e ka humbur ndaj Kolegjit Zgjedhor, që kur i dërgoi ankimimet e saj, për të cilat iu dha e drejta.

Karemi  politik i PD-së për PS-në

Vendimet  e Kolegjit Zgjedhor pro  PS-së  mund të jenë edhe karemi politik që PD-ja i hedh PS-së, për t’i rrëzuar në të ardhmen çdo kundërshti, çdo akuzë politike që mund të ketë PS-ja ndaj vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Në fakt, PD-ja nuk shqetësohet dhe kaq shumë për këto thërrime vendimesh, të Kolegjit Zgjedhor, që janë pro PS-së, sepse nuk vendosin fatin e zgjedhjeve. PD-së vetëm një vendim i Kolegjit Zgjedhor i duhet patjetër. Ai i certifikimit të rezultatit zgjedhor. Dhe, meqë KQZ-ja me 4 anëtarë, do ta ketë të pamundur që të  marrë vendimin e certifikimit të rezultatit zgjedhor të 23 Qershorit, do të jetë Kolegji Zgjedhor, instanca gjyqësore që do të ketë këtë kompetencë. Madje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila u vetëpërjashtua nga kompetencat kushtetuese për të marrë në shqyrtim ankesa të individëve dhe subjekteve politike, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, është Kolegji Zgjedhor, ai që do të japë vendimin përfundimtar. PS-ja, përballë këtij realiteti politik, do ta ketë të vështirë të bëhet e besueshme se Kolegji Zgjedhor, është një organ i njëanshëm, për dy arsye, që vetë PS-ja ia dha Kolegjit Zgjedhor. E para, sepse PS-ja e njeh Kolegjin Zgjedhor si institucion i paanshëm, derisa i ka përcjellë ankimime të procesit zgjedhor, që i interesojnë. Dhe e dyta, Kolegji Zgjedhor, sa herë e ka parë të ligjshme ankesat e PS-së, i ka dhënë të drejtë. Ky është karemi politik i PD-së, që i dha PS-së, për t’u bërë e pabesuar në çdo akuzë të së nesërmes, që mund të ketë për njëanshmërinë partiake të Kolegjit Zgjedhor. Një alibi politike,  që vetë PS-ja e ngriti kundër vetvetes së saj.

Gjykata Kushtetuese vepron si një instancë partiake

Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, ku përjashton vetveten nga çdo kompetencë kushtetuese për të shqyrtuar çdo ankesë të çdo individi apo edhe subjekteve politike, lidhur me procesin zgjedhor. Në vendimin nr. 35 datë 07.03.2013  Gjykata Kushtetuese  nuk ka pranuar të legjitimojë subjektin zgjedhor kërkues, PS-në,  për të verifikuar kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur nga Kuvendi  për ndarjen e mandateve të deputetëve, ku sipas Kodit Zgjedhor, kjo kompetencë kushtetuese i takon KQZ-së.  Me vendimin nr. 53, datë 07.05.2013 të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë nxjerrë përfundimisht jashtë juridiksionit kushtetues kontrollin për respektimin e standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Të gjitha arsyet e listuara prej Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përligjjen e saj për të qëndruar jashtë kontrollit të vendimmarrjes gjyqësore për të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në të vërtetë të bindin për të kundërtën. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankesën e individit në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës, nuk mund të kufizohet nga paapelueshmëria e vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Të konkludosh dhe, për më tepër, të kërkosh të zgjidhësh në mënyrë përfundimtare juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet mos lejimit të ushtrimit të ankimit kushtetues ndaj vendimeve gjyqësore, për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe, për më tepër, duke ndryshuar tërësisht jurisprudencën e mëparshme, pa arsyetuar mbi shkaqet e këtij ndryshimi, nuk është  një zgjidhje të drejtë, por është një devijim të paarsyeshëm nga standardet evropiane të gjykimit kushtetues, të cilat e dëmtojnë imazhin e këtij autoriteti të lartë. Gjykata Kushtetuese me vendimet vetëpërjashtuese  të ushtrimit të kompetencave kushtetuese për procesin zgjedhor,  do të thotë që është e kapur nga maxhoranca, ndaj edhe do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore.