Prof. Dr. Myslim PASHA / Skënderbegasit dhe “Imamët” politikë të Forcave të Armatosura

694
Sigal

Shërbimi i  skënderbegasve, si në një simetri të vërtetë është i shpërndarë në të dy kohërat, pothuajse në mënyrë të barabartë, edhe në sistemin e mbërritjes së demokracisë

Në rrjedhën e kësaj fushate elektorale, ku si personazh kryesor,  kërkon me insistim të jetë i vetëm dhe i shenjtëruar, Sali Berisha i Sundimit, një psikozë histerie transmetohet edhe në bashkësinë e shqiptarëve, që shkojnë “pas berihajt…” Mirëpo ka pjesë të kësaj bashkësie që kujtohen se mbartet edhe një kujtesë e historisë që nuk duhet harruar, pavarësisht se në cilat shkallë ajo, e ka ndjerë  trysninë dhe ndikimin e sistemeve shoqërore apo ideologjive. Kësillojshëm,  i ka ndodhur edhe  një komuniteti Skënderbegasish, të cilët kanë moshën e Berishës së Sundimit, dhe së bashku me të ndajnë edhe kontributet në atë sistem që shkoi ( edhe pse nuk janë të barabarta!), por që duhen vlerësuar me  qetësi dhe maturi. Mund të hapen udhët e fushatës së ethshme të flamujve, sharjeve dhe “hosanarave” podiumeve, fjalimeve tërë shkumë, por nuk mund të hapen dyert e një shtëpie të kujtimit për Skënderbegasit që mbushin 50 vjet nga matura e Shkollës “Skënderbej”. Atyre iu mbyll dera e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura dhe çelësat e saj i mban Imami dhe “Imamët servilë të Ministrisë së Mbrojtjes.” Ata mund të përdorin mjete deri helikopterë për qejf dhe fushatë, ata mund të ofrojnë salla dhe lektoriume, ata mund të dekretojnë shkarkim gjeneralësh, shkatërrim institutesh, ata mund të mbulojnë Gërdecin dhe sakatimin thelbor të  vlerave të FA, dhe 21 Janarin, gjithashtu,  por nuk kujtohen, se kanë në dorë edhe trajtimin e vlerësimin e burimeve njerëzore në histori, pavarësisht se në cilin sistem kanë qenë këto kontribute.  Sa dëm i bëhet çështjes kombëtare, qasjes për njëjtësimit shpirtëror të të gjithë breznive, duke ndarë gjithnjë me kujdes se ku ka qenë metastaza e krimit që polli komunizmi në Shqipërinë e prapambetur, por duke ruajtur me dinjitet vlerat ashtu si e bëjnë kudo, në ish vendet komuniste të Lindjes. Berisha i Sundimit, i përfshirë nga kompleksi  i sëmundjes së shpirtit, teksa kujton se ka qenë  pjesë nga më  epërmja  e kohës komuniste, dhe Sekretar Partie, na dëshmon këto ditë se kriza që ai prodhon rreth e rrotull, kur kërkon në një farë mënyre “të shenjtërohet”  kjo derëkyçje , doemos që ka shkaqet e veta psikike. Po jo më pak dhe ” Imamët politikë të FA”

Berisha i Sundimit dhe psikoza e dogmatizmit të tij të dikurshëm

Kaloi kështu, një gjysmë shekull,  papandehur ! Jo vetëm habi,  por dhe uri për të përzgjedhur  informacion për atë që quhet e djeshme. “Skënderbegas”, në dëgjim të parë, ngjan më shumë me një  emër epik mesjetar shqiptar, se sa me një emër modern. Ekstremistë të thekur, nuk do të preferonin ta dëgjonin, por veçse  të hidhnin baltë e mallkim, ndaj  një shkolle që në pafajësinë dhe romantizmin e moshave të reja, rriti dhe edukoi brezni ushtarakësh, që nuk kryen kurrë asnjë krim, veçse plotësuan një format të ushtrisë së re shqiptare, pas Luftës së Dytë Botërore,  kur rrotull, shumë herë edhe më të shumta,  ishin formacionet ushtarake të Greqisë dhe ish-Jugosllavisë fqinjë, të Italisë e kështu me radhë. Vjen një kohë, që Imamët e Sundimit, jo vetëm dëshirojnë  kyçjen e derës e kujtesës, të  historisë, të plagimit të shoqërisë, të  minimit të  tipareve të kohezionit kombëtarist, por veprojnë sipas një strategjie të projektuar. Thinjat e skënderbegasve nuk janë vetëm një metaforë. Berisha i sundimit e ka shprehur disa herë se ai nuk dëshiron t’i kujtojë brezat e oficerëve, as të kujdeset për standardet e sotme të pensioneve, prej frikës së nostalgjisë…, që mund t’i ngjitet,  sepse  në nënvetëdijen e tij, qëndron kompleksi i njeriut dogmatik të Sekretarit të Partisë, që  kërkon të mbulojë humnerën e tij psikike që e mundon në çdo hap. Ngjarje dramatike  rrodhën pas viteve ’60 e në të cilat skënderbegasit u gjendem të veshur me uniformën, por dhe me betimin ushtarak. Ata ishin brenda epizmit për të mbrojtur Shqipërinë e re, dhe nuk ishin kurrë përgjegjës, kur gradualisht  po futeshin edhe brenda dogmës ushtarake,  që erdhi vetvetiu, prej sistemit  që filloi të hante vetveten.

Përfytyrime tragjike, me gjeneralë të pushkatuar

Lëvizin  shikimin, tek kthehen pranë njëri-tjetrit,  për t’u riformatuar si 50 vjet më parë, kur ishin  aq të rinj. Ata vinin nga  burime të pandotura dhe ndodhi që nga afër të shihnin,  tek hynin në dyert e shkollës “Skënderbej” Enver Hoxhën, Mehmet Shehun i egër…Pastaj, gjeneralët, pas njëri-tjetrit, Beqiri dhe ” dy vezë që përplaseshin…”, Petrit  Dumja, si shpirti i ushtrisë,  që lozte futboll, basketboll në fushat skënderbegase, me një lab tjetër që drejtonte ideologjinë në ushtri, Hito Çakoja… Pas disa muajsh, do të binin nga plumbat e pushkatimit, diku larg në grykën e Vranishtit. Heronj të Luftës së Dytë Botërore, të cilët ishin si një parzmore epike, gremiseshin me të pabërat ushtarake, si tradhtarë, tek mërmëritin fjalë pakuptim ndër gjyqe:  Rahman Perllaku, Sadik Bekteshi, Halim Ramohito, Muhamet Prodani, Andon Sheti ,Todi Naçi; Vaskë Gjino; Abas Fejzo; Edip Ohri; Arif Hasko; Dilaver Poçi etj…dhe një vargan i tërë ushtarakësh …Terminologjia sa vinte bëhej edhe më drithëruese; “dalje nga Traktati i Varshavës…” ” Ushtari kinez Lej Fen…” “Teza të zeza të Artit Ushtarak Popullor”, ”  “Puç ushtarak”, ” Tunele pafund…” “Tërheqja në male…” Këto që të gjitha, i ndërmendin skënderbegasit. Në shkollën e tyre griseshin fotografitë, sapo vinin nga aktivi i Durrësit, shkallmoheshin muzet dhe retushoheshin imazhet, ata që kishin hyrë e kishin dalë nga këto dyer,  duhet të harroheshin… Kish filluar vetasgjësimi. Këto ata i bartin me vete, e këto janë pjesë të historisë, për të cilën ata as janë nostalgjikë, por as edhe mohues të vlerave të vërteta.

Në vend të epilogut

Skënderbegasit nuk janë  “sehirxhinj”, por ata dinë të vlerësojnë një Gërdec Ushtarak të shpërthimit korruptiv shtetëror dhe vdekjes, ashtu sikundër edhe 21 janarin, ku gjeneralë të Gardës së Sundimit, oficerë të të gjithë rangjeve, qëlluan mbi popullin e tyre dhe tani buzëqeshin në fushatën e virusit antikombëtar. Ndërkohë, një Imam Politik ngrihej edhe kundër të vrarëve… ashtu siç porosit sot  të mbyllen dyert e asetit kulturor të FA-së, për skënderbagasit. Berisha i Sundimit në paranojën e tij  për vetveten, ky moshatari i këtyre  skënderbegasve, që iu mbylli derën, lëviz tani me eskorta të tëra  rojesh të Gardës së Sundimit  dhe të të gjithë Policive, Shërbimeve Sekrete, skuadriljeve të helikopterëve, me uniforma apo thjesht ndënë petka civile të investigimeve, me grada dhe tituj në mbrojtje vetëm të një njeriu, që edhe pse kaq shumë formacione e ruajnë në këtë shtet të kapur, ai prapë vesh antiplumb.

1963-2013, PESËDHJETË VJET SKËNDERBEGAS

Ishte viti 1963, kur Shqipëria  ishte shkëputur, tashmë, nga Bashkimi Sovjetik dhe në izolimin e parë ne në riparim të ideologjisë, vijonin ende të këndoheshin këngët ruse, të luftës dhe të ndërtimit, këndoheshin rusisht  “si një gjuhë e dytë!” dhe oficerët që komandonin, thonin: “Mos i këndoni ato këngë! ” Kish filluar vetizolimi. ” Dielli hyri prapa malit. (” Solnce skrillo za garoju…”) Edhe hyrja e diellit ” prapa malit ” ishte një metaforë e dramës së madhe. “Gjë nuk duket erdhi natë e zezë sterrë…”. Paskan ardhur skënderbegasit dhe kujtimet…Ja Kostaq Karoli, gjeneral i lartë që “tani po e përzënë  si me bisht ndër shalë…”, ja Pajtim Ajazi,  ish- ministër, Fitim Halili Komandant i Bazës epike të Pasha Limanit, ja Novruz Sako, Ilmi Qazimi ( drejtues të shkollave ushtarake)  ja Bardhyl Mezini, studiues filozof, ja Vladimir Carcani,  Thoma Konduri  (Drejtor i Artilerisë ) Kujtim Basho, Kujtim Laçi, Selam Haskaj  ( të tre  komandues të lartë e njësive ushtarake)   ja:  Maksut Çallo, Azem Ylviu, Eqerem Gaxholli, (diplomat ushtarak), pastaj Ali Çena, që pati fatin dramatik që të ish Adjutant i parë i Mehmet Shehut… Po mungojnë shumë të tjerë që s’janë më.  Si mund të harrohet Çirim Pulaj,  i cili ra në vitin 1981 me njëzet studentë të tjerë skënderbegas në ortekun e Fekenit. Sa keq që nuk mund të përmenden  të gjithë ata skënderbegasit e vegjël të para gjysmë shekulli që kishin ardhur nga çerdhja “Skënderbej”. Shërbim përpjekjesh, larg në kohë, ndjehet  Aventura “…  se si do të përballoheshin  armiq të jashtëm e të brendshëm dhe koalicione armiqsh …” pastaj lojëra ushtarake pambarim,  tunele dhe bunkerë të mbirë në të gjithë relievin, anë e kënd. Këtë epizëm ireal e solli ideologjia, por kurrë, fryma kombëtariste, që kishin brenda vetes. Shërbimi i  skënderbegasve, si në një simetri të vërtetë është i shpërndarë në të dy kohërat, pothuajse në mënyrë të barabartë, edhe në sistemin e mbërritjes së demokracisë. Ndër ata, që u është kyçur dera, është edhe Kiço Mustaqi, që në një periudhë në prag të ndryshimeve të mëdha demokratike, mbajti mbi supe detyrën e shtetarit të lartë si Ministër i Mbrojtjes. Ka një buzëqeshje të hidhur, që e shoqëron me fjalët:  ” një luftë klase e re” e projektuar dhe vijuar nga Berisha i Sundimit. Derëkyçjen e provon këtë ditë edhe një mësues i moshuar, tanimë, i letërsisë, që i ka kaluar të tetëdhjetat, Kozma Vasili i shpotive letrare, aq inspirues. Më tej, Ismet Bellova i përgatitjes fizike, ky  ligjërues i fjalës së komentatorit sportiv futbollistik të epërm, që s’do të harrohet kurrë. Copëra bisedash, kujtimesh, gjestesh, nofkash, tiparesh që ndryshojnë por në thelb shpërfaqin origjinat, vijnë e trazohen në një trishtim të vërtetë.