Nga Bashkim Koçi/ TALLAVA…

646
Sigal

Më ka mbetur në mendje intervista e një artisteje të TOB-it në një nga televizionet  informativë seriozë, e cila u zbraz, hodhi në publik të gjithë zemëratën e saj për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por në mënyrën më të drejtpërdrejt për ish-ministrin Bumçi. Problemi që ngriti zonja e nderuar kish të bënte me shpërfilljen që u bën dikasteri talenteve të muzikës operistike, shfaqjeve “më pak të shikuara” nga publiku, të cilat për nga rëndësia artistike, për nga vendi që zënë, janë maja e piramidës së muzikës  dhe më seriozja e Botës së qytetëruar.

Thelbi i revoltës të kompozitores, e cila mezi kish pritur t’i hapej një derë komunikimi (në rastin konkret një ekran TV) nuk kish të bënte as me ndonjë kërkesë për mjedise pune, as për mjete muzikorë apo pse aty ka individë me formim të dobët nga ana profesionale. Jo. Vetëm dhe vetëm pse dikasteri i ka harruar dhe i ka jashtë defterit për t’i përkrahur financiarisht. Aty u sollën shifra marramendëse për lekët që shpenzohen në emër të zhvillimit të artit, kulturës dhe në veçanti për muzikën, por në këtë të fundit pjesën e luanit e “hante” muzika tallava. Përpjekjeve të artistëve profesionistë dhe me plot pasion krijues për të “korrigjuar shënjestrën” e dikasterit, madje të vet ministrit për ta drejtuar atë aty ku duhet, aty ku vërtet bëhet art dhe kulturë, u kanë dalë përpara “gurë” që u kanë zënë rrugën e jo “shkallë” që të çojnë tek gjetja e të keqes të këtij problemi, tashmë të shpërfytyruar. Dhe a e dini pse? Sepse aty drejtonjë, aty këshillojnë, aty vendosin njerëz pa formim profesional e identitet, ashtu si muzika që sponsorizohet me miliona, tallava.

Por do të ishte gjysma e të keqes, gjëja më pak e kushtueshme për këtë vend nëse mentaliteti “tallava” ka gjetur strehë vetëm tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Do të ishte, sigurisht, jo me shumë dëm, edhe nëse “tallavaja” kish hedhur sevdanë vetëm tek një ministër. Problemi është shumë më serioz, në mos skandaloz kur behet “skaneri” i secilit dikaster, i çdo drejtorie apo departamenti që merren me probleme të zhvillimit ekonomik, të shëndetësisë, të arsimit e plot sektorë të tjerë të rëndësishëm. Për fatin tonë të keq duhet të pranojmë se këtë vend, këtë Shqipëri, cep më cep të hartës tonë shtetërore  e drejtojnë dhe e menaxhojnë një takëm individësh që nuk i lidh asgjë me postin që mbajnë. Rrafshimin apo drejtimin e frikshëm që u kanë dhënë disa sektorëve, sidomos shëndetësia dhe arsimi nuk do ta kish bërë as tërmeti më i fuqishëm. Pra, duam apo nuk duam, na tremb apo nuk na tremb panorama që na shfaqet, duhet pranuar se flakët e këtij  “zjarri”, të vënies në krye të punëve njerëz me kokën bosh, kanë “djegur” gjithçka e nuk ka më “ç’të digjet”.

Faktet janë kokëfortë. Jo në një rast janë bërë publikë nga media se drejtor i një spitali në rang kombëtar ka qenë një sharrëtar; drejtor, në një shkollë me emër në kryeqytet, është një mësues i transferuar nga “prapa shtatë maleve”, i mirëfillti mediokër; lëndën e matematikës e jep mësuesi i kualifikuar për sportet, ndërsa lëndën e gjuhës anglezë e shpjegon një tjetër, i cili ka mbaruar për gjuhë ruse. Krejt së prapthi, si një gjëmë që synon të na ç’bëjë me themel. Ja këta janë, ky kallëp drejtuesish marrin vendime dhe udhëzojnë për të arritur Europën. Dhe kam përshtypjen që ky mentalitet dominon në të gjithë sektorët, të rëndësishëm apo më pak të rëndësishëm. Fjala vjen, në këto ditë ku qeveria nxiton të presë sa më shumë shirita, rrugët e Tiranës janë marrë në dorë, pra  po ndërtohen, piketohen, shtrohen apo vizohen nga punëtorë të pakualifikuar, të punësuar aty vetëm si militant të politikës, të Partisë Demokratike. Vetëm me një vrojtim të sipërfaqshëm, jo prej profesionisti merret vesh se në këtë aksion me rastin e zgjedhjeve të 23 Qershorit çdo metër rrugë e përgatitur, madje e përuruar ka fytyrën e ndërtuesit, të atyre që nuk kanë bërë, qoftë edhe një rrugë fshati. Gjendja në të cilën është drejtimi i punëve, të mëdha e të vogla, është vërtetë për tu shqetësuar, për të vënë duart në kokë. Për mendimin tonë është në kufijtë e alarmit. Na ka dalë përpara një “godinë” e ndërtuar pa leje, e cila duhet të shembet. Por ajo që nuk po shikojmë e dëgjojmë nga opozita është pikërisht kjo, që nuk po i bihet “me top”, ashtu si edhe e meriton të trajtohet ky problem kyç për të Rilindur, për të rrafshuar njëherë e mirë mentalitetin turkoshak “tallava”.

Fatet e kombeve, por dhe të njerëzisë shpesh, për një arsye apo për një tjetër, qëndrojnë “të fshehura”. Na duken kështu, por realisht të keqen e kemi përpara syve, e që na i ka zënë sytë. Krejt papritur, në një çast të caktuar, ja bën ajo që nuk e kemi parashikuar kurrë. Dhe jemi shumë pranë, mund të rrëzohemi  keqas, pa na shtyrë njeri. Sepse po e trajtomë këtë vend të bekuar nga Zoti shumë keq, barbarisht, si të jesh i ekzaltuar nga muzika tallava.