Lubonja i përgjigjet Kryeministrit: Për Edi Ramën që nuk shqyen pula, por është i rrezikshëm për vendin

Nga Fatos Lubonja

Shfaqjen e Ramës në emisionin “Të paekspozuarit” e ndoqa me vëmendje jo vetëm për arsye se është emisioni në formatin e të cilit bëj pjesë, por edhe pse shumë njerëz më morën në telefon për të më pyetur se pse nuk isha aty sëbashku me Bushatin. Kur u thashë se Edi Rama nuk vinte në emision po të ishim ne, një pjesë shprehën habinë, duke më kujtuar se me ne ishin ulur përballë edhe lideri i opozitës Basha edhe Kryetari i kuvendit Ilir Meta; të tjerë thanë “sjellje “normale” kjo për Ramën”. Megjithatë, të dy palët nuk e kanë pritur, besoj, që Rama, në vend se të mos merrej me ne personalisht, përderisa nuk kishte dashur të ishim aty, do të bënte krejt të kundërtën.

Sikurse u pa, lajtmotivi i diskursit të tij ishin “gazetarët e katundit”, si unë dhe Bushati, që, sëbashku me Ylli Rakipin, “hamë pula dhe prodhojmë gjellë qensh” dmth. mut. Në momente të tjera “gjellën e qenve” që ne prodhojmë ai e quajti “fake neës”. Arsyen se pse gazetarët e katundit e prodhojnë këtë gjellë e shpjegoi me atë se janë të blerë me lekët që ua japin ata që kanë interesa kundër tij, – ndërsa unë e prodhoja edhe pa lekë, nga marrëzia.

Kështu, sipas Ramës, ideja se vendi është në krizë morale, ekonomike, politike është një lajm i rremë, kurse Shqipëria përtej katundit, jeton e punon e lumtur nën udhëheqjen e tij dhe të Rilindjes së tij.

Në këtë shkrim nuk dua t’i drejtoj Ramës replikat e munguara, por s’mund të mos ve në dukje, se fakti që ai na hoqi me kaq lehtësi nga emisioni tregon se, nëse ka një “katund mediatik” këtu tek ne, – dhe jo me shtëpi fshati, por me vila dhe pallate luksoze shumë milionëshe, – ky është katundi i ngritur sipas projektit të tij, me paratë publike e me lejet e tij të ndërtimit të dhëna sipas parimit “një pallat një votë”. Në këtë aspekt sjellja dhe fjala e tij në atë emision kundër nesh ishte shprehje e nevojës së sëmurë për të dëbuar nga ekrani edhe ata pak gazetarë që ende qarkullojnë të lirë në katundin e tij. Ishte gjithashtu edhe ilustrimi më i mirë i portretizimit që i kam bërë si politikan i rrezikshëm për vendin sepse i paaftë për të dëgjuar kritikën, për të ndryshuar sadopak mendim nën ndikimin e kujtdo që i thotë të vërteta që shkojnë kundër nevojave të patologjisë së tij prej narçizisti malinj.

Megjithatë, besoj se duke vazhduar detyrën e gazetarit, vlen të merremi me tezën manipulative që ka hedhur Kryeministri lart e poshtë, e që qarkullon deri në rrethe diplomatike, se në Shqipëri punët shkojnë bukur e mirë me këtë qeveri, por se kriza është produkt i interesave të një opozite që ka frikë nga Vetingu dhe nga humbja e zgjedhjeve dhe e ndoca gazetarëve që hanë pulat që ua jep Basha dhe miku-armiku i tij Ilir Meta për të prodhuar “fake neës”.

Le të merrem pra me argumentin: a ka apo nuk ka krizë të vërtetë në Shqipërinë e madhe jashtë katundit, sigurisht jo për të replikuar me Ramën, por për të arsyetuar me ata që besojnë sinqerisht se s’ka krizë. Pa dyshim që në mungesë të të dhënave serioze nga institucione serioze apo nga shoqëri civile serioze mund të thuhet se, në këtë çështje, ka edhe subjektivitet. Për ta shmangur sa të mundem këtë po e nis arsyetimin tim duke iu referuar një deklarate të vetë Ramës, para se të merrte pushtetin. Duke folur për gjendjen e vendit ai shprehej se shqiptarët vuanin një “sistem ku është e pamundur të jetosh si njeri i ndershëm.“ Besoj se s’ka përkufizim më të mirë për një krizë. Kjo nënkupton krizë morale, shoqërore, ekonomike, por edhe krizë të thellë besimi tek politika. Duke qenë se e kam thënë edhe vetë një pohim të tillë, e marr si plotësisht të vërtetë, aspak “fake” dhe po e ndërtoj arsyetimin mbi këtë pohim.

Le ta analizojmë situatën e sotme në Shqipëri nën dritën e këtij pohimi. Pyetja që shtrohet është: çfarë na ka sjellë Rama gjatë katër vjetëve që është në pushtet, a e ka lehtësuar apo e ka rënduar këtë gjendje krize të njerëzve të ndershëm dhe të politikave të ndershme? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po shmang sa të jetë e mundur argumentet që përmbajnë subjektivitet, dhe po u referohem dy prej zhvillimeve që janë më domethënësit dhe me të dhëna nga më të pakundërshtueshmet.

Së pari, sipas të dhënave që vijnë sa nga Guardia di Finanza dhe Antimafia italiane sa nga Europoli e sa nga Departementi i Shtetit (përveç asaj që shohim e dëgjojmë përditë në Shqipëri) gjatë periudhës që kemi Edi Ramën kryeministër sasia e drogës së trafikuar është shumëfishuar, si rezultat i shumëfishimit të mbjelljes së kanabisit. Nëqoftëse këtë do ta përkthejmë në termat e pohimit të Kryeministrit se kemi jetuar në një sistem ku është e pamundur të jetosh si njeri i ndershëm kjo do të thotë se tani kemi shumë më tepër njerëz që merren me krim, që nga ata të thjeshtët që e mbjellin dhe e korrin kanabisin, deri tek policë e shefa policie, doganierë e pushtetarë të lartë të implikuar me këtë trafik. Me fjalë të tjera jemi në shumëfishimin e numrit të njerëzve që nuk jetojnë në Shqipëri si njerëz të ndershëm. Nuk po hyj këtu në argumentimin nëse ky shumëfishim është bërë me qëllim apo pa qëllim se kjo mund të quhet subjektive. Po bëj thjeshtë aritmetikë.

Së dyti: është një e dhënë e pakundërshtueshme se gjatë periudhës së Edi Ramës kryeministër u rrit shumë numri i shqiptarëve që braktisën vendin për të kërkuar azil. Piku ka qenë viti 2015, në kulmin e qeverisjes Rama, pasi u pa efekti i “reformave’ të tij, kur, sipas Eurostat-it numri i azilkërkuesve arriti në 65000 dhe Shqipëria u radhit e dyta pas Sirisë. Alarmi për këtë është dhënë në Gjermani, në Britani, Holandë. Le Monde më 30 dhjetor 2016 i ka kushtuar një shkrim kësaj çështjeje ku thotë se edhe në Francë shifra e azilkërkuesve është trefishuar.

Krahas këtij fenomeni kemi edhe fenomenin e fëmijëve të braktisur nga prindërit në vendet evropiane. Sot Shqipëria është (sëbashku me Kosovën) i vetmi vend evropian që e vuan këtë fenomen. Sipas një raporti që vjen nga Britania e Madhe lidhur me këtë fenomen, në kohën e qeverisë Rama, numri i fëmijëve të abandonuar nga prindërit që vijnë nga Shqipëria vjen pas Afganistanit.

Çfarë do të thotë gjithë kjo nën këndvështrimin e idesë se Shqipëria është një vend ku – siç thoshte Ramë më 2013, – nuk është e mundur të jetosh si njeri i ndershëm? Do të thotë se më një anë këta katër vjet është shtuar numri i atyre që jetojnë në mënyrë të pandershme në sajë të krimit dhe, më anë tjetër, është pakësuar numri i atyre që duan të jetojnë në mënyrë të ndershme, sepse ikin. Mos të harrojmë se kombinimi më i keq i këtyre të dyjave është rritja në Evropë e organizatave kriminale që drejtohen nga shqiptarët, që pastaj investojnë në Shqipëri duke ua bërë edhe më të vështirë jetën kujtdo që do të merret me biznes të ndershëm. E këtu përsëri do të shtojmë se fakti se Rama i ka shumë qejf kapot e tyre, ka bërë që të rritet numri i deputetëve dhe kryetarëve të bashkive që vijnë nga këto rradhë.

E pra, a nuk do të thotë kjo aritmetikë e thjeshtë se kriza e një vendi ku s’jetohet me ndershmëri është rritur me të gjitha implikimet morale, shoqërore, ekonomike dhe politike. Ja kaq e thjeshtë më duket përgjigja e pyetjes nëse është e vërtetë që ka krizë, siç themi ne gazetarët pa katund, apo kemi të bëjmë me “gjellë qensh” apo “fake neës” siç thotë Edi Rama.

Këtu, duke hyrë në interpretim, pra duke futur edhe subjektivitetin, çështja shtrohet se si dilet nga kjo krizë. Personalisht mendoj se kriza e sistemit ku nuk jetohet dot si njeri i ndershëm, ka arritur me Ramën në një fazë shumë më të rrezikshme që reflektohet pastaj edhe në atë që po ndodh. Të gjithë e dinë se në Lazarat votohej gjithnjë PD-ja edhe për shkak të lidhjeve të krimit atje me PD-në. Të flitej për ekzistencën e opozitës në Lazarat ishte bërë gati qesharake. Sot kemi një lazaratizim të krejt Shqipërisë që na ka çuar në një pikë të atillë saqë askush nuk beson më se mund të prodhojmë ndryshime në emër të njerëzve të ndershëm në Shqipëri. Zgjedhjet në Dibër ishin prova më dramatike e kësaj. Futja e opozitës në çadër duhet parë si luftë për mbijetesë e një opozite që rrezikon të shkrihet në një Shqipëri të lazaratizuar krejtësisht nga partia në pushtet dhe ku njerëzit e ndershëm ikin pasi ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen e tyre. Edhe ajo pra është pjesë dhe reflektim i krizës.

Prandaj gjykoj se kthimi i rrjedhës dramatike që ka marrë vendi, nuk mund të kryhet me zgjedhje normale, sikurse thotë Rama, por duke e shfrytëzuar këtë krizë politike që ka provokuar opozita për të reflektuar, dialoguar dhe gjetur zgjidhjen më të mirë për fillimin e ndërtimit të një vendi ku të mund të jetohet si njerëz të ndershëm.