Sigal

“Dhuna është shenja e parë e frikës së pushtetit dhe mjeti i fundit që parathotë rënien e tij”, shprehet zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama, i cili përmes një postimi në Facebook, i dërgon një mesazh kryeministrit

“Gjuha e urrejtjes dhe e përçmimit ndaj shqiptarëve të ardhur prej viseve të Veriut të Shqipërisë e që me apo pa leje, de facto janë bërë banorë të Tiranës, etiketimi i tyre ‘shpellarë’ apo ‘malokë’ dhe përpjekja djallëzore për t’i vënë ata në konflikt me banorët e tjerë vendas apo të ardhur më herët tek Unaza e Re apo edhe gjetiu në Tiranë, është shprehja me e qartë e filozofisë armiqësore dhe selektive të Kryeministrit ndaj një pjese të popullsisë së vendit të vet. 

Ja postimi i plotë i Luan Ramës:

“Por Kryeministri duhet të ketë mirë të qartë një gjë: dhuna është shenja e parë e frikës së pushtetit dhe mjeti i fundit që parathotë humbjen dhe rënien e tij. Banorët e Unazës së Re nuk kanë se çfarë të humbasin më shumë se shtëpitë, e ata nuk janë prej atyre që i tuten apo i tremben dhunës! Prandaj, dialogu me ta e jo dhuna, transparenca dhe jo imponimi janë e vetmja mundësi që ka Kryeministri t’a shpëtojë veten prej turpërimit dhe humbjes prej dhunës që vetë e provokoi dhe e nisi i pari. Urrejtja ndaj fqinjit, ndaj tjetrit a cilitdo qoftë; i pasur a i varfër, malësor, fusharak, lab a qytetar, besimtar në qoftë ose jo, është një prej Dhjetë Ndalimeve, që nga Libri i Moisiut. Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e zotit, e kush ka sado pak mend në kokë, nuk shkon me forcë e as përdor dhunën kundër të zotit të shtëpisë, se nuk preket me dorë baba para femijëve e as fëmijet në sy të babës”, shton ai.