LSI thirrje të fortë ambasadorëve: Lu e Vlahutin, ç’prisni? Reforma në drejtësi ra

217
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar sërish qeverinë e Ramës se ka rrëzuar reformën në drejtësi. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shprehet se edhe shqiptari më i fundit sipas tij nuk e ka harruar se ambasadorët Lu e Vlahutin, garantuan që ligjet e reformës në drejtësi do t’i bënin ekspertët. Sipas Vasilit, Rilindja e shkeli këtë parim dhe se ligjet e reformës tashmë i përkasin totalisht Rilindjes. “Lu dhe Vlahutin ç’prisni (?), reforma në drejtësi u kap nga Rilindja, askush nuk beson më te ajo. Rilindja rrëzon përfundimisht reformën në drejtësi. Edhe shqiptari më i fundit nuk ka harruar se u garantuan publikisht nga ambasadorët Lu dhe Vllahutin, se ligjet e reformës ne drejtësi do t’i bënin ekspertët dhe do të vinin për miratim pa ndryshime në parlament. Por, Rilindja e shkeli dhe e shtypi këtë parim. Tani ligjet e reformës i bën totalisht Rilindja”, shkruan Vasili. Më tej ai shton se jo vetëm që tani i përkasin Rilindjes, por madje sipas tij mbrëmë i ndryshoi totalisht edhe përmbajtjen edhe titullin ligjeve që ekspertët përgatitën; ashtu siç bënë edhe me vetingun dy javë më parë, ku i shkurtuan edhe njerëzit edhe paratë. “Reforma në drejtësi ra. Parimet e reformës dhe grupi i ekspertëve me Euralius dhe Opdat u asgjësuan. Reforma u kap nga Rilindja ditën për diell. Lu dhe Vlahutin, reagoni! Ç’prisni!? Zhgënjimi popullor është i madh. Askush nuk beson më tek reforma në drejtësi”, përfundon Vasili.