Roland Iljadhi: Skënderbeu meritonte rezultat pozitiv, me polici “luhen” vetëm ndeshjet me terroristë

596
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Flamurtarit, i shënoi 30 vite më parë në Vlorë Partizanit të Beogradit 
Si e përshkruani takimin që Skënderbeu luajti të enjten me Partizanin e Beogradit?
Së pari, do të thosha se ishte një ndeshje që e ndoqa me emocion të veçantë, sepse m’u kujtua kur luajta 30 vite më parë në atë stadium. Ne luajtëm më 30 shtator 1987, ndërsa Skënderbeu më 2 nëntor 2017, dhe kjo periudhë ka shumë diferenca e ndryshime.

Po rezultati 2-0 për Partizan, mendoni se iu përgjigj tërësisht lojës?
Jo, unë mendoj se rezultati nuk ishte në respekt të lojës që zhvilluan skuadrat, e këtu më shumë për Skënderbeun, sepse sipas meje, duhet të kishte dalë minimalisht i barabartë nga kjo sfidë, në mos i fituar. Dominoi në pjesën e parë në çdo tregues, por nuk shënoi. Lëshoi në pjesën e dytë, gaboi në dy raste dhe u ndëshkua.

Ku gaboi Skënderbeu që doli pa pikë nga kjo sfidë në Beograd?
E përmenda më sipër mangësinë, pasi lëshoi shumë në lojën e tij në pjesën e dytë. Kryesisht në mbrojtje, por edhe Gavazaj e Xhejms, këto ishin dukuritë që e penalizuan Skënderbeun, pasi këtu u shfaqën shenja lodhjeje, dhe për pasojë zëvendësimet duheshin bërë më shpejt.

Trajneri Daja është ankuar për prezencën e madhe të policisë e ngarkesën psikologjike që kishte kjo sfidë, kanë ndikuar këto në lojën e skuadrës korçare?
Natyrisht që po. Cilido që e ka kaluar atë çka Skënderbeu përjetoi në Beograd në dy treguesit që ka shprehur trajneri Daja, them se ato kanë ndikuar në më shumë se 50% në performancën e Skënderbeut. 

Duke qenë se ju keni luajtur në Beograd, e mendoni anën psikologjike ndikuese në rezultatin e ndeshjes?
Unë i jap plotësisht të drejtë trajnerit Daja. Ndoshta këto ndeshje duheshin luajtur në fusha asnjanëse, në të mirën e të dyja skuadrave. Kështu do të dukeshin vlerat reale të tyre në fushën e lojës. Me policë në Evropë, vetëm “ndeshjet” me terroristë luhen, jo në futboll.

Në 4 ndeshje, Skënderbeu ka mundur të marrë vetëm 2 pikë, është shprehur plotësisht skuadra korçare në këtë grup?
Unë mendoj se është shprehur mirë në fushën e lojës, por prej saj nuk ka marrë as mesataren e mundshme. Kjo sa për fatin e munguar, aq edhe për përvojën e pakët në raport me të tre kundërshtarët. Ka shënuar i pari në në Kiev dhe në Elbasan, dhe ka humbur apo ka barazuar.

Nga Evropa Ligë te Kategoria Superiore shqiptare, si i shikoni ndeshjet e javës së nëntë të saj?
Kjo javë ka ndeshje të forta, por në tërësi të pesta janë interesante. Si kryendeshje të javës do të veçoja Flamurtari-Kukësi. Janë dy skuadra të kreut, ku vlonjatët kanë pasur më shumë stabilitet në tetë javë, ndërkohë që Kukësi si Kampion në fuqi ka luhatje.

Duke qenë se këto janë ndeshjet e fundit të fazës së parë, mendoni se do të kemi ndryshime të dukshme në tabelën e renditjes?
Në raport me ndeshjet që ka në kalendar java e nëntë, vetëm te Partizani shikoj se mund të ketë ngjitje në renditje, duke menduar se do ta fitojë ndeshjen në Kamëz. Te skuadrat e tjera, besoj se do të mbetet kjo renditje e fazës së parë.
Unë i jap plotësisht të drejtë trajnerit Daja. Ndoshta këto ndeshje duheshin luajtur në fusha asnjanëse, në të mirën e të dyja skuadrave. Kështu do të dukeshin vlerat reale të tyre në fushën e lojës. Me policë në Evropë, vetëm “ndeshjet” me terroristë luhen, jo në futboll
4 ndeshje
Kaq ndeshje ka luajtur Skënderbeu në UEFA Evropa Ligë, duke arritur 2 barazime dhe 2 humbje
1 fazë
Me ndeshjet e javës së 9-të që luhen këtë fundjavë, Kategoria Superiore mbyll fazën e parë të saj

UEFA EVROPA LIGË
Grupi B/ U luajtën
E enjte, 2 nëntor 2017 
Jang Bojs-Dinamo K 0-1 
Partizan B-Skënderbe 2-0 
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Dinamo K 4 10
3.Partizan B 4 5
2.Jang Boys 4 3
4.Skënderbeu 4 2
Ndeshjet e mbetura
Datë 23 nëntor 2017 
Partizan-Jang Bojs 21:05
Skënderb.-Dinamo K 21:05
Datë 7 dhjetor 2017 
Jang B-Skënderbeu 19:00
Dinamo K-Partizan B 19:00
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 9-të
Të shtunën, 04.11.2017 
Luftëtari-Lushnja 14:00
Kamza-Partizani 14:00
Teuta-Laçi 17:00
Të dielën, 05.11.2017 
Vllaznia-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Kukësi 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 8 22
2.Kukësi 8 17
3.Flamurtari 8 15
6.Kamza 8 12 
4.Partizani 8 11
5.Laçi 8 10
7.Teuta 8 7 
8.Vllaznia 8 6
9.Luftëtari 8 5
10.Lushnja 8 5
Sigal