LSI fiton në Kolegj numëruesin e tretë

442
Kolegji Zgjedhor ka pranuar dje kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me caktimin e numëruesit të tretë në KZAZ. Ndërkohë, në radhët e opozitës duhet të hidhet short mes PDIU-së dhe PR-së për të caktuar numëruesin, pavarësisht faktit se partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka qenë pjesë e mazhorancës qeverisëse. Përfaqësuesi ligjor i kësaj partie ishte ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili pohoi se tashmë vendimi i Kolegjit ishte kthim në shtratin ligjor. “Ishte një kthim në shtratin ligjor, shtrat nga ku KQZ kishte dalë. Fakt është që për caktimin e numëruesve në mënyrë arbitrare kishte dalë nga shtrati ligjor, sot e riktheu në shtratin ligjor. Jam shumë i lumtur, i kënaqur që arritëm të motivojmë kërkesën tonë për të kthyer në shtratin ligjor numërimin. nuk është çështja se kush do t’i shqyejë votat, ligji e thotë qartë se partitë politike kanë barrë për të emëruar një numërues. Kam autorizim t’ju them edhe në emër të LSI-së se numëruesit që i takojnë LSI-së do bëjnë detyrën e tyre publike si garant të votës”, tha Manjani. KQZ hodhi më 14 qershor shortin për të përcaktuar anëtarin e tretë të numërimit, ku në tavolinat me numër çift do t’i përkasë LSI-së dhe në ato me numër tek PDIU-së. Por ky vendim u hodh dje poshtë nga Kolegji Zgjedhor. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike do të kenë nga anëtarin e parë dhe të dytë në grupin e numëruesve.
Sigal