LSI/ Erisa Xhixho: Gara për lidershipin e ri të LSI-së, rrit frymën e përfaqësimit politik

88

Me
garën për lidershipin e ri të partisë, Lëvizja Socialiste për Integrim synon të
rritë frymën e përfaqësimit politik. Këtë e ka shprehur kryetarja e Komitetit
Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, në një
intervistë për gazetën “Integrimi”.

Lidhur me tre kandidaturat për
kreun e LSI, Xhixho u shpreh e kënaqur për faktin se ka një garë reale brenda
partisë.

“Jam shumë e kënaqur që ka një garë
reale brenda LSI në zgjedhjet për kryetar, pasi debatet, platformat, diskutimet
e zhvillojnë partinë dhe e hapin atë drejt mendimit ndryshe në funksion të
përmirësimit të vetvetes. Kam mundur të njihem me disa nga mendimet e
kandidatëve, pasi ende jemi në fillimet e garës. Mendoj që është e rëndësishme
që të tre kandidatët janë për hapjen e partisë drejt intelektualëve, rinisë dh
përfaqësimin dinjitoz të tyre”, tha ajo.

Xhixho thotë se procesi i
riorganizimit të LSI do t’i shërbejë shumë edhe zgjedhjeve të përgjithshme të
2017, pasi do të evidentohen dhe promovohen drejtues të rinj në gjithë vendin.

“LSI ndodhet në një moment shume të
rëndësishëm siç janë zgjedhjet të cilat kanë si synim fuqizimin e partisë dhe
hapjen e saj, duke i dhënë mundësi çdo personi të zgjidhet dhe të zgjedhë që
nga organizata bazë e deri te kryetari i partisë, sipas parimit ‘një anëtar,
një votë’”, tha Xhixho.

Ajo vë në dukje se sipas statusit
do të zhvillohen zgjedhjet për delegatët në Konventën Kombëtare të LSI-së, ku
50% e delegatëve do të jenë gra dhe vajza, ndërkohë 30% do të vinë nga LRI.

Sakaq, Xhixho u shpreh se,
“Shqipëria ka nevojë për të rinj të mirëarsimuar dhe të kualifikuar, në mënyrë
që t’i shërbejnë sa më mirë interesave të qytetarëve në qeverisje dhe të
sigurojnë një përfaqësim sa më dinjitoz të tyre”.