A do të hetohen numëruesit që shtuan fletëvotimi në Kutitë e Votimit?

435
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Para datës 30 qershor 2019 mazhoranca dhe kryeministri votuan ndryshime penale në Kodin Penal, ku ashpërsuan dënimet për veprime që dëmtojnë procesin zgjedhor. Qëllimi i qeverisë ishte që të ushtronte një presion psikologjik ndaj opozitës, për ta trembur, që të mos pengonte procesin zgjedhor, sikurse deklaronin krerët e opozitës, që do të pengonin me çdo mjet votimin në 30 qershor. Madje, deri sot në qelitë e paraburgimit mbahen mbi 400 protestues, të cilët janë arrestuar gjatë protestave, si edhe shumë nga këta janë arrestuar pasi kanë prishur mjediset e KZAZ-ve para 30 qershorit. Mirëpo, deri mbrëmë është bërë e qartë se në kutitë e votimit janë hedhur më shumë fletëvotimi nga numri i votuesve. Duke qenë se komisionerë të zgjedhjeve kanë qenë vetëm përfaqësuesit e PS-së, atëherë është e qartë që fletëvotimet janë hedhur në kutitë e votimit nga militantët e partisë, me urdhër partiak. Atëherë pyetja është: Do të dënohen sipas Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal komisionerët që tjetërsuan rezultatin zgjedhor, deri në manipulimin e tij, duke shtuar fletëvotimi në kutitë e votimit? Bëhet fjalë për qindra deri në mijëra fletëvotimi në secilën bashki, ku për ironi, rezultati zyrtar i KQZ-së dëfton se fituesit e rinj kryebashkiakë kanë fituar mbi 100 %. A do të veprojnë ligji edhe mbi manipuluesit e procesit zgjedhor, sikundër vepron edhe ndaj atyre që u munduan ta pengojnë? A do të ketë vullnet politik mazhoranca të dënojë militantët e vet, pse manipuluan rezultatin zgjedhor? A do të dënojë paralelisht edhe urdhëruesit e atyre që hodhën fletëvotimet në kutitë e votimeve? Urdhëruesit kanë udhëheqësit politik të bashkive, janë deputetë, ministra, sepse asnjë militant në komisionet e votimit nuk veproi pa urdhër partiak. Pikërisht, për këtë gjë, opozita akuzon fort maxhorancën, për manipulimin e zgjedhjeve në 2017, me audiopërgjimet e dosjeve “339” dhe “184”, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.