Liberalizimi i vizave, BE-ja: Kosova t`i përmbushë kushtet

465
Sigal

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian,
Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, kanë arritur pajtim rreth mekanizmave për
suspendimin e liberalizimit të vizave, për shtetet të cilat gëzojnë këtë
mundësi, në raste të keqpërdorimeve apo rrezikut nga migrimi masiv.

Me këto mekanizma, që pritet të hyjnë në fuqi së shpejti,
shtetet anëtare do ta kenë më të lehtë te rivendosin vizat me një procedurë
shumë më të shpejtë.

Deri më tash, hyrja në fuqi e këtyre mekanizmave është
përmendur në BE si pengesë që disa shtete të pranojnë heqjen e vizave për tri
shtetet që janë në pritje; Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovën.

Me këtë, nga ana e BE-së janë hequr pengesat politike për
liberalizimin e vizave për këto shtete.

Por, në rastin e Kosovës mbetet të përmbushen edhe dy
kushte: ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe rezultatet
konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pa përmbushjen e këtyre kushteve nga Kosova, thonë në BE,
nuk do të ketë ecje përpara në proces, ndërkohë që dy shtetet tjera i kanë
përmbushur të gjitha kushtet dhe atyre pritet së shpejti t’u hiqen vizat.

“Kjo marrëveshje është e balancuar dhe është
jashtëzakonisht e rëndësishme, si për efikasitetin, ashtu edhe për
kredibilitetin e politikës së unionit për liberalizim vizash. Mekanizmat
ekzistues të suspendimit nuk janë të përshtatshme dhe ato do të përmirësohen.
Në të njëjtën kohë, fakti se kemi arritur marrëveshjen do të duhej të hapte
derën për përparim të mëtejmë në bisedat për liberalizimin e vizave me vendet të
cilat i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme“, ka thënë ministri i
brendshëm i Sllovakisë, Robert Kaliňák, i cili edhe kryeson Këshillin e
ministrave të brendshëm të BE-së.

Më herët, ndër arsyet për suspendimin e të drejtës për
udhëtim pa viza ishin përfshirë rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve të pa
bazë, rritja e numrit të atyre që nuk u lejohet hyrja, apo e atyre të cilët
tejkalojnë afatet kohore të qëndrimit në vendet e BE-së.

Me marrëveshjen e fundit, listës së arsyeve për të cilat
do të mund të rivendosej regjimi i vizave i janë shtuar edhe ulja e nivelit të
bashkëpunimit në riatdhesim, rritje domethënëse e shkallës së refuzimit të
kërkesave për riatdhesim, përfshirë edhe për shtetasit e vendeve të treta në
transit, sikur edhe rritja e rrezikut për sigurinë e brendshme të shteteve
anëtare.

Edhe për vendet që janë të përfshira në liberalizimin e
vizave, sikur edhe për ato që do të përfshihen në të ardhmen, përfshirë edhe
Kosovën, vizat do të mund të rivendosen fillimisht për një periudhë tremujore,
me notifikim nga këto vende në Komisionin Evropian, apo me shumicën e thjeshtë
të votave të shteteve anëtare.