Rreth 4 miliard lekë në dispozicion, për dëmshpërblimin e pronarëve që preken nga legalizimet

475
Sigal

VKM/Në mbledhjen e saj të fundit, Qeveria Berisha ka marrë vendime që kanë hapur debat

Qeveria dje, në mbledhjen e fundit të saj, ka marrë një sërë vendimesh. Më i përfoluri ka qenë zbardhja e vendimit për Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP). Përveç godinës së SHQUP që i kalon si seli Partisë Demokratike, një vendim i ngjashëm është marrë dhe për Fierin, ku Shtëpia e Ushtarakëve i kalon për zyra Partisë Demokratike, dega Fier. Gjithashtu është marrë dhe vendimi për dhënien me koncesion edhe të 10 hec-ve të rinj,  duke bërë që numri i tyre të shkojë gjithsej në 370. “Por kjo procedurë ka qenë dhe mbetet historia më e madhe e suksesit të këtij vendi, pasi e  nisur në 2007 dhe deri sot, dhe me këto 10 HEC-e, shkon në 370 numri i HEC-eve të dhëna për t’u ndërtuar me koncesion në të katër anët e vendit nga 444 janë të përllogaritura për të ndërtuar si të vogla, të mesme dhe të mëdha, pa llogaritur mikrot që janë me mijëra pastaj”, nënvizoi Berisha në mbledhjen e Qeverisë. Ndërsa është marrë dhe vendimi  për kompensimin e pronarëve që preken nga legalizimet. Bëhet fjalë për sipërfaqen prej 23 667.76 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) m² tokë truall, e cila tashmë është pronë e qytetarëve që kanë përfituar nga procesi i legalizimit, me vlerë të përgjithshme 363 445 055.97 (treqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e  katërqind e dyzet e pesë mijë e pesëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e shtatë) lekë të cilat do të shkojnë për dëmshpërblimin e pronarëve.  Gjithashtu u miratua dhe vendimi për miratimin e kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale.

Vendimet për koncesionet

Berisha: Me vendimin për dhënien me koncesion edhe të 10 hec-eve të rinj,  shkon në 370 numri i tyre

Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e qeverisë, se janë dy parqe eolike që licensohen nga METE dhe janë 10 HEC-e koncesione, të cilat u akordohen në përputhje me ligjet e vendit kompanive të ndryshme. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha sqaroi se procedurat e koncesionit janë një proces i gjatë, që fillon me studimin fillestar të burimit, ndonjëherë me vëzhgimin e tij, një ose më shumë se një vit, me studimin e gjeologjisë, pronës dhe shumë aspekteve të tjera. “Por kjo procedurë ka qenë dhe mbetet historia më e madhe e suksesit të këtij vendi, pasi e  nisur në 2007 dhe deri sot, dhe me këto 10 HEC-e, shkon në 370 numri i HEC-eve të dhëna për t’u ndërtuar me koncesion në të katër anët e vendit nga 444 janë të përllogaritura për të ndërtuar si të vogla, të mesme dhe të mëdha, pa llogaritur mikrot që janë me mijëra pastaj”, nënvizoi Berisha.

QEVERIA MIRATON MARRËVESHJEN HIDROKARBURE NDËRMJET “ALBPETROL”, SH.A.-së DHE “PHOENIX PETROLEUM”, SH.A.-së

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e së premtes, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vendosi miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure, ndërmjet “Albpetrol”, sh.a-së dhe “PHOENIX Petroleum”, sh.a-së, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Drashovicë, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Pekisht–Murriz, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Panaja, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Povelçë, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Divjakë, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Ballaj-Kryevidh,  zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Finiq-Krane. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

“GENER 2” FITON TË DREJTËN E KONCESIONIT PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALEVE NË LUMIN ZALLI I QARRISHTËS

Këshilli i Ministrave, vendosi në mbledhjen e radhës miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Gener 2”, sh.p.k.,  për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Zalli i Qarrishtës.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

“VALBONA PROJECT COMPANY”, FITON TË DREJTËN PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALEVE MBI LUMIN VALBONA

Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme vendosi  miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Valbona Project Company”,  sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona, në rrethin e Tropojës.

Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

box

Vendimi për kompensimin e pronarëve që preken nga legalizimet

Në mbledhjen e këshillit të ministrave dje në datën 16.08.2013 u mor dhe vendimi për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15/1 e 32, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave vendosi:
1.    Shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në Shkodër, Berat, Elbasan,  Lezhë, Korçë, Fier, Vlorë e Tiranë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen me këste nga fondi i kompesimit në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i parcelës ndërtimore, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen prej 23 667.76 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) m² tokë truall, me vlerë të përgjithshme 363 445 055.97 (treqind e gjashtëdhjtë e tre milionë e  katërqind e dyzet e pesë mijë e pesëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e shtatë) lekë.
2.    Vlera e përgjithshme e shpërblimit të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, të parashikuar nga ligji nr.10239 datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”.
3. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme, të kompensuar, në pronësi të shtetit.
4.     Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.