Leyla Moses-Ones takohet me krerët e Opozitës për krizën politike

552
Sigal

E Ngarkuarën me Punë të ambasadës së  SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones takohet me krerët e Opozitës për krizën politike

Basha: Do të vazhdojmë protestat, deri sa të çlirojmë Shqipërinë nga krimi

Jakup B. GJOÇA

Opozita është e vendosur që, pas dorëzimit të mandateve, do të vazhdojë luftën politike kundër keqqeverisjes vetëm me protesta në rrugë. Ndërkohë, kryeministri Rama, edhe nga studioja televizive e RAI Uno, parmbrëmë përsëriti edhe një herë, që nuk mund të negociojë për mandatet, por vetëm do dialogojë me opozitën. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar, sepse kriza e thellë politike në Shqipëri, mund të marrë përmasa të mëdha me rezultate të paparashikuara.

Diplomatja e ambasadës amerikane në Tiranë takim me Bashën

E Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones dje herët në mëngjes, në orën 10.30 u fut në selinë e PD-së, ku u prit nga kryetari Lulzim Basha. Takimi zgjati vetëm 30 minuta dhe, edhe pse nuk u deklarua asgjë, kuptohet, që diplomatja amerikane u takua me kryetarin e Opozitës vetëm e vetëm për të diskutuar opsionet e daljes nga kriza politike. Tashë, për opozitën nuk ka më rrugëzgjidhje, përveçse të shpallen zgjedhje të parakohshme, derisa opozita nuk ka më asnjë mandat në parlament. Por, as që mund të kuptohet një demokraci funksionale, pa opozitë në parlament. Këtë e dinë më mirë se kushdo ndërkombëtarët.

Basha: Zgjidhja në duart e popullit

Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, pasi përcolli diplomaten e ambasadës amerikane nga selia e PD-së, deklaroi se tashmë, zgjidhja e krizës politike është në duart e popullit, ndërsa Opozita e Bashkuar do të vazhdojë protestat, deri në çlirimin e Shqipërisë nga krimi. Basha: Populli ka folur, ka folur dhe dje, do të flasë në çdo protestë, do të flasë dhe në 16 mars, Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes politike, t’i zgjidhë duart drejtësisë dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes 339 dhe dosjes 184. Natyrisht unë e di se ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse është pjesë e kësaj dosje. Por prandaj, zgjidhja kur të gjitha pushtet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit dhe populli ashtu siç e ka marrë në dorë, do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij deri sa të kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një parlament dhe një qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët. Nuk ka asnjë hap pas në luftën kundër krimit të organizuar që ka asgjësuar zgjedhjet dhe institucionet demokratike, ka vetëm hapa përpara.

Diplomatja e ambasadës amerikane në Tiranë takohet edhe me Kryemadhin

E Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones pas takimit me Lulzim Bashën, shkoi edhe në selinë e LSI, ku u prit nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Sërish, nga të dy palët nuk u bë asnjë deklaratë për përmbajtjen e bisedimeve, veçse kuptohet, se kryetema e bisedimeve është gjetja e rrugëzgjidhjeve. E Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones natyrisht, bën të gjitha përpjekjet që krerët e opozitës të ulen në bisedime me kryeministrin, për të gjetur sadopak një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët. Nuk përjashtohet, që diplomatja e ambasadës amerikane në Tiranë, të takohet në ditët në vijim edhe me kryeministrin Rama, si edhe me kryeparlamentarin Ruçi.

 

Drejtori i zgjerimit të BE vjen në Tiranë

Drejtori i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson mbërriti mbrëmë për një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai do zhvillojë nesër takime me krerët më të lartë të shtetit si dhe politikës, ndërsa në fokus do të jetë kriza politike në vend. Vizita e Christian Danielsson vjen në një kohë kur opozita ka djegur mandatet duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare pa Edi Ramën kryeministër. Opozita akuzon se qeveria është e lidhur me krimin dhe ka blerë zgjedhjet. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare kërkon dialog, por është shprehur i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Disa eksponentë të BE-së paraprakisht kanë kritikuar ashpër dorëzimin e mandateve  të deputetëve nga opozita, mirëpo tani, që opozita nuk bën më mbrapa, e vetmja mundësi që kanë, është që BE-ja të mundësojë që palët të ulen në tavolinën e bisedimeve për të gjetur rrugëzgjidhje. Ky është edhe misioni i  Drejtorit të Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson, këtu në Tiranë.