Kryebashkiakët e opozitës shkojnë drejt djegies së mandateve

491
Sigal

Përveç djegies së mandateve për deputetët, opozita ka si synim dhe djegien e mandateve për kryetarët e bashkive që drejtohen prej PD dhe LSI. Këtë ka deklaruar Voltana Ademi . Kryebashkiakja e Shkodrës tha se do mbështesë çdo vendim të Partisë Demokratike. Voltana Ademi: “Është një proces në diskutim, por si anëtare e PD do mbështes çdo vendim. Opozita mori vendimin ekstrem të djegies së mandateve, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Vendimi u mor në një situatë të rëndë ekonomike dhe politike, ndaj njerëzit kanë dalë në shesh. Kryeministri e njeh Shkodrën mirë, ndaj edhe i trembet. Shkodranët janë njerëz  të lirë, nuk marrin urdhra nga ne.” Një tjetër vendim që do të marrë opozita e Bashkuar është edhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit, nëse nuk shpërndahet ky parlament, nuk krijohet qeveri tranzitore dhe nuk bëhen edhe zgjedhje të reja të parakohshme. Opozita e Bashkuar deklaron se nuk do të marrë pjesë në asnjë lloj zgjedhjesh, nëse në krye të qeverisë do të jetë Edi Rama kryeministër. Ndërkohë, kryeministri Rama, të martën, nga foltorja e parlamentit përsëriti, se qeveria e tij nuk mund të negociojë mandatet dhe, se në zgjedhjet vendore PS-ja do të marrë pjesë me ose edhe pa opozitën. Këto janë qëndrime diametralisht të kundërta, që acarojnë klimën politike. Është vështirë të besosh që të organizohen zgjedhje vendore pa pjesëmarrjen e opozitës, që do të thotë se gjysma e elektoratit nuk do të shkojë të votojë, sikurse është e vështirë të imagjinosh, që 61 bashkitë t’i fitojë në tavolinë vetëm një parti, sikurse ndodhnin edhe në sistemin komunist. Derisa ende ka kohë nga 30 qershori, të gjitha qëndrimet e tanishme nga mazhoranca dhe opozita bëhen ndoshta edhe për konsum elektoral, për militantët e tyre.