Letër publike ambasadorëve, Voltana Ademi: Shkodra e gatshme të administrohet nga ndërkombëtarët

171

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka dërguar një letër publike disa prej ambasadorëve në Shqipëri, duke iu paraqitur situatën e qytetit që ende administron, që sipas saj paraqitet si “plot ankth dhe trysni”.

Duke cilësuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit si “të zhvilluara në kushte ilegjitime, shumë larg standardeve”, ku vetëm 8% të qytetarëve kanë marrë pjesë falë “presione të çdo lloj forme që të paraqiteshin për të votuar”, Ademi paralajmëron për pasoja të renda për demokracinë në vend.

Sipas saj,  pushteti vendor në Shqipëri rrezikon “të shndërrohet thjesht në një zvarranik të qeverisë qendrore”.

Për këtë arsye, ajo e gjen zgjidhjen vetëm në ndërhyrjen direkte të faktorit ndërkombëtar.

“Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!”, thotë Ademi, e cila shtjellon propozimin duke sqaruar se “në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision Administrativ Europian”.