Kukan: Uroj shqiptarët për zgjedhjet dhe çmoj përmirësimet e bëra për këtë proces

69
Eurodeputeti Eduart Kukan gjatë një interviste në Top-Channel ka përgëzuar progresin e arritur në këto zgjedhje. Kukan tha se do të pritet raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it. Për Kukan, minusi më i madh i procesit ishte dekriminalizimi.
“Nga çfarë kam lexuar deri tani, në përgjithësi zgjedhjet ishin paqësore. Nuk pati parregullsi të mëdha dhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it thotë se, ky proces zgjedhor pati shumë përmirësime dhe se dita zgjedhore nuk shënoi parregullsi, apo incidente të rënda. Prandaj dua t’i uroj shqiptarët për zgjedhjet dhe dua të çmoj përmirësimet e bëra për këtë proces. Sigurisht që pati parregullsi, të cilat përfshihen në raport dhe duhet të hetohen plotësisht, me qëllim që të arrihen përmirësime të mëtejshme në të ardhmen. Pati mjaft polarizim të medias dhe ndërmjet vetë partive politike. 
Por, përshtypja fillestare është se zgjedhjet shkuan në rregull, e për këtë arsye ato do të vlerësohen si një hap i mirë për përmbushjen e pritshmërive nga Shqipëria, përpara publikimit të raportit të progresit. Është shumë herët dhe do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime po të shprehesha. Le të presim raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Këto zgjedhje ishin të rëndësishme për të kapërcyer testin për datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE-në, por jo i vetmi faktor që do të merret parasysh nga Komisioni, për të shqyrtuar nëse do të rekomandojë, apo jo, nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Qëndrimi im është se Shqipëria, me këto zgjedhje lokale veproi mirë dhe pres me plot besim për raportin e radhës dhe rekomandimin, e nëse 5 prioritetet kyçe janë trajtuar pozitivisht, rezultati i këtyre zgjedhjeve lokale nuk do të dëmtojë imazhin e Shqipërisë.
I pyetur nëse këto zgjedhje përbënin dhe ushtrimin e parë elektoral për kreun e opozitës, Lulzim Basha, Kukan u përgjigj se, “Për çfarë kam dëgjuar, zoti Basha ishte shumë aktiv në fushatë zgjedhore dhe u paraqit në një mënyrë mjaft shembullore, siç më kanë treguar shumë njerëz nga Shqipëria. Rezultatet e deritanishme të këtyre zgjedhjeve nuk janë pozitive për të, por le të presim për rezultatin përfundimtar të bashkive. Ai bëri më të mirën e tij, si udhëheqës. Aty ka një hapësirë të madhe për përmirësimin e kësaj çështjeje, sepse nuk u zbatua plotësisht, ashtu siç ishte rënë dakord në dhjetor. Këtë e shoh si një minus ndaj të gjithë procesit në tërësi”.