Kryetari i Bashkisё së Tiranёs, z. Lulzim Basha nderohet nё Londёr me “Freedom of the City of London”

1269
Sigal

Historikisht  Basha është politikani më i ri që e merr këtë titull dhe shqiptari i parë që nderohet me këtë çmim në Londër

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar  në Mansion House, rezidenca zyrtare e Lord Mayor dhe vendi, ku zhvillohen disa nga ceremonitë më prestigjioze shtetërore e mbretërore Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, iu dha  titulli i nderit “Qytetar i Lirë” i Londrës nga Lord Mayor, Alderman Roger Gifford, i cili është Lordi i 685-të në detyrë.  Siç u tha në ceremoninë e nderimit, është historikisht politikani më i ri që e merr këtë titull dhe shqiptari i parë që nderohet me këtë çmim në Londër. Z. Basha iu dorëzua pllaka e njohur si “Liria e Londrës”, ku janë gdhendur mjeshtërisht “Rregullat e qytetit” të cilat janë formuluar që në shekullin XVIII. Z. Basha është qytetari i parë shqiptar që merr këtë titull honorifik kaq të rëndësishëm, me të cilin janë nderuar figura të shquara të jetës politike, diplomacisë, shoqërisë, kulturës botërore.

Lord Bates:

“Kjo është një ceremoni historike. Ajo zhvillohet prej 500 apo 600 vjetësh. Është gjithashtu nder i madh për një kryetar bashkie të një vendi të huaj që i jepet ky çmim. Unë mendoj se është i merituar nga Kryetari Basha”

JONATHAN BAILEY OBE (Urdhri i Perandorisë dhënë nga mbretëresha)

“Është një  fakt shumë i rëndësishëm por më shumë është fakti se kryetari i Bashkisë Basha është shqiptari i parë që e merr çmimin e qytetarit të lirë të qytetit të Londrës. Unë mendoj se është nder si për kryetarin personalisht, ashtu edhe për qytetin e Tiranës por edhe për Shqipërinë”. Baroness Borwick – Nënkryetarja e Bashkisë së Londrës: “Mendoj se ceremonia ishte vërtet e shkëlqyer dhe tregon rëndësinë që ka për të dy vendet interesat që të dy vendet ndajnë sa i përket biznesit, kulturës apo fushave e mundësive të tjera, ndaj mendoj se jemi shumë krenarë të mirëpresim Kryebashkiakun e Tiranës, pjesëtarin më të ri “Qytetarit të Lirë të Londrës” dhe duke shpresuar që ai të shijojë qëndrimin në Londër pasi mendoj se ka punë të tjera dhe evente të tjera sociale që e presin,  në emër të Kryetarit të Bashkisë së Londrës ne jemi shumë të kënaqur ta mirëpresim atë në “Qytetar i Lirë të Londrës”. Ceremonia u ndoq nga një drekë zyrtare ku morën pjesë përfaqësues të trupave diplomatik të vendeve të Evropës dhe më gjerë, të akredituar në Britaninë e Madhe, anëtarë të Dhomës së Lordëve, i Deleguari për Britaninë i Urdhrit të Kostandinit, z. Anthony Bailey, OBE dhe bashkëshortja e tij Sh. Princesha Marie-Therese von Hohenberg e Austrisë, zv/kryetarja e Bashkisë së Londrës, Lady Borwick,  anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Britani e miq britanikë të Shqipërisë nga bota e biznesit, financës, kulturës, fesë, politikës. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar marrjen e këtij titulli si një privilegj për të por edhe për kryeqytetin shqiptar. “Së pari është një nder i madh, jo për mua si kryetar i Bashkisë, por për qytetin dhe Bashkinë e Tiranës dhe e konsideroj si një përgjegjësi të madhe pasi vetë marrja e këtij titulli dëshmon për një shkallë të re të njohjes dhe vlerësimit për kryeqytetin tonë, për Tiranën por edhe për Shqipërinë e shqiptarët- u shpreh z. Basha.

Më tej kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se:  “City of London” njihet jo vetëm si një ndër qytetet më të vjetra të Evropës por edhe si një ndër qytetet më të pasura e më të fuqishme prej qindra vitesh. Vlerësime të tilla që rrjedhin nga një traditë kaq e lashtë natyrisht kanë një gjenezë, një fillim dhe gjeneza që çoi në marrjen e këtij titulli është pa dyshim një vlerësim i madh që autoritetet e Korporatës së Qytetit të Londrës, autoritetet e Londrës, autoritetet e qytetit të Londrës dhe faktorë të rëndësishëm të botës së biznesit e kulturës kanë për Tiranën dhe Shqipërinë. Ky vlerësim vjen në një kohë të rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro – britanike. Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet një ndër mbështetësit tanë më kryesorë, mbështetje të cilën e ka demonstruar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e demonstron sot e kësaj dite me mbështetjen që i jep integrimit evropian të vendit. Ka mbështetur fuqimisht dhe është një fakt i rëndësishëm për stabilitetin dhe evropianizimin e Ballkanit, siç ishte rasti i mbështetjes që iu dha për lirinë e pavarësinë e Kosovës apo normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, nga baronesha Ashton, në cilësinë e saj si ministre e jashtme e BE, pra ndodhemi në një moment shumë të veçantë të marrëdhënieve mes dy vendeve. City of London është një ndër qytetet më të pasura të botës, me resurse të mëdha financiare dhe një fuqi e madhe investuese. Në këtë pikëpamje, unë e shoh marrjen e këtij titulli si një privilegj dhe njëkohësisht si një mundësi të artë për të kapitalizuar këtë vëmendje të City of London, korporatave më të mëdha financiare që e kanë shtëpinë këtu, tek ekonomia e Tiranës në veçanti dhe ekonomia shqiptare në tërësi. Parimet kryesore të funksionimit të ekonomisë së tregut, lirisë së ekonomisë së tregut u faktuan këtu ku ndodhemi sot dhe janë këto parime që kanë udhëhequr si politikat financiare, ekonomike të Shqipërisë, qeverisë shqiptare por po kështu edhe të qytetit të Tiranës prej marrjes nga ana ime të detyrës si kryebashkiak. Këto politika kanë mundësuar një klimë jashtëzakonisht të favorshme biznesi. Në këto kohë të vështira të krizës ekonomike kudo në botë, prioritet numër një mbetet marrja e vëmendjes dhe përmes vëmendjes thithja e investimeve në ekonomitë e vendeve të ndryshme”. Për Kryebashkiakun Basha, kjo është një mundësi e madhe për kryeqytetin shqiptar, për të tërhequr investitorë të rëndësishëm që operojnë në Londër. “Në këtë pikëpamje, vëmendja që qyteti i Tiranës ka marrë sot përmes kësaj ceremonie është një kapital i çmuar për të drejtuar sytë e kapitalit britanik dhe në fakt kapitalit botëror që i thotë City of London, shtëpia e vet, tek Tirana, tek mundësitë që Tirana ofron, mundësitë që Shqipëria ofron për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me potenciale të jashtëzakonshme dhe mundësi të jashtëzakonshme dhe natyrisht përmes investimeve, zhvillimit ekonomik e krijimit të vendeve të punës si një prioritet kryesor imi si Kryebashkiak”, – theksoi z. Basha. Dhënia e titullit të Lirisë së Londrës është një nga ceremonitë më të vjetra që i kanë mbijetuar historisë shekullore të këtij qyteti. Ky titull, i dhënë për herë të parë në vitin 1237, mbetet akoma sot një simbol i gjallë i kryeqytetit britanik.  Z. Basha ishte i ftuar nderi i darkës zyrtare të organizuar nga Lord Mayor of the City of London në pallatin historik Guildhall, ku dhe iu urua zyrtarisht mirëseardhja si “Qytetar i Lirë i Londrës”. Në këtë darkë mbajtën fjalën e tyre Mario Draghi, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane dhe Ministri britanik për Evropën David Lidington. Pjesë e axhendës së këtij evenimenti ishte edhe  koncerti ku u luajt simfonia Nr. 9 e Beethovenit në Katedralen e Shën Palit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin britanik, Kryebashkiaku Basha u prit në një takim nga drejtoresha për Evropën në Ministrinë e Jashtme si dhe nga zyrtarë  të Partisë Konservatore të Kryeministrit David Cameron. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha morri pjesë edhe në një darkë, ku të ftuar ishin anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Parlamentit britanik.

Basha: 15 milionë euro për ndërtimin e shkollave në Tiranë

 Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që standardet në shkollat e mesme të kryeqytetit të vazhdojnë të rriten dhe infrastruktura e shkollave të përmirësohet. Këtë ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në aktivitetin e organizuar nga gjimnazi “Qemal Stafa”, i  cili me 28 Prill është vlerësuar me çmimin “Harku i Triumfit” kategoria Gold për vitin 2013, nga organizata më e madhe e vlerësimit të cilësisë BID EUROPE. Ndër 100 kriteret që plotësoi ky Gjimnaz ishin cilësi e lartë mësimdhënie, rezultate të larta, trajnim i vazhdueshëm, cilësi në planifikim, komunikim, lidership, përdorim teknologji e standardet në inovacion, etj.. Për rezultate të larta në  Maturën Shtetërore të vitit 2012 Gjimnazi “Qemal Stafa”, u rendit i pari dhe  u vlerësua dhe me çmimin “Prizmi i Artë”. “Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që standardet në arsimin e kryeqytetit të vazhdojë të rritet për të qenë në ato nivel të përputhën pritshmëritë që ju keni nga fëmijët tuaj gjimnazistë dhe student”,- u shpreh Basha. Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur sot se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të ketë në dispozicion një grant prej 15 milionë eurosh për të ndërtuar dhe rikonstruktuar shkollat e Tiranës. “Numri i shkollave në qytet ka mbetur i vogël dhe  i reduktuar dhe kjo natyrisht ka një efekt në cilësinë e mësimdhënies. Ndaj dua të ndajë me ju lajmin që si pjesë e paketës investuese e Bashkisë së Tiranës jemi në prag të firmosje së marrëveshjes, grandi prej 15 milionë eurosh në një organizatë të njohur me kontribuuesin e zhvillimit të Shqipërisë OFID, e cila do të bëjë të mundur që ne të tejkalojmë brenda një kohe të shkurtër këtë trashëgimi të hidhur të infrastrukturës së prapambetur arsimore në Tiranë dhe do të bëjmë të mundur jo vetëm arsim cilësorë në gjimnazet dhe në shkollat 9-vjeçare të qytetit tonë, por të bëjmë të mundur shndërrimin e këtyre shkollave në qendra komunitare siç parashikohen në marrëveshjen e sotme”,- u shpreh Basha.

Basha dhe Myqerem Tafaj nënshkruajnë Memorandumin

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit mes Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila synon gjallërimin e jetës sportive dhe rinore brenda çdo shkolle me veprimtari të ndryshme gjatë dhe pas orarit mësimor. Po kështu bëjnë të mundur dhe realizimin e një tjetër premtimi të bërë nga kryetari i bashkisë gjatë fushatës elektorale për hapje ndaj komunitetit të  palestrave, terreneve sportive si dhe ambienteve ndihmëse të shkollave. Kryetari  Bashkisë së Tiranës e ka cilësuar të papranueshëm kërcënimin që kryetari i PS-së u bën drejtorëve të shkollave. “Marrëveshja e sotme është hapja e dyerve të shkollave për të funksionuar edhe jashtë orarit mësimorë si qendra të komunitetit i zonës, gjen veten e vet, gjen infrastrukturë për të zhvilluar aktivitet të cilat sot zhvillohen në një numër të kufizuar qendrash anembanë qytetit. Marrim shembullin konkret, palestra për shembull, apo hapësira të tjera ku mund të aktivizohen programe kulturore, shëndetësore jo vetëm të fokusuara të kolektivi i nxënësve të asaj shkolle, por të zgjeruara në të gjithë zonën e banimit që i shërbejnë kjo shkollë. Kjo natyrisht kërkon investime, kërkon mirëmbajte shumë më të madhe se sa në rastin kur shkolla përdorej thjeshtë dhe vetëm për qëllimet e nxënësve. Ndaj Bashkia e Tiranës dhe unë jemi të vendosur që të vendosim mjaftueshëm resurset financiare dhe një program të qartë kthimi i shkollës në qendra komunitare si një premtim i hershëm i imi si kandidat për Kryetarë Bashkie do të fillojë të kthehet në realitet, duke filluar nga viti arsimor që do të fillojë pas pushimeve të verës. Nuk ka rrugë tjetër për t’i dhënë fëmijëve të kryeqytetit një bazë të shëndoshë për të konkurruar në Bashkimin Evropian, përveç mbështetjes që ju jepet shkollave dhe ç’është më e rëndësishmja mësuesve dhe drejtuesve të këtyre shkollave. Rruga që jepet ajo e kërcënimit të drejtorëve nuk është gjë tjetër veçse poshtërim, unë do thoja që fajin për fushatën e Ramës nuk e kanë drejtorët e kanë çiklistët. Ju do të thoni pse çiklistët? Unë do them pse drejtorët?” – u shpreh Basha

Ndërsa ministri Tafaj, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Shkollat tona duhet të hapen me komunitetin, të vendosin një bashkëpunim sa më të ngushtë me komunitetin e prindërve, por jo vetëm me prindërit. Pikërisht sot jemi këtu së bashku me Kryetarin e Bashkisë, unë dëshiroj ta falënderoj Kryetarin e Bashkisë për iniciativën që ka ndërmarrë  për hapjen e shkollave të Tiranës drejt komunitetit dhe ne sot nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të mundësojë këtë bashkëpunim, këtë hapje më të madhe të shkollës drejt komunitetit, bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin, vënien në dispozicion të komunitetit të mjediseve të shkollës për t’i përdorur për veprimtari sportive apo veprimtari kulturore. Unë mendoj se ky është një bashkëpunim i cili i shërben të dy palëve. Natyrisht, shkolla është më e hapur ndaj komunitetit përfiton shumë më tepër nga komunitetin, jeton më mirë me pulsin e komunitetit dhe kjo i shërben rritjes së cilësisë, po nga ana tjetër komuniteti duke qenë më afër shkollës njeh me nga afër problemet që ka shkolla, e ka mundësi ta mbështesë më mirë shkollën.