Berisha: Një spiun i shërbimeve të huaja, negociator me Greqinë

606
Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi përbërjen e grupit negociator të marrëveshjes së detit, që është dërguar te Presidenti i Republikës. “Dua ta denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në grup negociimi të një ish-spiuni të Forcave të Armatosura, i larguar pas dokumentimeve të pakundërshtueshme të Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe të dhënat e tjera, i larguar me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe që ky agjent, ky spiun, Artur Meçollari, diçka e kësaj natyre, siç ka të drejtë çdo shtetas kur akuzohet më të padrejtë, nuk i është drejtuar gjykatës sepse faktet dhe të dhënat kanë qenë katastrofale”, tha Berisha. Sipas tij, Meçollari ka zgjedhur rrugën e xhepit apo rrugën e influencës apo vendin tjetër që merrte rrogën tjetër, për t’u rikthyer në funksione nevralgjike të shtetit shqiptar. “Nëse lexoni deklaratat e zëdhënësit të Edi Ramës, Ditzi Bushatit se ne nuk kemi zhvilluar diskutime teknike, por kemi zhvilluar politiko-diplomatike, dhe prapa këtij nxjerr kokën në Korçë ku u diskutua 13 orë për marrëveshjen e detit, pikërisht njeriu i larguar nga FA për lidhje agjenturore me shërbimet e huaja”, u shpreh Berisha. Për ish-kryeministrin, ky përbën një super-skandal. “Jam i sigurt që e gjithë marrëveshja është bazuar në hartat dhe vizatimet e këtij spiuni, që nuk ka interesa kombëtarë, por vetëm interesa të vendit që i shërben”, nënvizoi Berisha. Sipas tij, të vendosësh në grup njerëz të tjerë, të cilët janë realisht me lidhje të shumë dyshimta, kjo do të thotë të kesh përgatitur ekipin e dorëzimit të detit, ekipin e dorëzimit të territorit dhe më e keqja të fushave më të mëdha të gazit dhe naftës të Jonit dhe Adriatikut. “Uroj që presidenti i Republikës, i cili është zotuar publikisht se do zbatojë në frymë dhe në germë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është një normë kushtetuese, pavarësisht se ishte kundër qeverisë sime. Kështu që shpresoj se ky projekt ogurzi në vend se të shndërrohet në një event bashkëpunimi midis dy vendeve, të mos lejojmë të shndërrohet në një mollë sherri të jashtëzakonshme midis dy vendeve dhe kombeve”, tha Berisha.
Sigal