Kryeprokurori belg Llallës: Të shqetësuar nga kriminaliteti i shqiptarëve në Belgjikë

481
Sigal

Shqipëri-Belgjikë, vlerësohet bashkëpunimi maksimal ndërmjet prokurorive, shqetësim aktiviteti kriminal

TIRANË-Belgët janë të shqetësuar nga aktiviteti kriminal I shqiptarëve në Belgjikë, ku një pjesë e pasurisë nga ky aktivitet kriminal, sillet në Shqipëri. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, dhe Prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, z. Frédéric Van Leeuw, diskutuan mbi disa çështje konkrete hetimore, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë (dt.13.11.2014), ku temë kryesore ishte bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm, si edhe nevoja për thellimin e mëtejshëm të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar. Z. Llalla i shprehu homologut të tij nga Belgjika gatishmërinë e plotë të prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në territorin e Shqipërisë për çdo qytetar shqiptar që dyshohet ose është i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar. Duke e pasur të qartë se numri i emigrantëve shqiptarë në Belgjikë është relativisht i madh, z. Llalla, theksoi se, “ekzistojnë mundësitë reale që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar produktet e veprave penale, pra të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e paligjshme”. Në këtë këndvështrim, të dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të njëjtë se goditja kundër grupeve dhe organizatave të përfshira në krim të organizuar, ka sukses nëse goditen në aspektin financiar të tyre. “Krimi i organizuar ka si karakteristikë të tij synimin e përhershëm të përfshihet në ekonominë legale. Për këtë arsye, është shumë i nevojshëm të rritet volumi i shkëmbimi të informacionit ndërmjet strukturave hetimore për të frenuar shtrirjen e aktivitetit kriminal në veprimtari të ligjshme financiare”, u shpreh z. Llalla. Prokurori federal i Belgjikës, z. Van Leeuw, vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, duke theksuar shpejtësinë e reagimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë për hetime në kuadër të komisioneve rogatore, të cilat janë ekipe të përbashkëta hetimore, të ngritura mes dy vendeve për çështje konkrete. Në këtë kuadër, z. Van Leeuw, solli si shembull konkret një aksion të përbashkët të kohëve të fundit, në të cilin nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet hetimore shqiptare, u arrit të goditej në Belgjikë një grup i strukturuar kriminal që merrej me vjedhje, i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët të ardhurat i dërgonin pranë të afërmve të tyre në Shqipëri. Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët, në Belgjikë u arrestuan 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës.

Në vijim të bisedës, drejtuesit e prokurorisë shqiptare dhe belge u shprehën se dy vendet tona, gjeografikisht janë të vogla. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme që të forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin për të shënuar rekorde suksesi të vazhdueshëm.

SOM 1

“Në këtë kuadër, z. Van Leeuw, solli si shembull konkret një aksion të përbashkët të kohëve të fundit, në të cilin nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet hetimore shqiptare, u arrit të goditej në Belgjikë një grup i strukturuar kriminal që merrej me vjedhje, i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët të ardhurat i dërgonin pranë të afërmve të tyre në Shqipëri. Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët, në Belgjikë u arrestuan 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës”