Soros i kthen ‘qokën’ Donald Lu-së, ja çfarë thotë për ambasadorin e ri të Kirgistanit

676
Sigal

Fondacioni i George Soros “Shoqëria e Hapur” i ka kushtuar një artikull emërimit si ambasador i SHBA-së në Kirgistan Donald Lu-së. Në shkrim flitet për marrëdhëniet bilaterale mes SHBA-së dhe Kirgistanit dhe interesat e SHBA-së në këtë rajon ku kërkon që të mbajë terren dhe të ruajë stabilitetin, ndërsa Kirgistani është në zemër të rivalitetit të fuqive të mëdha midis Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në shkrim thuhet se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kirgistanit nuk janë të mira dhe të dhënat për të drejtat e njeriu në këtë vend janë të këqija. Por me emërimin e Donald Lu-së si ambasador në këtë vend, gjërat mund të marrin për mirë pasi Lu mund të ndikojë në nxitjen e reformave për t’i dhënë fund korrupsionit, për të rritur transparencën e qeverisë dhe forcuar sundimin e ligjit. “Ndërsa reforma duhet të vijë nga brenda Kirgistanit, kjo është një fushë ku Ambasadori Lu mund të ndihmojë, kryesisht duke miratuar një politikë të angazhimit më të madh dhe duke bërë përpjekje për të nxitur reformat për t’i dhënë fund korrupsionit, për të përmirësuar transparencën e qeverisë dhe për të forcuar sundimin e ligji. Para se Lu të mund të bëjë ndonjë gjë të tillë, megjithatë, ai duhet së pari të trajtojë bllokimin që ka tronditur marrëdhëniet e SHBA-së dhe Kirgistanit”, shkruhet në artikull. “Situata politike brenda Kirgistanit është e trazuar ku aktivistët e të drejtave të njeriut nuk janë të vetmit që burgosen për arsye politike. Në 2017, qeveria e ish-Presidentit Atambayev futi në burg ish-Kryetarin e Parlamentit të Kirgistanit, Omurbek Tekebaev, për akuza të korrupsionit. Ndërkohë, presidenti i ri, Sooronbai Jeenbekov, nuk ka treguar nëse do ta lirojë Tekebaevin apo jo. Dhe ajo që Jeenbekov ka bërë është jo më pak shqetësuese ku ka konsoliduar fuqinë e tij për të shtypur opozitën, ai ka burgosur disa anëtarë të shquar të qeverisë së mëparshme, madje duke përfshirë edhe ata nga brenda partisë së tij. Ka një arsye, me fjalë të tjera, pse Omurbek Babanov, udhëheqësi i opozitës dhe humbësi i zgjedhjeve të vitit 2017, ka ikur nga vendi”, thuhet në shkrim. Por në gjithë këtë situatë në Kirgistan, ardhja e ambasadorit Lu, sipas asaj që thuhet në artikull mund të inkurajojë në përmirësimin e demokracisë dhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kirgistanit bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, ku jo vetëm do të përfitonin të dy vendet por rajoni në tërësi. “Kjo nuk do të thotë që Kirgistani nuk ka bërë ndonjë përparim. Ligjet e reja që do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm do të ndryshojnë në mënyrë dramatike sistemin e drejtësisë”, thekson artikulli. Sipas asaj që shkruan fondacioni i Soros presidenti Jeenbekov ka bërë pak për t’u angazhuar me Shtetet e Bashkuara dhe ka shkuar shpejt për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me Kinën, Turqinë dhe Bashkimin Evropian. Por nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë një prani diplomatike domethënëse në rajon dhe të nxisin reformat brenda Kirgistanit, kjo mosmarrëveshje e vazhdueshme duhet të zgjidhet. Ky shkrim i fondacionit Soros vjen pasi Portali “Judicial Watch” publikoi të mërkurën 49 faqe të një dosjeje të re të Departamentit të Shtetit mbi aktivitetin e USAID, i cili sipas portalit ka financuar aktivitete të organizatave joqeveritare në Shqipëri, të cilat njihen si mbështetëse të majtistit George Soros. Gjithashtu për Lu-në thuhej se mbështeti ‘organizatat mercenare’ të Sorosit në Shqipëri.