Kryeministri Rama: Rusia nuk do ecurinë evropiane të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor

459
Sigal

Kryeministri Rama dje priti kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në Tiranë dhe në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama deklaroi se Rusia nuk do që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe, sa herë cenohet kjo agjendë, pa dyshim që sheh një oportunitet, duke lënë të nënkuptohet se protesta e opozitës, largimi i saj nga parlamenti është nën ndikimin rus. Kryeministri Rama: Ne jemi së bashku, në një moment të veçantë, në momentin kur shkojmë drejt një pragu të shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe puna e përbashkët që po bëjmë, shkëmbimi i ekspertizës, përvoja e krijuar dhe e ndarë mes nesh hap pas hapi na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë. Më vjen shumë mirë që kemi dakordësi për këtë dhe që do të punojmë së bashku dhe që më herët se vonë do t’u japim qytetarëve tanë mundësinë që të hyjnë dhe të dalin në të dy shtetet pa asnjë pengesë, pa asnjë kontroll, pa asnjë problem, njësoj siç hyjnë dhe dalin në shtetet e tyre, qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra, falë vullnetit tuaj, janë pa diskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie. Rusia nuk është një vend tifoz i Bashkimit Evropian, i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë evropiane të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një agjendë kombëtare, kryefjala e të cilës është të bashkohemi me familjen evropiane. Sa herë që kjo agjendë cenohet, aq herë, kush nuk është tifoz i Evropës, i Bashkimit Evropian, i integrimit të plotë evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet.