Kryemadhi: Ka shumë të zhgënjyer, të trokasim në dyert e tyre, LSI e hapur për të gjithë

187

Sot shumëkush nga ne mund të flasë për shumë skandale duke filluar nga koncesionet e famshme të cilat për vitin 2019 çdo buxhet investimi në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë dhe kudo ka qenë më i ulët. Vetëm një buxhet rriti qeveria e Edi Ramës, buxhetin e koncesioneve. Pagoi koncesionet sikur ti kishte lënë për të paguar një vit koncesionet, sot do të kishte zgjidhur përfundimisht historinë e shtëpive të tërmetit. Megjithatë ajo që është e rëndësishme dhe që ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara, është që ne duhet të jemi shumë të qartë jo vetëm si anëtarë të LSI-së por edhe si mbështetës, edhe si votues por ka edhe shumë të tjerë të zhgënjyer. Ka edhe shumë të zhgënjyer nga Partia Socialiste. Ka shumë të tjerë të cilët nuk kanë votuar asnjëherë dhe vazhdojnë e janë akoma më të drobitur për situatën në të cilën gjenden.

Ne duhet të trokasim në dyert e tyre për t’ju zgjuar ndjenjën, për ti thënë përfshihuni, për tu thënë merrni fatet në dorën tuaj, mos ia lini në dorë partive politike të cilat bëjnë propagandë, por merrni fatet tuaj në dorë dhe drejtoni jetën tuaj, drejtoni të ardhmen tuaj, prandaj edhe ne sot si LSI kemi filluar fushatën dhe do ta vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë, hapjen e dyerve të LSI-së, për ti vënë në dispozicion investimin e të gjithë atyre burrave dhe grave që kanë themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim, për t’iu vënë në dispozicion të gjithë atë investim të 5 brezave të Lëvizjes Rinore për Integrim, për t’iu vënë këtë investim në funksion të rinjve dhe të rejave, pedagogë dhe pedagoge, intelektualë, mjekë dhe ekonomiste, për të ardhur dhe për ta ndryshuar këtë realitet politik sepse sa më shumë të jemi në këtë nisëm, sa më shumë të jemi në këtë iniciativë për të rindërtuar vendin tonë, aq më shpejt do të bëhet dhe nuk do të jetë dekadë, por do të jenë vite, edhe nga vite do të bëhen muaj.
Sa më shumë shqiptar të angazhohemi në politikë, për të vendosur ne dhe jo oligarkët ndërmjet televizioneve, për të vendosur ne dhe jo Edi Rama me kapjen e ekonomisë shqiptare, për të vendosur ne dhe jo Edi Rama me shantazhimin dhe kapjen e sistemit të drejtësisë, por çdo sistemi tjetër, për të vendosur studentët dhe jo pedagogët politik, për të vendosur nxënësit gjimnazist për të ardhmen e tyre dhe jo drejtorë shkollash të cilët janë kthyer në misionarë politik të rilindjes, për të vendosur nënat për të ardhmen e fëmijëve të tyre, se ku ti rrisin fëmijët e tyre dhe jo për të vendosur Edi Rama se ku duhet të shkojnë, për të vendosur ne për të drejtat tona që të punësohemi dhe jo të vendosin punëdhënësi, të cilët i kanë kthyer në skllevër primitiv shqiptarët, por të vendosim ne për fatet tona, të vendosim ne për të drejtat tona, të vendosin burrat dhe gratë shqiptare, djemtë dhe vajzat shqiptare. E ardhmja e shqiptarëve nuk është as në duart e Edi Ramës, as në duart e Monikës, as në duart e Lulzim Bashës, e ardhmja e shqiptarëve është në duart e shqiptarëve, prandaj duhet të ecim çdo ditë pafundësisht për ti angazhuar dhe për ti thirrur, për u bashkuar dhe për të ndryshuar këtë realitet sepse ka zgjidhje. Përfshirja e të gjithëve ne, për të mos lejuar asnjeri që të vendosi për ne, por secili nga ne të vendosi për veten e tij dhe të ardhmen e tij.
Shqipëria është gjëja më e shtrenjtë për ne, ashtu siç kemi shtëpinë tonë dhe familjet tona, ashtu është edhe Shqipëria, nëse ne do ta lëmë të rrënohet, nesër do të rrënohen familjet tona, pastaj do të rrënohen shtëpitë tona dhe kështu me radhë”.