Kryebashkiaku Basha bie në pre të lojërave të PD-PS-së

430
Sigal

Koncesioni i dhënies së rrugëve të Tiranës u anulua, por dëmi politik u bë

Projekti i dhënies me koncesion i të gjitha hapësirave të Tiranës, të rrugëve dhe të shesheve rreth pallateve, për parking privat, erdhi si bubullimë për gjithë qytetarët në qiellin me diell të shkurtit. Por, më bombë qytetarëve u erdhi haberi, që për këtë koncesion, në prapaskenë kishin rënë dakord edhe PS edhe PD dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, qoftë të majtë, qoftë të djathtë, e mësuan projektin e koncesionit vetëm aty, në mbledhje, thua se edhe ata ishin spektatorë të një shfaqjeje komedie, dhe koncesioni që ata duhet të miratonin ishte komedia, që ata duhet të votonin, pasi libretin, marrëveshjen, e kishin firmosur krerët e partive, në prapaskenë.

Për pazare ekonomike, politika  e gjen konsensusin  e marrëveshjeve

Politika jonë, cilado qoftë maxhorancë dhe opozitë, në këto 24 vjet, asnjëherë nuk janë marrë vesh me njëra-tjetrën, për asnjë problem, qoftë kjo e halleve dhe shqetësimeve të popullit, të jetës së përditshme, por edhe për asnjë nga çështjet më të mëdha të Kombit dhe të Shqipërisë. Mirëpo, koncesioni për dhënien e hapësirave të rrugëve të Tiranës, për parking privat, çudi, si me magji, i bashkoi edhe maxhorancën, edhe opozitën. Natyrisht, në prapaskenë u bënë pazaret, derisa u arrit marrëveshja. Duhej, të luhej epilogu i komedisë. Që Këshilli Bashkiak, të ngrinte gishtin përpjetë dhe të miratonin gojëkyçur marrëveshjen Pazar që ishte bitisur nga shefat partiakë. Imagjino, ky Këshill Bashkiak i Tiranës, që me muaj të tërë nuk gjeti gjuhë të përbashkët, për të miratuar buxhetin e Bashkisë, tani, për koncesionin, u urdhërua të ishte i bindshëm, për të dhënë konsensusin.

Protesta e qytetarëve trembi politikën

Mirëpo, ndodhi ajo që ustallarët e pazareve nuk e kishin llogaritur, ngaqë përherë kanë mbivlerësuar vetveten. Reagimin e opinionit publik. Për më shumë, reagimin e vetë qytetarëve tiranas. Sa u zbardh vendimi i prapaskenave të koncesionit, reagimi ishte i njëllojtë si stuhia e rrebeshi që përmbytën Shqipërinë para pak ditësh. Shefat e politikës maxhorancë–opozitë, që nuk u bëri syri tërr nga përmbytjet, revoltës të qytetarëve iu trembën kaq shumë, saqë në heshtje u tërhoqën, duke lënë pas pezullimin e koncesionit, por me një bisht të gjatë. Për një afat kohor 5 vjeçar, nuk do të ketë më vendimmarrje për këtë koncesion.

Basha pëson disfatën e parë politike

Dje, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ndodhur nën presionin e revoltës të të gjithëve, edhe pse një ditë më parë zëdhënësi i tij, Bozdo u mundua të japë shpjegime, u detyrua që publikisht të pohojë anulimin e koncesionit. Por, duke lënë bishtin e gjatë, sërish jashtë. Kryebashkiaku Basha, deklaroi që ky koncesion nuk do të diskutohet më për 5 vjetët e ardhshme, duke mos pranuar anulimin përfundimtar të këtij koncesioni. Një kompromis i mëdyshtë, por që nuk mund të mbulojë dot më kryesoren. Dështimin e plotë politik të Lulzim Bashës, jo aq si kryebashkiak i Tiranës, edhe pse ndodhemi në periudhë zgjedhore të pushtetit vendor. Dihet, që Bashsa e ka marrë vendimin e vet, që nuk do të jetë sërish kandidat për kryebashkiakun e Tiranës. Kostoja politike e këtij dështimi mbi Bashën bie si kryetari i opozitës. Basha ra në prehrin e lojërave politike të PS-PD, pasi ky koncesion, edhe pse kërkonte 3/5 e votave të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kurrsesi nuk mund të votohej, pa u dhënë më parë konsensusi politik i dy partive të mëdha, PS-PD. Vetë Basha, nuk mund të kishte kaq forcë politike që të merrte pa u konsultuar në PD, ndaj meqë pranoi marrëveshjen e dhënies të këtij konsensusi, pas dështimit, ai vetë ra në prehrin e lojërave të PD-PS. Pasi jo politikë mund ta cilësosh, por vetëm lojë, pazare mund të quhet ky koncesion, që të japësh çdo rrugë, çdo hapësirë pranë pallateve, për parking privat. PD-ja e Bashës humbi kështu një besim te qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm te ata, që opozita do të jetë transparente në opozitën e saj, që opozita mund të jetë oponenca e qeverisjes. Sepse, Basha me dështimin e tij u dha qytetarëve dyshimin që partitë politike, për hir të pazareve ekonomike, mund të bien dakord me njëra-tjetrën, në dëm të interesave të vetë qytetarëve.

Petraq Barjami