Kroati “15 mln euro” i Tatimeve Shqiptare, akuza për mashtrim me lingota ari e shantazh në emër të kryeministrit

594
Sigal

Ana Marceta, një zyrtare e lartë e administratës tatimore të Kroacisë, mori vlerësime të njëpasnjëshme, kur, nën drejtimin e saj u zbulua një skemë mashtruese miliona-euroshe me fatura fiktive për shit-blerje floriri, në qendër të së cilës qëndronte kompania “Insula Brac”.

Por karriera e saj mori tatëpjetën dhe ajo u shkarkua nga detyra në vitin 2015, sapo zbuloi që “Insula Brac” ishte bashkëpunëtore e ngushtë e “PISMOHRANA”, kompani e drejtuar nga Hrvoje Čabrajić, një mik i ngushtë biznesi me Kresimir Milanovic, vëllain e kryeministrit kroat të asaj kohe, Zoran Milanovic.

Biznesmeni kroat, Čabrajić, së shpejti nuk do të jetë më një emër i panjohur për publikun shqiptar.

Kompania e tij, “Primus Adriatic” është pronare e shoqërisë me seli në Shqipëri, “Jehona Software”, e cila është fituese e tenderit të dyshimtë 15 milionë euro të zhvilluar në Tetor 2018 nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për “Përmirësimin e e Modulit të Menaxhimin të Kontrollit të Faturimeve”.

Të dhëna të publikuara në media, kanë ngritur dyshime për procedura fiktive në mënyrën se si autoritetet shqiptare kanë shpallur fitues të tenderit 15 milionë euro konsorciumin e drejtuar nga “Jehona” (Primus Adriatic), në një procedurë ku është përfshirë edhe kompania “B360” e Armand Frangut, baxhanaku i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Skema e “floririt” në Kroaci
Financierja kroate, Ana Marceta ka treguar në një intervistë të gjatë për gazetën “Jutarni”se si nisi hetimi tatimor në vitin 2013 për tregun e floririt dhe se si, pas rezultateve domethënëse, investigimi u ndërpre kur në skenë doli kompania e Hrvoje Čabrajić, për të cilën në Kroaci janë të bindur se kishte si “kumbar” vëllain e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic.

Në fillim të vitit 2014, zyra e drejtuar nga Ana Marceta në kryeqytetain e Kroacisë, Zagreb, nisi kontroll tatimor mbi kompanitë që tregtojnë ar dhe shufra ari. Ky investigim nisi pasi njëra prej shoqërive të përfshira në këtë tregti kërkoi rimbursimin e TVSH-së në vlerë disa milionë euro.

Gjatë procedurave verifikuese, tatimorët investiguan kompanitë që rezultonin partnere me shoqërinë që kërkonte rimbursimin e TVSH-së. Kontrollet zbuluan një seri kompanish fiktive, të cilat ishin pjesë e një skeme masive mashtrimi.

Rreth 20 kompani u përfshinë në këtë kontroll, një pjesë e të cilave, siç thotë Marceta, rezultuan fiktive. “Këto ishin ndërmarrje të krijuara rishtazi, kryesisht në vitin 2013, të cilat, sapo nisën kontrollet tatimore, ndryshuar personat përgjegjës, selitë, madje edhe zyrat e degëve”, thotë ish-zyrtarja e lartë tatimore.

Blerësit dhe furnitorët nuk ishin të disponueshëm, nuk kishin të punësuar dhe nuk kishte shkëmbim mallrash midis blerësve dhe furnitorëve. Pra, dukej qartë që ishin dorëzuar fatura fiktive, d.m.th. nuk ishin bërë dërgesa. “Disa persona nuk iu përgjigjën thirrjeve, nuk ekzistonin në adresar, ndërsa disa të tjerë, kryesisht nga rajoni i Krimesë, as nuk e dinin që ishin regjistruar kompani në emër të tyre dhe që ishin qarkulluar miliona euro xhiro”, shprehet financierja Marceta.

Investigimi po thellohej gjithnjë e më shumë dhe zyra e Marcetas i propozoi Kreut të Tatimeve, Nada Lavlova Smiljanec që të organizohej një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, për të investuar në hetim edhe USKOK-un (strukturë e ngjashme me SPAK-un e pritshëm në Shqipëri).

Por ky takim u shty pafundësisht. Në fillim të vitit 2015, në krye të Tatimeve së Kroacisë u vendos Jasna Kropf dhe takimi me prokurorët e USKOK nuk u realizua asnjëherë. Ndërkohë, zyrës së Marcetas po i sugjerohej që të mos vijonin me këtë rast, por të shqyrtonin çështje të tjera.

Gjithësesi, në fillim të vitit 2015, investigimi për “skemën e arit” vijoi edhe për disa javë. Gjatë rikontrollit të llogarive të kompanisë “Insula Brac” u arrit në konkluzionin se ajo bashkëpunonte me “Pismohrana”.

“Insula Brac” është një kompani që u verifikua nga inspektorët. Ajo nuk kishte adresë dhe as persona përgjegjës. Pra, ishte fiktive. “Unë njoftova drejtorin Kropf, duke e vënë në dijeni se “Pismohrana”, e cila ruan të dhënat tatimore, ka bërë biznes me kompaninë fantazëm “Insula Brac”. Po ashtu, e njoftova drejtorin se pronari i “Pismohrana” ishte Hrvoje Čabrajić, bashkëshort i Martina Ciglević, ndihmëses kryesore e ish-drejtoreshës së Tatimeve, Nada Smiljanec”, shprehet Ana Marceta.

Sipas dëshmisë së saj për gazetën kroate, ajo nuk mori asnjë përgjigje nga drejtori Kropf për dyshimet e saj. E vetmja letër që mori ishte dokumenti që e shkarkonte nga detyra, duke i atribuuar disa shkelje administrative, të cilat Ana Marceta i mohon. Ajo është e bindur se vendimi i shkarkimit ka ardhur pasi guxoi të raportonte mbi kompaninë “Pismohrana”, e cila “ka kumbar Krešo Milanoviç” (vëllai i kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic).

“Unë dorëzova një kallëzim penal pranë USKOK për shpërdorim detyre ndaj dy drejtuesve të Tatimeve, Nada Smiljanec dhe Jasna Kropf – thotë Marceta. Por hetimi nuk nisi. Nuk dua të vë në dyshim përgjegjshmërinë e USKOK, por mendoj se ata janë mashtruar nga zyrtarët e Tatimeve”.

Në fund të intervistës, Ana Marceta flet edhe për kërcënime për integritetin fizik dhe jetën e saj, pas zbulimit të këtij rasti. “Unë jam paralajmëruar që jam në rrezik për shkak të zbulimit që “Pismohrana” bëri biznes me kompaninë fiktive “Insula Brač”, e cila ishte e përfshirë në skema mashtruese. Gjithësesi, nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që u zbulua se ata kanë “kumbar” Krešo Milanoviç”, thotë ekspertja financiare Marceta.

Kërcënim për Drejtorin e Arkivave
Ish-zyrtarja e Tatimeve nuk është e vetmja që flet për kërcënime për jetën që lidhen me kompanitë e biznesmenit Hrvoje Čabrajić.

Në nëntor 2014, agjencia informative kroate e lajmeve “benedikt.hr” publikoi intervistën me Drejtoreshën e Arkivit Kombëtar të Kroacisë së asaj kohe, dr. Vlatka Lemić.

Zonja Lemic foli hapur për kërcënimet që kishte marrë nga pronari i shoqërisë “Avicena”, Hrvoje Čabrajić, pasi vendosi që të ndërpriste kontratën e shërbimit për mirëmbajtjen e sistemit elektronik të arkivave.

“Unë kam zhvilluar një takim me Kresimir Milanovicin (vëllain e kryeministrit të kohës, Zoran Milanovic), ku ai erdhi i shoqëruar nga Hrvoje Čabrajič dhe Anto Baković, pronarë të “Pismohrana”. Ata e prezantuan njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë”, thotë Lemic.

Ajo thotë se kishte dëgjuar nga të tjerë persona se Hrvoje Čabrajić, pronar i “Avicen Software” dhe më parë i kompanisë “Pismohran”, kërcënonte sipërmarrësit e ndryshëm lokalë dhe rivalë të tij në sektorin e arkivimit elektronik të të dhënave, duke shfrytëzuar njohjen me Kresimir Milanovic dhe ndikimin e tij.

Por, Drejtoresha e Arkivave Kroate, Lemic, nuk e kishte parashikuar se do të shndërrohej vetë në një objekt presionesh dhe shantazhi nga biznesmeni Hrvoje Čabrajić.

Në një kontroll të kryer në sistemin e arkivimit të institucionit të saj, që menaxhohej që më parë nga kompania “Avicena” e Čabrajić, dr. Lemic zbuloi shkelje të shumta ligjore. Ajo thotë për agjencinë e lajmeve direktno.hr se vendosi të ndërpriste kontratën dhe rastin ta referonte në Prokurori, “me dyshimin se buxhetit të shtetit i ishin shkaktuar dëm në miliona kuna (monedha vendase kroate)”.

Kur Arkivi Kombëtar i Kroacisë prishi kontratën me Avicena Software, “Cabraic më tha që nuk ishte gjë e mirë që unë kisha vendosur të ndërprisja marrëdhëniet e biznesit me kompaninë e tij”, tregon dr. Lemic bisedën me biznesmenin.

Ajo vijon më tej: “Cabraic më kërcënoi me diskreditim personal dhe tha që do të largohesha nga posti i drejtorit. Ai nuk përmendi emrin e askujt, por unë e kam të qartë se për çfarë fliste. Drejtori i Arkivit Kombëtar Kroat emërohet nga Kryeministri, që do të thotë se ai mund të më shkarkojë mua. Sidoqoftë, nuk kam frikë nga kjo dhe do të vijoj punën time për të vendosur aktivitetin e Arkivit të Shtetit Kroat në brazda ligjore”, shprehej në intervistën e vitit 2014 Drejtoresha Vlatka Lemic.

Zonja Lemic u largua nga posti i drejtorit të Arkivave në 2016, në të njëjtin vit që u largua nga posti i kryeministrit të Kroacisë edhe Zoran Milanovic.

Ai qëndroi në krye të opozitës kroate dhe më tej u largua nga politika. Milanovic krijoi zyrën konsulentë “EuroAlba Advisory”. Prej vitit 2017, Zoran Milanovic është këshilltar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Në vitin 2018, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në Shqipëri shpall fitues të një tenderi të dyshimtë me vlerë 15 milionë euro për monitorimin e faturave tatimore kompaninë “Jehona”, e kontrolluar nga Hrvoje Čabrajić, bashkëpunëtori i Kresimir Milanovic, i cili nga ana e tij është vëllai i ish-kryeministrit kroat Zoran Milanovic, sot këshilltar i Edi Ramës./BoldNews