“Kombëtarizimi për shtetin shqiptar-komb në shekullin e dytë të Mëvetësisë, po zgjohet”

485
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Myslim Pashaj: “Nuk mund t’i zihet besë mashtrimit “nacionalist” të Berishës”

Kthesa politike e Kryeministrit Berisha drejt nacionalizmit, për një “Shqipëri të Madhe”, ka ngjallur debate politike, jo vetëm në qarqet politike të rajonit, kur reagimi i parë erdhi nga qeveria greke, por edhe në vendin tonë. Jo më kot. Para 28 Nëntorit, politika e qeverisë “Berisha” kritikohej për mungesë të frymës kombëtare, bile me marrëveshjen detare që Berisha firmosi me qeverinë greke, jo pa të drejtë, u akuzua edhe për shitje territori të Shqipërisë. Prof. Dr. Myslim Pashaj, i cili ishte i pari që denoncoi atë marrëveshje qeveritare Berisha-Karamanlis, në intervistën për “Telegraf”, është i bindur se nuk mund t’i besohet kësaj politike nacionaliste të Berishës.

Prof. Pashaj,  çështja  e kufijve të Kosovës ka të bëjë edhe me Shqipërinë?

– Realizim i Lirisë në Shekullin e XX ishte dhe është, në të njëjtën hulli të ideologjisë kombëtare që na kanë lënë iluministët tanë, për të ecur me maturi dhe projekte të studiuara, strategji afatmesme dhe të largëta, për të hedhur hapin tjetër, atë të afrimit kulturor, ekonomik dhe përkujdesjes për një rregullim ligjor Ndërkombëtar, për t’i bindur Institucionet Europiane, se çështja e moscenimit të kufijve të Kosovës, duhet të jetë vetëm në Marrëdhënie me Serbinë dhe jo me Shqipërinë. Kuptohet, se nuk është edhe aq e lehtë, mbasi ende disa shtete europiane, nuk e kanë njohur Kosovën, për shkaqe të brendshme etnike dhe po kështu veriu i saj është ndënë tela me gjemba, të së njëjtit qëndrim të Serbisë së sotme. Në ecurinë e zhvillimit e të përsosjes së shtetit të Kosovës, nuk ka se pse të jetë sakrilegj hapi për bashkimin kombëtar që sjell vetëm të mira, se sa të këqija. Parimi “Uillsionan”  i vetëvendosjes është tanimë në skenë.
AK  ka nisur firmosjen e referendumit?
– Nisma plebishitare dha një sinjal simbolik në Kufirin e dy Shqipërive, në Morinë, por kjo simbolikë ka vlerë edhe në çdo pjesë dhe vijë kufiri “fiktive” midis së njëjtës etni shqiptare, të ndarë asisoj padrejtësisht, por tashmë të dy shteteve. Kjo ka ngjallur një emocion të madh romantik, në pamje të parë, një ngazëllim etnik jo thjesht si një kombëtarizim skajor, por një hap inspirues drejt bashkimit të vërtetë. Ju e dini se në festën e mëvetësisë së Shqipërisë, erdhën në Vlorë dhe Tiranë, sipas statistikave, afër një milion shqiptar të Shqipërisë së Dytë, me një mall të pashuar dhe një ndjeshmëri e po aq të lartë. Takimi simbolik,  në të dy anët e Morinës, atje në brigjet e Drinit të Bardhë, do të mbahet mend, për një kohë të gjatë, edhe pse veshët e Berishës dhe politikanëve të tjerë nuk ndijuan dhe as me sy nuk perceptuan, mbasi e quajnë nismën e referendumit, si një marri. Është e qartë se, hullinë e referendumit e ndjekin dhe projektojnë të dy shtetet, por sido që të ndodhë e sido që të bëhet, nisma jonë është një tregues i kërkesës së qytetarëve të të dy Shqipërive, kërkesë popullore, e cila rregullohet me ligje të brendshme, në përputhje edhe me të drejtën ndërkombëtare. As më shumë e as më pak, por jetësimi i parimit “Uillsionan” të atij Uillsoni, përmendorja e të cilit u ngrit në Tiranë.
Ju e dëgjuat se, “ç’ngazëllim mashtrimi”  pati ky Berisha, tek foli për Shqipërinë e Madhe dhe përmendi një hartë etnografike prej Preshevës dhe deri në Prevezë. A nuk iu duket vallë se diçka paska nxënë këto vite për kërkesën e thellë rrënjore kombëtariste që e kanë shqiptarët? Nuk mund t’i zihet besë këtij mashtrimi “nacionalist”.
 A mund të shtoni edhe diçka tjetër për deklaratat e fundit të Berishës?
Deklarimi i Berishës, apo kacabujt e Berishës, ishte një retorikë e pacipë “gjasme nacionaliste”. A i keni parë reagimet e fqinjëve. Të buta, sepse e kuptojnë Berishën se nuk e ka seriozisht. Brenda një kohe të shkurtër, ka thënë gjëra krejt të kundërta, të cilat më shumë, e kanë prishur atmosferën e festës kombëtare, kjo,  për shkak të vorbullimit të tij tinëzar, në një reaksion me vetveten dhe kurrë për interesa të kombit. Ai, në jo më shumë se dy muaj më parë pati thënë se bashkimi kombëtar do të bëhet brenda formatit të Bashkimit Europian. Po, edhe para një viti, i quajti Kuqezinjtë “faqezinj” dhe në gojën e znj. Topalli vuri fjalët e: “strehës së maskarenjve!” Ky është Berisha i vërtetë. Ndërsa tash, në momentin e festës e shekullit ai u ngrit dhe këndoi si gjeli në majë të plehut një rapsodi “berishiste” nacionaliste, me kufij vokalë që s’i kish përdorur kurrë në këngët e tij të çjerra.  Kontradiktor në vlerësimet historike, të cilat i kthen me kokë poshtë, sipas interesave të tij të pushtetit dhe jo për identitetin dhe historinë e kombit të tij, dhe të  shtetit. Retorika e tij në Maqedoni, për bashkimin Kombëtar është mbajtur me qëllimin diabolik të mbulimit të një pjese të ndotur të portretit të tij dhe ndriçimit të gjymtyrës së autokratit, në lakuriqësinë e tij antikombëtare. Prandaj, asgjë s’duhet të ketë ngjitur në opinion, për atë hartën që ai desh të sillte që nga “Preveza në Preshevë”,  sepse të gjithë e kuptuan, se sa stonim sillte në skenën festive të Shekullit të Mëvetësisë.
Berisha  acaroi ballkanasit me fjalët e tij edhe pse ato ishin ‘mbeturina’ retorike e politike, si nuk ka ndodhur asnjëherë në këto vite. Kombëtarizimi ynë, nuk është spontan, por vjen ndër rrënjë të thella, prej lashtësisë, vënë në dukje nga iluministët tanë, si një domosdoshmëri e qenësishme për shtetin-komb, ndërsa ajo, që u çorr Berisha para dy ditësh është një atavizëm, sa për tym marramendës. Kombëtarizimi për shtetin shqiptar-komb në shekullin e dytë të Mëvetësisë, po zgjohet.
 – Është nacionalizmi i AK-së i rrezikshëm për stabilitetin dhe a ka ngjashmëri me Agimin e Artë, siç ju kanë përcaktuar?
– Krijesa më e mirë politike më e qashtër më e shëndetshme që ka lindur në Shqipëri është Aleanca Kuq e Zi, si parti kombëtariste në qendër të spektrit politik shqiptar. Në jo më shumë se një vit e gjysmë nga krijimi i saj si Lëvizje jopolitike dhe pas shndërrimit të saj në Parti, siç është tash, për gjashtë muaj, ajo po ngazëllen përditë e më shumë opinionin e të gjithë shtresave e të gjithë spektrit. Ajo po bëhet e pranueshme derisa po zgjerohet me një doktrinë dhe filozofi kombëtare të pastër, pa asnjë virus nacionalist e populist, por prej rrënjësh ajo po buit energji të papara që po e shëndoshin klimën, derisa të gjithë liderët politikë të të gjithë panoramës politike përfshirë dhe Berishën, në të dy Shqipëritë (e kam fjalën për Kosovën) po flasin për bashkimin kombëtar bile me terma më pikantë se sa ato që ne përdorim. Vet ndezja kombëtare e festave të 100 vjetorit është inspirimi që kemi sjellë ne. Ndërkaq, ata që po na kopjojnë, janë të tipit mashtrues që nuk e kanë mendjen tek çështja kombëtare. Ata po prishin edhe marrëdhëniet me fqinjët, mbasi po kalojnë në ekstreme, siç bëri Berisha me hartën etnografike nga Presheva ne Prevezë, të cilën e përmendëm atypari. Ideologjia kombëtare i ka munguar këtij vendi dhe prandaj nuk ka qëndrueshmëri.  Unë mendoj se, medimet e huaja që përmendni ju me ato që kanë shkruar, na kanë lëvduar më shumë, se na kanë sharë. Ne nuk përbëjmë asnjë rrezik në Ballkanin tonë. Klithmat dhe kacabujt nacionaliste të Berishës janë vetëm “mbeturina” retorike që shqiptarët duhet ta kuptojnë.

– Faleminderit!